Nga Alba Haruni

Shekujt XIX-XX kanë qenë nga më dinamikët në historinë politike të popujve të Europës dhe të Ballkanit në veçanti. Përveç prirjeve aristokratike, konsevatore, të cilat synonin të ruanin me çdo kusht Koncertin Europian, dolën në skenë edhe disa lëvizje ose rryma me tipare liberaliste, antimonarkiste, nën ndikimin e jehonës se Revolucionit Borgjez Francez. Të tilla ishin prirjet nacionaliste shtetformuese, të cilat kishin në thelb lëvizjet për pavarësi kundër monarkive te kohës dhe Perandorisë Osmane multinacionale, si dhe prirjeve imperialiste të shteteve si Italia, Gjermania e Rusia. Vetë Ballkani i përfshirë nën ndikimin e lëvizjeve nacionale shtetformuese kundër Perandorisë Osmane, ishte një zonë me kulturë të ndërmjetme midis Europës dhe Azisë, midis Europës liridashëse dhe Lindjes Despotike. Kështu, liberalizmi i kësaj periudhe goditi rëndë shtetet e vogla dhe të pafuqishme, duke i dhënë shtysë koncepteve të ndryshme nacionaliste si “Megalidea” e grekëve dhe “Naçertania” e sllavëve. Koncepte të ngjashme qenë përhapur në të gjitha ato vende ku cënoheshin interesat e borgjezisë kombëtare të Ballkanit. Kështu kemi të njohur “Panislamizimin turk” të Abdyl Hamitit që synonte bashkimin e të gjithë myslimanëve nën pushtetin e Sulltanit. Vetë turqit nuk u pranuan asnjëherë si europianë të vërtetë. Në shkrimet e tyre udhëtarët, dijetarët dhe filozofët e kohës filluan të përmendnin terma si nomadë, barbarë që sundonin në “tokat, ku Europa e qytetëruar pati fillesat e veta”. Periudha 1912-1918 për historinë e popujve të Ballkanit përbën mbi të gjitha një betejën përfundimtare për vetëvendosje nacionale dhe çlirim nga zgjedha e huaj. Me shkatërrimin e dy perandorive të mëdha, nacionalizmi mori tone të theksuara etnike, kryesisht nga migrimet dhe emigrimet e popullatave, të cilat i dhanë një kuptim të ri termit “racë”, duke u bërë një kërcënim për të gjitha bashkësitë. Synimi për krijimin e një kontinenti të ndarë në shtete me homogjenitet etnik dhe gjuhësor qe asgjësues për pakicat kombëtare. Kjo u pa, kur turqit kërkuan largimin e armenëve në vitin 1915, si dhe problemet me pakicat që u shfaqën në shtetet e reja, të cilat përmblidhnin brenda vetes shumë popuj. Ashtu si çdo lëvizje, çdo rrymë apo pritshmëri që vinte nga Europa, Fuqitë e Mëdha, Porta e Lartë apo nga Rusia, nuk mund të kalonte pa ndikim dhe pa tronditje në Ballkan, duke shtuar dhe dukuritë e diversitetit etnik, religjioz e gjeopolitik që karakterizonin popujt e këtij gadishulli.

Në vitin 1914, jo për herë të fundit në Ballkan, marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha i ngjanin më shumë të llojit rend pas qerres së të zotit”. Vetë Europa kishte nevojë serioze të njihte profilet kuturore të popujve të Ballkanit pas rënies së Perandorisë Osmane dhe në bazë të këtyre profileve të përcaktonte njëherazi qëndrimet dhe lidhjet e ardhshme të saj me to. Por, popujt e Ballkanit kishin nevojë për shpalosje të qartë të identiteteve të tyre përballë Europës. Kështu monarkitë serbë, bullgarë, malazezë po identifikoheshin drejt profilit sllavo-ortodoks me orientim gjeopolitik më së shumti nga Rusia, e cila po merrte rolin e kujdestarisë mbi to. Monarkia greke po identifikohej drejt grupit heleno-ortodoks (jo sllav) me orientim gjeopolitik mjaft kontravers midis Rusisë e Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë periudhë, u krijua një situate, nën fluksin e së cilës disa vende fituan rolin e sunduesit ndaj të tjerëve, duke e kthyer problemin kombëtar nga një problem çlirues e bashkues, në një problem të pakicave territoriale. Të tilla shtete si Jugosllavia, Greqia dhe Rumania, përmes aneksimit të territoreve, përfshinë masa të mëdha të huajsh brenda kufijve të tyre, ndërsa të tjera si Bullgaria, Shqipëria patën humbje të mëdha në hapësira dhe në njerëz.

Në këtë kompleksitet kulturash dhe orientimesh gjeopolitike do të vetëpërcaktohej dhe Shqipëria. Momenti ishte vendimtar dhe përgjegjësia ishte mirëfilli elitare. Elementi gjuhësor dhe jo fetar ishte vetëpërcaktimi i tij etno-kuturor. Kjo ndodhi, sepse elita shqiptare e kohës, intelektuale dhe klerike, kishte mendimtarë të ndritur dhe iluministë perëndimorë, ashtu siç kishte dhe nga ta me mendime të dyshimta e fanatike. Është një fakt i pranuar historikisht që populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik, duke e bërë atë të dallueshëm nga fqinjët si në gjuhë e zakone me një individualitet të spikatur. Për të ka qenë gjithmonë i rëndësishëm interesi kombëtar ndaj konsideratave fetare dhe duke patur një qëndrim liberal ndaj racave fqinje. Historia jonë ka qenë e mbushur me luftëra të përgjakshme në ruajtje të integritetit, duke mos dashur në asnjë moment të heqë dorë nga sovraniteti i shenjtë dhe shumë herë ia ka dale, por dhe shumë herë i është nënshtruar fatit të zgjedhës. Prandaj në kohën kur ngjarjet e mëdha që ndodhën në Gadishull e vunë në tryezë çështjen e riorganizimit të hartës së Ballkanit, Shqipëria me të drejtë ngriti zërin për t’u kërkuar Fuqive Europiane, bashkë me të drejtën për të jetuar, edhe mundësinë për t’u zhvilluar në rend dhe paqe. Po ç’ndodhi pak vite më pas? Kjo Europë lejoi që shteti i ri helen grek të vendoste kufirin tek Ura e Kardhiqit. Sundimtarët e kontinentit plak nuk bënë asnjë reagim. Ata sikur të mos kishte ndodhur asgjë harruan Dumasin e Lord Bajronin dhe lejuan aneksimin e Çamërisë nga shteti i ri grek, Greqia. Europa nuk e kuptonte se nuk po merrte tokat e Turqisë për t’ia dhuruar grekëve, por ajo po merrte tokat e shqiptarëve, këtij shteti që u themelua nga lufta e vetë shqiptarëve. Por, Europa e kishte kujtesën e shkurtër, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët. Ndaj i lejoi grekët të vendosnin vijën e demarkacionit ku deshën vetë ata, mbi Urën e Kardhiqit.

Këtu ka zanafillën tragjedia qindravjeçare came. ku evidentohen masakra të shumta dhe dëbime biblike. Një Izrael i vogël mu në mes të Ballkanit e ku, mbi Thesprotinë e lashtë Europa kishte humbur vetëdijen. Ajo tregoi një papërgjegjshmëri konstante ndaj shqiptarëve duke vijuar për dekada me radhë të krijonte shtete të reja me tokat e Arbrit. Mbi trojet shqiptare që fillonin në Nish e mbaronin në Haraçin, aty ku ra Shpata e Damokleut.