Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan godet sërish mediat opozitare: Arrestohet kryeredaktori i gazetës Cumhuriyet

“Arrestohet kryeredaktori i gazetës Cumhuriyet. Erdogan i emëron vetë redaktorët”

Policia turke bastisi mëngjesin e 31 tetorit shtëpitë e disa gazetarëve së përditshmes opozitare Cumhuriyet. Në Stamboll kryeredaktori Murat Sabuncu, u arrestua. Në Ankara, gazetari Guray Öz u arrestua. U bastis edhe shtëpia e drejtorit ekzekutiv, Akin Atalay, i cili gjendet jashtë vendit.

Trembëdhjetë urdhër-arreste janë lëshuar kundër gazetarëve të gazetës, të dyshuar, sipas prokurorit të Stambollit, se bashkëpunojnë me dy organizata terroriste: lëvizjen e Fethullah Gulen, të akuzuar për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit me 15 korrik dhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Cumhuriyet (Republika) është një e gazetë me një tirazh prej 52 000 kopjesh, por shumë e respektuar në Turqi.  E fokusuar në vlerat republikane të transmetuara nga Ataturku, ajo e ka shndërruar në prioritet mbrojtjen e sekularizmit, veçanërisht duke publikuar në vitin 2015 karikaturat e Charlie Hebdo. Më 6 maj, Can Dundar, ish –kryeredaktori i gazetës dhe Erdem Gül, korrespondent i gazettes në Ankara, u dënuan në shkallën e parë me pesë vjet burg për botimin e një investigimi mbi shpërndarjen armëve nga shërbimet sekrete turke rebelëve që luftojnë kundër Bashar al-Asad në Siri. Viktimë e një atentati po atë ditë në gjykatë, Dundar tani jeton në mërgim në Evropë.

Rektorët e caktuar nga Erdogan

Këto arrestime janë pjesë e një kthese të re të vidhos që nisi të shtunën e 29 tetorot, ditën e themelimit të Republikës që festohet në të gjithë Turqinë. Që prej grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut, në vend është vendosur gjendja e jashtëzakonshme, e cila lejon qeverinë të veprojë pa pengesa, pa i kaluar në Kuvend vendimet e saj, aq më pak nga gjykatat e rrënuara nga spastrimet pas dëbimit të më shumë se 4.000 gjyqtarëve.

Sipas dekretit të ri të botuar të shtunën, rreth 10 000 nëpunës civilë u pushuan, pesëmbëdhjetë media janë mbyllur, të drejtat e avokatëve janë kufizuar me ligj dhe presidentët e universitetit tani do të emërohet nga presidenti Recep Tayyip Erdogan. Dekretet e mëparshëm kishin lejuar, në emër të luftës kundër “terrorizmit” shkarkimin e 100.000 nëpunësve publikë dhe arrestimin e mbi 30 000 personave. Dekreti i fundit nxjerr të papunë ekzaktësisht 10,131 persona (duke përfshirë 2 534 të Departamentit të Drejtësisë, 3 486 në arsim, 2 774 në shëndetësi dhe 101 në ushtri).

Dekreti është një goditje e rëndë për ushtrimin e profesionit ligjor. Tani, bisedat e avokatëve me klientët e tyre të dyshuar për “terrorizëm” do të ruhen, prania e një roje është e detyrueshme, dokumentet e shkëmbyera me shkrim do të jetë në shënjestër nga autoritetet. Nëse gjyqtari e konsideron të nevojshme, avokatit mund t’i hiqen vizitat për gjashtë muaj. Partitë e opozitës dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë kritikuar qeverinë se po përfiton nga gjendja e jashtëzakonshme – që është shtyrë deri në janar 2017 – për t’i mbyllur gojën çdo opozitari nën maskën e luftës kundër terrorizmit.

Pesëmbëdhjetë mediat e mbyllura të shtunën janë media të njohura kurde, duke përfshirë agjencinë e lajmeve Dicle dhe revistën mujore Evrensel Kultur. Të shtunën e 30 tetorit Gültan Kisanak dhe Firat Anli, dy kryebashkiakët e Dijarbakir, në “kryeqytetin” e shumicës kurde Juglindore, që u arrestuan pak ditë më parë, u akuzuan për “mbështetje logjistike të një organizate terroriste.” Edhe pse politikanë të respektuar, ata janë janë të akuzuar, ndër të tjera, për sigurimin e automjeteve komunale për funeralet e rebelëve të PKK.

“Gjithçka vjen nga një person. Po na çojnë drejt një sistemi presidencial, si një fakt i kryer. Ky është një abuzim i gjendjes së jashtëzakonshme”, denoncoi në agjencinë e lajmeve Anadolu, Lale Karabiyik, deputet i Partisë Popullore Republikane (CHP, partia më e madhe opozitare në parlament).

Presidenti Recep Tayyip Erdogan – i cili përsëriti të shtunën dëshirën e tij për të rivendosur dënimin me vdekje – kërkon një reformë kushtetuese në Parlament “sa më shpejt që të jetë e mundur”, njoftoi kohët e fundit kryeministri Binali Jildirim. Meqë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e themeluar nga z Erdogan nuk ka shumicën e nevojshme në Kuvend, një referendum mund të thirret deri në prill 2017. /Le Monde

Please follow and like us: