Albspirit

Media/News/Publishing

Pasioni i Ermonela Jahos është gjithnjë fitues

 

Personazh në librin “Zonjat shqiptare në Nju Jork”

Flora Nikolla

Ermonela Jaho, soprano lirike e mirëfilltë  e konsideron  zërin një urë lidhje nga shpirti i saj në shpirtin e spektatorëve. Për Divën  shqiptare, muzika është gjuha e shpirtit dhe kjo është edhe filozofia  e saj. Aktiviteti  artistik i Ermonela Jahos, është kaq i ngjeshur saqë eksperinca e saj me kolegë të ndryshëm dhe repertor me një gamë të gjërë përbën një listë të gjatë. Në çdo opera, që këndon përpiqet të gjejë diçka të përbashkët me veten e saj dhe kjo sjell rezultatin që roli të dalë natyrshëm si të ishte shkruar për Divën shqiptare. Repertori  i Ermonela  Jahos nis nga stili Barok deri tek ajo Veriste duke mësuar të gjitha stilet e Operës botërore. Aktualisht këndon Belcanto – Bellini, Donizetti, repertor francez Massnet si operat Manon, Thais, Sapho, Hofenbach,  Verdi , Puccini dhe Verismi . Emocionet e forta profesionale, mendon se i ka kaluar në ROH, në debutin e  operës „Traviata“,  kur hyri në momentin e fundit, pa prova pa asnjë përgatitje për arsye se kolegia e saj ishte sëmurë.  Fluturoi nga Nju Jorku në Londër gjatë natës dhe nga aeroporti hyri direkt në skenë. Ajo thotë në këtë intervistë se e gjitha ishte si  gladiatori që hyn në një fushë beteje, duke mos njohur ambjentin, por me forcën e shpirtit të mëndjes. Sopranoja  me famë botërore Ermonela Jaho  u shpall në vitin 2016, fituese në International Opera Awards. E nominuar në kategorinë Reader`s Award, ajo triumfoi mes shumë figurave të shquara të botës. I konsideruar si Oscar-i i Operës në Botë, ky çmim prestigjoz u fitua nga artistja shqiptare në teatrin “Savoy” të Londrës.  Çmimi i Publikut në Opera Awards 2016″, është e jashtezakonshmja Ermonela Jaho”, ishte njoftimi në Tëitter nga faqja zyrtare e International Opera Aëards. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Ermonela Jaho interpretoi,  “Un Bel Di” nga Madama Butterfly. Dua të falenderoj të gjithë admiruesit e artit tim në botë dhe veçanërisht në Shqipëri për mbështetjen dhe dashurinë. Kushdo që i dedikon jetën pasionit të tij është gjithmonë fitues. Ju dua të gjithëve!” kanë qënë emocionet dhe fjalët që artistja shqiptare ka shprehur  pas marrjes së çmimit në faqen e saj zyrtare.

Cila është historia juaj me muzikën dhe më pas sekreti i lidhjes tuaj me muzikën lirike?

Kontakti i parë që kam pasur me muzikën kanë qënë Ninullat e nënës sime dhe më pas kënga polifonike të Jugut, për arsye të origjinës sime. Kontaktin e mirëfilltë me skenën, ka pasur fillesat e saj në moshën 6-7 vjeçare në Pallatin e Pionierëve . Në atë periudhë shëmbujt e mi ishin këngëtarët e muzikës së lehtë të Festivaleve të Këngës në RTVSH. Këndimi ka qënë gjithnjë një çlirim i imi shpirtëror, ashtu si vetë definicioni i saj, muzika gjuha e shpirtit. Kisha dëshirën që pas Pallatit të Pionierëve të vazhdoja rrugën time në këtë fushë dhe shkollën e mesme të muzikës në Tiranë, Liceun Artistik “Jordan Misja“. Si kriter që të hyje në këtë shkollë duhet të këndoje nje arie në stilin klasik të saj, Isha rreth 14 vjeç, kur ka qënë dhe kontakti im i parë me muzikën klasike. Për herë të parë kam shkuar në Opera në Tiranë, bashkë me vëllanë tim dhe kam parë operën e parë në jetën time “Traviata“, me një këngëtare turke. Dashuria me këtë muzikë filloi në atë moment, si një dashuri me dëgjimin e parë për të vazhduar deri tani me të njëjtin intensitet ,por me një bagazh tjetër jete.

Ju kujtohet çfarë ju thanë në familje kur i treguat qe ju do të bëheshit një kengëtare lirike?

 Familja ime gjithmonë ka dashur të më shohë të lumtur dhe si prindër të mrekullueshëm që janë shqiptarët që sakrifikojnë veten e tyre për lumturinë e fëmijëve, dhe prindërit e mi më mbështetën në rrugëtimin tim drejt realizimit të ëndrës sime për t‘u bërë këngëtare lirike.

Cili personalitet muzikor beson se ka ndikuar më shumë në karrierën tuaj?

Personaliteti muzikor qe ka ndikuar më shumë në karrieren time ka qënë sopranoja – artistja greke, Maria Kallas. Isha akoma në vitin e parë në Lice, kur dëgjova për herë të parë një regjistrim të saj në operën “ Lucia di Lamermoor“. Mjeshtria e saj teknike vokale, në shërbim të emocionit më surprizoi dhe më la një shënjë të fortë e cila u bë një pikë arritje për mua : të arrish nëpërmjet teknikes vokale të trasmetosh ndjenja humane të forta dhe universale qe transmetojnë këto vepra klasike. Përsa u përket personalitetëve shqiptare kanë qënë mësimet e para të marra nga pedagogët në Tiranë si: Zina Zdrava, Nereida Fico, Emine Gjata, Vangjo Kosta, Rozmari Jorganxhi, Zana Frashëri. Shumë pedagogë për një periudhë të shkurtër, por seicili prej tyre u përpoq të më japë atë që dinin dhe më pas është puna këmbëmngulëse që seicili prej nesh bën.

Çfarë kujtoni nga studimet tuaja në Akademinë Santa Cecilia në Romë?

 Ka qënë një periudhë shumë e vështirë qoftë nga ana ekonomike ashtu edhe për dokumentat. Më është dashur të mbijetojë në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke punuar punët më modeste për të mbajtur veten.Vështirësitë të hasura gjatë rrugëtimit tim në këtë periudhë, më kanë mësuar që në këtë jetë jemi vetëm dhe çfarë nuk të vret, të forcon. Mësova shumë në atë shkollë historinë e Operas Italiane, shumë informacione qe duke ardhur nga Shqipëria, të  paktën në rastin tim, qe një ëndërr që po e prekja me dorë. Por do doja të theksoja qe një pregatitje profesionale e teorisë së muzikës e marrë në Shqipëri, ishte në të njëjtin nivel me një shkollë kaq prestigjoze si Akademia Santa Cecilia. Për këtë dua t‘i shpreh mirenjohjen time pedagoges sime Sonja Sulo në Tiranë, mësimet e së cilës më bënë të ndihesha e barabartë me studentët e tjerë të ardhur nga gjithë bota në Akademi.

Cili kompozitor ju pëlqente në atë kohë?

Ne atë kohë njohja e repertorit ishte në stadin fillestar. Lidhur me këtë pyetje, njihja Traviatën e Giusepe Verdit, Cavalerinë Rustikane te Maskanjit, Pagliacin të Ruggero Leoncavallos, Peshkatarët e perlave të G.Bizes. Por të gjithë këta kompozitorë , unë i njihja nga kontakti dhe njohuria ime fillestare me operat e para në TKOB.

Po sot cilët janë koleget dhe kompozitorët tuaj të preferuar?

Aktiviteti im është kaq i ngjeshur sa eksperinca ime me kolegë dhe repertor me një gamë të gjërë përbën një listë jo shumë të limitizuar. Në çdo opera, që këndoj përpiqem të gjej diçka të përbashkët me veten time dhe kjo sjell në rezultatin që çdo rol të dalë natyrshëm dhe sikur të jetë shkruar për mua. Përpiqem të mësoj nga seicili prej tyre. Repertori im fillon nga stili Barok deri tek ajo Veriste, duke mësuar të gjitha stilet e Operës botërore.

Lidhur me koleget nuk mund të them emra në këtë moment pasi ke kolegë që këndojnë vetëm notat ka edhe nga ata që këndojnë shpirtin e tyre dhe këta të dytët janë ata me të cilët preferoj të këndoj. Gjithashtu ka të bëjë shumë dhe bashkëpunimi me dirigjentet.

Si do ta përcaktonit ju stilin tuaj si këngëtare lirike?

Unë jam një soprano lirike e mirëfilltë ku zërin e konsideroj urë lidhje nga shpirti im tek shpirti i spektatorëve. Nuk dua të ve veten në një kornizë definicioni. Muzika është gjuha e shpirtit dhe artisti i vërtetë duhet të ketë këtë prioritet. Kjo është filozofia ime.

Pjesmarrëse në shumë produksione të rëndësishme, në këtë intervistë a mund të tregoni herën e parë kur u ngjitët në një skenë të madhe?

Në një skenë të madhe jashtë kufijve të Shqipërisë ka qënë në Milano në Teatrin Piccolo“ Alla Scala“ në moshën 19 vjeçare. Kam kënduar Operën e Maskanjit “L’amico Fritz“, ku zbulova çfarë pune kolosale kostante i duhet një këngëtari operistik për të qëndruar në skenë dhe mbijetuar vokalisht.

Po herën e fundit?

Në këtë moment, ishte në BayerischeSaatsoper në Mynih në Gjermani me Operën “Manon Lescaut“ të Puccinit dhe menjëherë në Berlin me Madama Butterfly . Gjithnjë jam në lëvizje.

Cili është repertori juaj i preferuar aktualisht?

Aktualisht repertori që unë këndoj është pak i gjërë, sepse këndoj Belcanto – Bellini, Donizetti, repertor francez Massnet si operat Manon, Thais, Sapho, Hofenbach,Verdi, Puccini dhe Verismi .

A mund të tregoni një eksperiencë ose pasazh që ju vjen në kujtesë e cila lidhet me zërin tuaj apo me eksperiencën tuaj profesionale (diçka qe lidhet me një shfaqje)

Kam një ndodhi të freskët, të koheve të fundit në ROH në Londër me Operën „Suor Angelika“ të Puccinit. Një dramë, tragjedi ku kërkimi i të vërtetës dhe vërtetësisë së punës që bëj me teknikën vokale ka arritur në një pikë, ku përshkrimin e gjëndjeve shpirtërore të Angelikës, e bëra pikërisht me ngjyra të ndryshme të zërit tim. Ky lloj përshkrimi shpirtëror nëpërmjet ngjyrave të zërit shkaktoi nje entuziazem kolektiv në publik. Një histori si ajo që unë po këndoja në skenë me Suor Angelikën, ka egzistuar në Angli dhe jo vetëm, kur vajzat e reja binin shtatëzanë jashtë martese dhe prindërit nga turpi u merrnin fëmijët kur i lindnin dhe vajzat i mbyllnin në konvente. Disa prej këtyre grave sot kanë moshën e nënave tona dhe dikush prej tyre ka qënë në publik në ditët e shfaqjeve të mia. Pasi mbaroi,  Suor Angelika,  dikush prej u ndje shumë keq emocionalisht deri në kërkim ndihme të shpejtë. Kjo ka qënë një eksperincë shumë e fortë për mua si artiste.Të jesh e vërtetë , e sinqertë në skenë është e pamundur të mos rezonosh atë me publikun. Kjo qe një tjetër përjetim ëndrre për mua, sepse kjo ka qënë dhe eshtë filozofia ime, të vokalizosh dhë këndosh shpirtin.

Sot jeni një Divë e muzikës klasike, si e shihni ju suksesin tuaj sot? Kujt ja kushtoni?

Suksesin, realizimi dhe jetimi i ëndrrës për ditë, ja kushtoj së pari besimit dhe këmbënguljes sime pothuajse patologjike . Në këtë rrugë kam pasur ndihmë familjen time të rritjes, familjen time aktuale me shokun tim më të mirë të jetës. Suksesin, ja kushtoj jetës sime të përditeshme dhe eksperincës së përditëshme humane me të gjitha ngjyrat e saj.

Në cilat nga sallat botërore që ju keni interpretuar keni patur një emocion të veçantë , cili teatër në cilin vënd ju ka lënë më shumë mbresë?

Teatri është shtëpia e një artisti. Unë emocionet e forta profesionale, mendoj i kam kaluar në ROH në debutin tim në këtë teatër me operën „Traviata“, ku hyra në momentin e fundit, pa prova pa asnjë përgatitje për arsye se kolegia ime u sëmur . Fluturova nga NY në Londër gjatë natës dhe të nesermen nga aeroporti me ato përgatitje të kostumit, hyra në skenë. Ështe si ai gladiatori që hyn në një fushë beteje, duke mos njohur ambjentin, por me forcën e shpirtit të mëndjes.Të jetosh edhe sfidat si në ëndërr, aty ku është vështirësia më e madhe, aty është dhe oportuniteti më i madh, dhe kjo vlen në të gjith fushat e jetës sonë.

A mund të përmëndni disa nga kolegët tuaj që keni bashkëpunuar në botë dhe që vërtet jeni ndjerë mirë?

Eksperienca ime pothuajse çerek shekulli më ka bërë të bashkëpunojë me shumë kolegë, duke filluar nga ata që unë i shihja si idhuj kur isha e vogël në Shqipëri, deri ata të brezit tim dhe më të rinj. Jam ndjerë mirë gjithmonë për asrye se seicili prej nesh është unik dhe nga seicili mëson diçka, në të mirë dhe të kundërt. Por si e thashë dhe më sipër, me ata që ndihem më mirë janë ata që nuk janë thjeshtë këngëtarë që këndojnë vetëm notat, por me ata që këndojnë shpirtin. Janë disa prej tyre duke përfshirë regjisorë , dirigjentë që janë të famshem dhe jo. Mund të përmënd Antonia Pappano, Marco Armigliato, Jean Claude Auvrey, Dimitry Horostovsky,Jonas Kaufmann,Patrizia Ciofi,Hugo De Ana, richard Jones etj.Përpiqem çdo eksperincë dhe bashkëpunim ta marrë si pjesë të rrugëtimit tim artistik dhe human.

Cilat janë disa nga këshillat që ju do t‘i jepnit atyre që nisin tani të studiojnë kanto …

Nuk mund të jap receta për t‘u bërë një artist, pasi recetat nuk egzistojnë. Seicili prej nesh është një gen, individ me vete dhe eksperinca nuk i ngjan eksperincës tjetër. Nëse këndimi është çlirimi i shpirtit tënd, nevojë jetësore duke u kthyer në një ideal, atëhere do jetë pikërisht, ky ideal që do të të tregojë rrugën për të arritur aty ku duhet, të kapësh ëndrrën e cila është si një yll ku mund të ndodhë që të jesh vetem ti që e sheh  në një tunel kaq të errët, të gjatë dhe të vështirë, që është jeta, dhe që askush nuk e sheh apo nuk e imagjinon, dhe mund të jesh vetem ti që ta shohesh. Kjo do të thotë që ai yll egziston dhe që ti mund ta kapesh. Kjo ka qënë për mua dhe pikerisht pasioni dhe besimi pothuajse patologjik që më ka treguar rrugën për të arritur. Ajo rrugë është sakrificë, vetmi, insistim, besim, mëndjehapur dhe repekt për veten dhe të tjerët.Nëse fillon si një ideal me një besim të tilllë dhe një punë kolosale, është e pamundur të mos e prekësh atë yll, atë ëndërr. Asnjë nuk është e pamundur!

Ju lutem a mund të tregoni në këtë intervistë , cilat janë pasionet tuaja në jetë përveç të kënduarit?

Përveç këndimit, i cili nuk është thjesht profesion por ushqim shpirtëror, jam shumë e interesuar me psikologjinë e femijeve, sidomos atyre në vështirësi , me pëlqen filozofia, sporti, mesimedhenia etj.

Në Nju Jork jeton sot një komunitet i madh shqiptarësh që ju keni patur rast t’i takoni … Si i shihni ju sot shqiptarët,  sa të integruar janë ata në jetën sociale amerikane?

 Shqiptarët si shumë popullata emigrante në Amerikë janë në rrugëtimin e tyre drejt integrimit. Gjenerata e parë si gjithmonë sakrifikohet që gjenerata e dytë të ndjeki shkollën dhe mos të ketë asnjë lloj limiti ndaj asaj që do të arrijë. Kjo gjë ndihet dhe shqiptarët i gjen kudo nëpër Amerikë që nga Nju Jorku deri në Kaliforni dhe në profesione nga më i thjeshti deri në Kongresin Amerikan, udhëheqësa biznesi e mjekësi. Mendoj se gjenerata e trete do të arrijë edhe më lart.

Si do të mund ta përcaktonit imazhin e gruas së shekulllit të XXI?

Gruaja shqiptare ka qënë gjithmonë pika më e forte lidhëse e familjes. Sakrificat e saj i kemi ndjerë dhe jetuar të gjithë në familjet tona. Mendoj se duhet bërë shumë më shumë që ajo të fuqizohet ekonomokisht dhe arrijë indipendencën e saj totale në qoftë se duam që shoqeria shqiptare të zhvillohet dhe më shumë. Nuk është e mundur që një vend të zhvillohet në se injorohet, anashkalohet apo nuk investohet në edukimin e gjysmës së popullatës.

Please follow and like us: