Albspirit

Media/News/Publishing

“Kadare i denoncuar në 101 dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”

France. Paris. Albanian writer Ismael Kadare at a café.Ismail Kadare në dokumente të panjohura arkivore që dëshmojnë denoncimet për autorin dhe veprën e tij. Gazetari Dashnor Kaloçi, pas librit të parë “Kadare i denoncuar”, tani me “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, të dyja botime të UET Press, – ku vijnë dëshmi të reja për shkrimtarin duke rihapur debatin e pakryer, që lidhet drejtpërsëdrejti me hapjen e dosjeve e sidomos denoncimit të krimeve të komunizmit 

“…Sigurimi ka dashur ta arrestonte Kadarenë, por ajo gjë nuk ndodhi, pasi nuk është miratuar nga lart, d.m.th nga Enveri. Gjë e cila është shpjeguar nga vetë Kadare, ku midis të tjerash është shprehur: “Enveri më ka shpëtuar nga vetvetja, pra nga Enveri”…

Intervistoi: Violeta Murati

-Libri me dokumente arkivore “Kadare i denoncuar” botuar vjet, nga UET Press, ishte e pazakontë për një mjedis ku gëlon prej vitesh debate për dosjet dhe krimet komuniste, por pas një viti, ju merreni me të njëjtin autor, me më shumë dokumente që zbulojnë një sistem. Pse sërish me Kadarenë, çfarë kishte mbetur jashtë këtij autori, që ju nxiti?

 

D.K.  Fillimisht desha t’ju them, se libri “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, është vijim dhe në të njëjtën linjë me librin e parë, “Kadare i denoncuar”, si nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Por me të vetmin ndryshim, se te libri i parë kishim 31 dokumente, te ky libër ka plot 101. Unë ju ktheva përsëri figurës së Kadaresë, për disa arsye kryesore, të cilat po përpiqem t’jua shpjegoj shkurt. E para: Ndërsa libri “Kadare i denoncuar” u fut për botim në fundin e tetorit të vitit të kaluar (2015), i bindur se ai libër ishte ende i paplotë, por edhe më shumë për inerci, apo kurioziteti profesional si gazetar i rubrikës historike dosier, vazhdoja të kërkoja dokumente në arkiv. Dhe pashë se kishte përsëri dokumente me mjaft vlerë që bënin fjalë për figurën e Kadaresë. Kjo ishte e para që iu riktheva përsëri “Kadaresë”, si dhe kërkesës së botuesit, Henri Çili, i cili më thoshte shpesh: “A i bëjmë dot 101 dokumente për Kadarenë”?!  Të jem i sinqertë, (gjë të cilën ia shprehja edhe Henrit kur më pyeste), nuk e besoja kurrë se do arrinte një numër kaq i madh dokumentesh. Dhe këtë gjë e bazoja edhe në faktin se ishin botuar dy libra nga ish-drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, prof. dr. Shaban Sinani, dhe që nga ajo kohë, (pra më shumë se dymbëdhjetë vjet më pas), vetëm dy tre dokumente të reja kishin dalë për Kadarenë?! Ky fakt më bënte mosbesues lidhur me ekzistencën e dokumenteve të tjera. Por Henri vazhdonte me kërkesën e tij edhe në kuadrin e një projekti që kishte ideuar dhe futur në zbatim, lidhur me “Formësimin e Memories Kolektive dhe Kujtesën Historike”, kryesisht atë që kishte të bënte me zbardhjen e ngjarjeve kryesore dhe krimeve të regjimit komunist të para viteve ’90-të. Dhe nisur nga kjo ide e tij, unë u bëra pjesë e këtij projekti dhe vazhdova kërkimet në arkiva. Pothuaj për një vit e ca, duke punuar gati çdo ditë në Arkivin e Shtetit dhe rezultati është ky që dihet tashmë, libri që kemi në dorë. Por përveç këtyre, duhet shtuar edhe njëfarë suksesi që pati libri i parë, “Kadare i denoncuar”, i cili u prit shumë mirë. Interesi për atë libër ishte mjaft i madh gjë që u tregua, si nga lexuesit, ashtu dhe nga media në përgjithësi. Libri pati interes të madh që në ditët e para të Panairit të Librit, ku u shit dhe pjesa më e madhe e tirazhit të tij, kjo edhe falë një publiciteti të madh që i bëri media e shkruar dhe ajo vizive. Me që jemi në këtë pikë, dua të them se që nga dalja e librit më datën 10 nëntor 2015, ditë në të cilën UET PRESS organizoi edhe promovimin në ambientet e Hotel “Internacional”, (ku morën pjesë mjaft të ftuar), dhe në vijim, për afro një muaj, janë botuar gjithsej në shtypin e shkruar, mbi 60 shkrime, vetëm për librin “Kadare i denoncuar”. Po kështu ato janë ribotuar dhe publikuar edhe nga pjesa më e madhe e portaleve shqip, brenda dhe jashtë vendit. Këtij publiciteti i parapriu edhe një intervistë e shkrimtarit Ismail Kadare me gazetaren e njohur, Eni Vasili, për emisionin e saj, “Studio e hapur” në TV NEWS24, ku ishin të ftuar; avokati i njohur Spartak Ngjela, politologu dhe publicisti, Dr. Afrim Krasniqi, ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Prof. dr. Nevila Nika, si dhe analisti i njohur e njëkohësisht, botuesi i librit, Henri Çili. Po kështu pata disa ftesa të ndryshme nga mjaft kolegë të mi gazetarë nga media të ndryshme, të cilëve për shkak të angazhimit tim në televizionin ku punoj, nuk pata asnjë mundësi t’iu përgjigjesha. Dhe gjej rast t’i falënderoj ata duke kërkuar dhe mirëkuptimin e tyre.

-A keni patur ndihmë, konkretisht nga persona të Arkivit Qendror të Shtetit, pasi ka edhe gazetarë e studiues të tjerë që i janë atashuar arkivave, po me këto tema dhe këto dokumente të periudhës së regjimit komunist, por nuk kemi parë të dalin dokumente të reja lidhur me Kadarenë. Ndërsa ju, vini me një libër voluminoz…?!

D.K. Si çdo punë tjetër, edhe puna me arkivat ka sekretet apo të veçantat e saj. Është e vërtetë dhe dihet tashmë se në arkiva ka edhe gazetarë të tjerë që punojnë dhe kërkojnë dokumente vazhdimisht, për tema nga më të ndryshmet. Dhe lidhur me pyetjen që ju shtruat, u takon atyre ndoshta të përgjigjen, se përse nuk i kanë gjetur apo ajo dokumentet në fjalë. Por meqë më pyetët, përgjigjja është shumë e thjeshtë: Kushdo t’i kishte kërkuar, do t’i shërbeheshin këto dokumente që më janë shërbyer mua dhe që pasqyrohen në këtë libër. Mjafton të dish të lexosh, se për të plotësuar formularët apo gjithë ndihmën tjetër që ka të bëjë me asistencën e nevojshme orientuese për kërkimin e dokumenteve, të jepet në maksimum dhe në mënyrën më shembullore të mundshme nga personeli i arkivit. Asnjë gjë tjetër të fshehtë, nuk ka në këtë mes. Në këtë kuadër, gjej rastin të falënderoj për shërbimin tejet korrekt dhe të kulturuar që nga arkivisti, Altin Kokoli,  shefi i fondit të arkivit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Pashk Alia, drejtori, Gjet Ndoj, si dhe gjithë punonjësve të tjerë që më kanë shërbyer aty. Pasi pa punën dhe dashamirësinë e tyre, nuk do ishte bërë e mundur botimi i “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”.

-Pse “Kadare në Pallatin e Ëndrrave”, çfarë nënkupton, janë dokumente të papublikuara?

D.K.  Jo, titulli i librit nuk nënkupton vetëm faktin se këto janë dokumente të papublikuara, kjo është njëra anë.  Por me që jemi te kjo pikë, dua t’ju sqaroj se vetëm tre – katër dokumente janë të publikuara më parë, dhe ndonjë prej tyre pjesërisht. Por ne i kemi përfshirë në këtë libër, edhe për faktin se ato janë pjesë e një linje, apo hallka të një zinxhiri po themi, nga ku kanë kaluar problemet e peripecitë e shkrimtarit Ismail Kadare, por për këtë, ndoshta do të flasim në vijim të kësaj interviste dhe kthehemi te filli i pyetjes suaj. Titulli i librit është zgjedhur nga ana jonë, për dy arsye. E para se: me përjashtim të katër a pesë dokumenteve që janë pjesë e fondit të Arkivit të Ministrisë së Punëve Brendshme, të gjithë dokumentet e tjera, janë marrë nga fondi i arkivit të Komitetit Qendror të PPSH-së, fond i cili ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Dhe e dyta; se të gjitha këto dokumente, pa përjashtim, kanë të bëjnë ekskluzivisht me shkrimtarin Ismail Kadare, si nga ana profesionit si shkrimtar, ashtu dhe nga jeta familjare e shoqërore. Pra në këtë kontekst, ka një pjesë shumë të madhe dokumentesh ku bëhet fjalë vetëm për shkrimtarin Ismail Kadare, ndërsa pjesa tjetër e dokumenteve,  ku flitet edhe për të.  Dhe nisur nga ky fakt, do të shohim se kemi të bëjmë me një shkrimtar, ku pothuaj e gjithë jeta dhe veprimtaria e tij, gjendet e pasqyruar në dokumentet e Komitetit Qendror të PPSH-së, apo “Pallatit të Ëndrrave” siç e linte të nënkuptohej në mes rreshtave Kadare në veprat e tij, kryesisht te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” që në fillimin e viteve ’70-të. Pra, që në atë kohë, ndërsa  Kadare aludonte se ishte “Komiteti Qendror i PPSH-së, “Pallati i Ëndrrave”, që kontrollonte gjithë jetën dhe ëndrrat e shqiptarëve, pa e ditur as vetë, se pikërisht tek ai “Pallat”, ndodheshin të ndryra edhe ëndrrat e fati i jetës së tij?!

-Ndryshe nga libri i parë, me 32 dokumente denoncuese, ky libër është më voluminoz, çfarë periudhash përfshin, pse e nisni me një dokument të firmosur nga Liri Belishova për Kadarenë?

D.K. Po vërtet, libri është voluminoz dhe formati gjithashtu është përzgjedhur nga botuesi (UET PRESS), nisur nga një kolanë librash historikë apo me përmbajtje dokumentare që ka botuar së fundi. Dokumentet që publikohen në këtë libër, përfshijnë një periudhë kohore prej plot 32 vjetësh. Pra, ato fillojnë në vitin 1958, kur sekretarja e Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe njëherazi anëtare e Byrosë Politike, Liri Belishova, ka miratuar dhe firmosur kërkesën, apo më saktë propozimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që studenti Ismail Kadare, të shkonte me studime në Moskë, pranë Institutit “Gorki”. (Bashkë me Ismailin, aty është dhe Sterjo Spasse, shkrimtar i njohur shqiptar me origjinë sllavo-maqedonase). Nuk mund të them nëse është ky dokumenti i parë në arkivat shqiptare ku gjendet emri Ismail Kadaresë, por nga kërkimet që kam bërë unë në atë arkiv, ky është dokumenti i parë që përmendet emri i tij dhe me këtë fillon libri.

-Si u përgjigjet akuzave ky botim që i janë bërë vazhdimisht Kadaresë se ka qenë konformist me regjimin?

D.K. Kjo është një pyetje retorike që unë nuk dua të ndalem shumë, pasi mendoj se më mirë se kushdo përgjigjen kësaj ia japin vetë këto dokumente që publikohen në këtë libër voluminoz. Por natyrisht, që edhe unë kam opinionin tim lidhur me këtë pyetje që bëhet dhe vazhdon të bëhet për shkrimtarin Ismail Kadare, që nga rënia e regjimit komunist e deri më sot, por siç thashë, preferoj të flas vetëm me gjuhën e dokumenteve. Çdo njeri i nxjerr vetë konkluzionet lidhur me këtë pyetje që bëhet, pra a ka qenë apo jo, Kadare i konformuar me regjimin?! Duket se me personalitete të këtij rangu apo dhe më të lart, historia përsëritet në të njëjtën, mënyrë që nga kohët më të lashta. P.sh. në vitet ’30-të, pyetja që shtrohej kudo jo vetëm në rrethet intelektuale, ishte: A ka vërtet talent Lasgushi…?! Aq “problem” i shtruar për zgjidhje ishte kjo gjë, saqë Nonda Bulka, shkrimtari i njohur satirik, në një nga veprat e tij shprehet: “Sapo u ula te berberi, pyetja e parë që më bëri, ishte: ‘Si thoni ju zotëri, a ka talent Lasgushi”?!  Dhe koha ka treguar se këta personazhe apo personalitete, pak rëndësi ka emri si mund t’i quajmë, kanë pasur dhe kanë vlera të mëdha, pasi nuk do diskutoheshin e përfliteshin aq shumë, se ndryshe do ishin harruar. Në këtë kontekst, mendoj se është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet edhe shkrimtari Ismail Kadare. Por të flasësh për një fenomen të caktuar dhe ta analizosh atë, në rastin konkret për Kadarenë, minimalja është që të kesh informacionin e duhur për këtë gjë, që t’i japësh konkluzionet në fund. Lidhur me këtë, por jap dy tre shembuj: I pari ka të bëjë me qëndrimin e Kadaresë, lidhur me ngjarjet e 2 korrikut 1990. Që nga ajo kohë e në vazhdim, është thënë, shkruar dhe stërshkruar, se në ngjarjet e korrikut të vitit 1990, apo siç njihen ndryshe; ‘ngjarjet e ambasadave’, Kadare na qenka prononcuar, duke i etiketuar ata që hynë në ambasada, si “Jashtëqitja e kombit”. Dhe ketë gjë në një farë mënyre e kemi besuar të gjithë…?! Po si qëndron e vërteta?! Nuk po ndalemi dhe të përsërisim ato që ka thënë vetë Kadare, publikisht në intervista të ndryshme, i cili e ka hedhur poshtë me neveri këtë gjë, duke e konsideruar shpifje të ndyrë të bërë nga Sigurimi i Shtetit të asaj kohe, por po i referohemi vetëm dokumenteve arkivore.  Të cilat flasin komplet të kundërtën e kësaj. Pra, që Kadare jo vetëm që nuk i ka quajtur ata që u futën në ambasada, ashtu siç është përfolur (“jashtëqitja e kombit”), por ai i ka marrë në mbrojtje ata, dhe për këtë fakt, Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike në mbledhjen e datës 20 korrik 1990, flet me gjuhë të ashpër dhe e akuzon direkt Kadarenë, duke thënë: “Ismail Kadare të prononcohet dhe të mbajë qëndrim, ndryshe është në anën e armikut”. Madje me akuza dhe aludime shumë e shumë të rënda për të. Por nuk po ndalemi te kjo gjë, për arsye se këto do t’i shikojmë në dokumentin përkatës në faqet e këtij libri, dokument të cilin e kemi publikuar edhe në shtypin e shkruar në disa të përditshme para disa muajsh, kur kemi njoftuar apo anonçuar se do botohej ky libër që kemi në dorë. Por nuk qëndron e keqja vetëm te fakti se Kadareja është akuzuar për një gjë që nuk e ka shprehur kurrë, kjo është gjysma e së keqes. Pasi e keqja më e madhe, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, qëndron në faktin, se edhe pas publikimit të këtij dokumenti, mjaft njerëz, madje persona publikë, njerëz të letrave dhe opinionbërës në media, figura të skenës, ekranit e studiove të televizioneve ku merret në analizë, politika, historia etj. etj., jo vetëm e konfirmojnë, por dhe e propagandojnë atë shpifje që i është bërë Kadaresë që prej 26 vitesh të shkuara. Shembulli i dytë që po ju jap, (gjithnjë në bazë të dokumenteve arkivore), ka të bëjë me shkrimet që u bënë në vitin 1989-1990 nga disa intelektualë të njohur, si Ylli Popa, Ismail Kadare, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Neshat Tozaj, Besnik Mustafaj, e ndonjë tjetër, në gazetat e asaj kohe, si “Zëri i Rinisë”, “Drita”, Bashkimi”, “Zëri i popullit” etj. Që nga ajo kohë e deri më sot, është thënë e shkruar, se ato shkrime kanë qenë të porositura nga partia në pushtet, apo segmente të caktuara të drejtuesve të lartë partiakë e shtetërore të asaj kohe. Po si qëndron e vërteta?! Dokumentet thonë të kundërtën, madje jo vetëm kaq, por në mbledhjen e Byrosë Politike të dhjetorit të vitit 1990, kur situata politike-ekonomike po iu rrëshqiste nga duart, Xhelil Gjoni, gjen kohë dhe rastin t’i kundërvihet ashpër dhe duke i kërkuar llogari Foto Çamit, duke i thënë: “Përse u lejuan artikujt e mbrapshtë të Ismail Kadaresë, Sali Berishës, Ylli Popës etj”?! Edhe ky dokument që pasqyrohet në faqet e këtij libri, është i botuar nga ana jonë para dy-tre muajsh, gjithnjë në kuadrin e publicitetit dhe anonçimit që kemi dashur të bëjmë për librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”. Dhe meqë jemi në këtë pikë, që është dhe më delikatja dhe më e përfolura ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, pra që ai paska qenë jo vetëm ‘konformist me regjimin’, por edhe ‘shumë i privilegjuar’, shkurt po jap dhe një shembull të tretë. Ajo që ka të bëjë me faktin se: “Kadare ka pasur autoveturë në atë kohë”?! Nuk po ndalem të shpjegoj arsyen se përse i është dhënë autoveturë në atë kohë Kadaresë, pasi ajo gjë bëhet e ditur saktë e qartë në një dokument të publikuar në faqet e këtij libri, por desha të them se kjo akuzë, është mjaft banale dhe qesharake gjithashtu. Për brezin tonë që e ka jetuar atë periudhë kohe, dihet mirë se autovetura kanë pasur në përdorim, jo vetëm deri te rangu i kryetarëve të kooperativave bujqësore, por deri në nivel përgjegjës sektori të këtyre kooperativave, të rretheve më të humbura të vendit?!  Dhe shembuj të tillë për Kadarenë, ka plot, por nuk po ndalemi më gjatë, pasi janë pjesë e dokumenteve që publikohen në këtë libër. Siç thashë në krye të përgjigjes së kësaj pyetjeje, në këtë libër nuk kemi tentuar fare të bëjmë analiza lidhur me atë që a ka qenë apo jo Kadare i konformuar me regjimin komunist të para viteve ’90-të?! Nga ata që janë marrë me ‘fenomenin Kadare’ në këndvështrimin tim, më mirë dhe më saktë e ka analizuar dhe sqaruar këtë gjë, Prof. Dr. Shaban Sinani, kryesisht te libri i dytë i tij “Një dosje për Kadarenë”, botuar në vitin 2002. Dhe kushdo ma ka bërë këtë pyetje, ia kam sugjeruar dhe i sugjeroj përsëri që aty mund ta marrin një përgjigje të saktë rreth saj.

-Por natyrisht edhe ju keni opinionin tuaj nga sa u shprehët më lart, gjithnjë duke u mbështetur te dokumentet që mund të keni parë, nëse….?!

D.K. Patjetër që kam opinionin tim lidhur me këtë gjë. Enver Hoxha nuk mund ta godiste dot Kadarenë, pasi ai u bë shkrimtar i njohur dhe i kërkuar jo vetëm në Francë, por edhe në vende të ndryshme të botës. Dhe nisur ky fakt, goditja ndaj Kadaresë do shkaktonte një zhurmë të madhe në këto vende, gjë e cila do t’i sillte Enverit jo pak kokëçarje në opinionin botëror, pikërisht aty ku ai mundohej të ruante fytyrën e tij. Dhe këtë po jua  ilustroj me një shembull. Në Arkivin Qendror të Shtetit, ndodhen tre-katër letra, që kanë ardhur në adresë të Enver Hoxhës, në mesin e viteve’60-të, ku degë të veçanta të Amnesty International, nga Suedia dhe Zvicra, i kërkojnë personalisht Enverit, të dhëna se ku ndodhet Musine Kokalari, duke e konsideruar atë si një nga tre të dënuarat e ndërgjegjes, më të njohura në botë, që ndodheshin asokohe në burg. Edhe pse ato letra ishin shkruar me mjaft dashamirësi dhe humanizëm, Enver Hoxha ka vënë aty shënimin: “Të mos i kthehet përgjigje”. Pra, kur për Musine Kokalarin, një intelektuale pothuaj e panjohur në atë kohë, e cila vuante dënimin me burg që nga viti 1947, kur ishte dënuar me Grupin e Deputetëve, bëhej aq zhurmë, çfarë do të ndodhte në rast se do dënohej shkrimtari Ismail Kadare që ishte shumë i njohur?! Pra me pak fjalë, në këndvështrimin tim, fenomeni Kadare, përbënte një ‘pudër’ në fytyrën e Enver Hoxhës, për t’iu dukur ajo e bardhë, para Perëndimit?!

-Nga sa kemi parë në përmbajtjen e librit, ka disa dokumente ku Kadareja lavdërohet apo vlerësohet nga udhëheqja e lartë…?!

D.K.  Mjaft me vend ky konstatim dhe gjej rastin të sqaroj; Jo disa, por ka shumë dokumente ku lavdërohet Kadareja, madje që nga Enver Hoxha, Ramia Alia etj. Kjo është më se normale dhe përbën një realitet të asaj kohe ku ai ka jetuar e punuar, pasi në libër, apo më saktë në lëndën që ka ky vëllim, nuk ka fare përzgjedhje dhe seleksionime. Pra aty janë publikuar të gjitha ato dokumente ku flitet apo përmendet shkrimtari Ismail Kadare. Dhe kjo gjë pasqyrohet edhe në titullin e librit, “Kadare në dokumentet….”, që do të thotë se aty nuk ka seleksionime dokumentesh. Dhe ky është dhe gjithë qëllimi i botimit të këtij libri, pra që jeta, puna profesioni dhe e kaluara e Kadaresë, të njihet dhe vlerësohet nëpërmjet dokumenteve dhe jo në bazë opinionesh, shpesh dashakeqe, e thashethemesh të qëllimta me synime të caktuara, që jo pak herë kanë tentuar t’ia errësojnë figurën dhe emrin e tij. Dhe po të kemi parasysh faktin, që në dokumentet e regjimit të shkuar nuk mungonte të shënohej asgjë, padyshim që kjo përbën dhe anën pozitive të këtyre dokumenteve, kuptohet për sot.

  -Ndonëse keni deklaruar nga libri i parë se dokumentit  nuk i është lëvizur asnjë presje, dhe se Kadare nuk ka preferuar t’i shohë ato para botimit, sërish jemi me të njëjtën pyetje se si janë paraqitur dokumentet në librin e dytë?

D.K. Ashtu siç kam theksuar dhe keni parë te libri i parë, “Kadare i denoncuar”, edhe te ky libër, është operuar me të njëjtën gjë. Pra çdo gjë, në rastin konkret dokumentet arkivore, janë paraqitur ashtu sikur ndodhen në arkiv, pa asnjë retushim, pa fshehur asgjë dhe pa mbuluar asnjë emër. Këtë gjë e kemi sanksionuar si kusht që në librin e parë me botuesin e UET Press. Ka vetëm një përjashtim. Në një dokument, kemi dhënë me iniciale tre shkrimtarë dhe ky fakt përjashtimor, vërteton rregullin. Por kjo, edhe për faktin se në atë dokument, ata nuk kanë asnjë ndikim me objektin kryesor të librit, shkrimtarin Ismail Kadare, pra nuk e kanë denoncuar, raportuar, relatuar, spiunuar, denoncuar etj. etj. Po ashtu si dhe te libri i parë, jo vetëm Kadareja që nuk i ka parë dokumentet, por në mënyrë absolute, nuk ka dijeni asnjeri tjetër se çfarë  përmbajnë ato dokumente?!

-Rasti i Bilal Xhaferrit me sa kemi parë draftin e këtij libri rimerret, por me fakte të tjera ku pak a shumë tregohet se ai ishte i nxitur nga xhelozët e Kadaresë. A ka emra konkretë?

D.K. Lidhur me Bilal Xhaferrin, në këtë libër kemi ribotuar dy dokumente nga libri i parë, “Kadare i denoncuar”. Kjo gjë, pasi në këtë libër kemi ribotuar edhe 10 dokumente  të tjera nga libri i parë, gjë e cila erdhi pasi nuk vendosëm ribotimin e librit, “Kadare i denoncuar”, por disa nga dokumentet më të rëndësishme të tij, ramë dakord me botuesin e UET PRESS, që t’i përfshijmë këtu. Dhe kjo u bë, jo se nuk kishim 101 dokumente të reja për Kadarenë, madje kemi shumë më tepër, por vendosëm që ato 10 dokumente, t’i përfshijmë edhe në librin e dytë, për të ruajtur një linjë, në kuptimin logjik të ngjarjeve dhe goditjeve të herëpashershme, që Kadaresë i janë bërë nga ai regjim. Pra me pak fjalë, këto dhjetë dokumente kanë qenë dhe mbeten hallka të një zinxhiri apo filli të gjatë nga ku ka kaluar apo mbijetuar shkrimtari Ismail Kadare në vitet e diktaturës komuniste, ku ka dhe pjesën më të madhe të procesit të tij krijues. Përveç atyre dokumenteve që janë te libri i parë, për Bilal Xhaferrin, pak flitet te ky libër. Dhe jo në dokumente, por tek intervista e shkrimtarit Ismail Kadare, dhënë gazetarit të njohur, Ferdinand Dervishi, intervistë e cila është e njohur pjesërisht, pasi ajo është bërë në kuadrin e dokumentarit “Kadare i denoncuar” të realizuar nga gazetari në fjalë dhe ABCnews, në nëntorin e vitit të kaluar, në emisionin ABC STORY, direkt pas botimit të “Kadare i denoncuar”. Në këtë intervistë, Kadare ka folur edhe lidhur me marrëdhëniet e tija me Bilal Xhaferin, si dhe atë që mund të quhet ‘incidenti’ midis tyre, në vitin 1968, me rastin e diskutimit krijues për romanin “Dasma’ të Kadaresë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ndërsa lidhur me atë që shprehët se Bilal Xhaferri ka qenë i nxitur nga të tjerë për sulmin ndaj Kadaresë, ajo është përmendur nga unë, në një intervistë prej 25 minutash, apo më saktë një emisioni special, që u transmetua para pak ditësh, (datë 30 tetor 2016) nga kanali i parë i Televizionit Kombëtar të Kanadasë, OMN 1, seksioni shqip, programi “Pasqyra shqiptare”, i cili drejtohet prej 20 vjetësh nga gazetari e producenti, Ilir Lena. Këtu kam përmendur atë që Bilal Xhaferri, mund të ketë qenë i nxitur nga të tjerë, në sulmin ndaj Kadaresë, Pra është vetëm një opinion, apo më saktë një konkluzion i nxjerrë nga unë, gjithnjë i mbështetur nga dokumente arkivore.

– Cila ka qenë periudha sipas dokumenteve që e kanë rënduar më shumë ekzistencën e shkrimtarit?

D.K. Dokumente specifike që të dëshmojnë se ka pasur një plan për arrestimin e Kadaresë nuk ka. Por për hir të së vërtetës, nisur dhe nga dokumentet që publikohen në këtë libër, Kadare ka qenë disa herë afër dënimit po themi, në rastin më të mirë, dhe arrestimit në rastin më të keq. Po të shikojmë vetëm dokumente e vitit 1973, apo më saktë të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, nuk ka raport, relacion, informacion etj. etj., ku nuk përmendet Kadare. Dhe te të gjitha këto akuzat janë nga më të rëndat, ku fjala armik para emrit të tij, është vënë disa herë.  Dhe as më shumë e as më pak, pas Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, Kadareja ka qenë më i sulmuari. Madje duke e bërë bashkëpunëtor të ngushtë të Paçramit dhe këto akuza nuk i kanë ardhur vetëm nga instancat partiake e shtetërore, por dhe nga individë të ndryshëm e nga rrethe të ndryshme që nuk kishin asnjë lidhje me të, por thjesht lexues të veprës së tij. Dhe për të gjithë brezin tonë që e kemi jetuar atë kohë, kurrsesi nuk mund të akuzohej njeri, aq më shumë Kadareja, shkrimtar i njohur, pa lejen apo më saktë nxitjen e organeve kompetente, konkretisht atyre partiake e shtetërore. Po kështu, Kadareja është rrezikuar shumë në vitin 1975, pas botimit të poemës së tij “Pashallarët e kuq”, ku Enver Hoxha u tërbua fare, jo vetëm ndaj Kadaresë si autor i asaj poeme, por dhe ndaj Ramiz Alisë, që e kishte pëlqyer atë poezi. Kjo gjë tashmë është e njohur edhe nga publikimi  ditarit personal të Enver Hoxhës, letrës së Mehmet Shehut, për ta falur Kadarenë, si dhe intervistës që na ka dhënë Kadare, me rastin e botimit të ditarit të Enver Hoxhës. Gjëra të cilat janë publikuar edhe në këtë libër që kemi në dorë. Tjetër rast kur ka qenë rrezikuar Kadare, apo më saktë e ka pasur punën më keq se kurrë, ka qenë fillimi i vitit 1982, pas ngjarjes së Mehmet Shehut. Në atë kohë, Sigurimi i Shtetit, apo segmente të caktuara të tij, e implikuan Kadarenë me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut, i kryesuar nga Mehmet Shehu”. Kjo gjë duket dhe nga proces-verbali i hetuesisë së Llambi Ziçishtit, ish-ministri i Shëndetësisë, që u arrestua dhe u pushkatua, me akuzën se kishte dashur të helmonte Enver Hoxhën. Në atë proces-hetimor, Ziçishti, implikon edhe Kadarenë, duke thënë se ai ishte rekrutuar prej kohësh nga Mehmet Shehu…?!  Por në përfundim të atij procesi, fashikulli me akuzat e Ziçishtit ndaj Kadaresë, nuk ka shkuar në gjyq, por iu dhanë Sigurimit të Shteti, për ndjekje të mëtejshme operative. Apo më saktë siç njihet në termin juridik, për plotësim të dosjes me prova të tjera rënduese të personit të akuzuar, në rastin konkret të Kadaresë. Kjo gjë bëhet e ditur, ndonëse jo publikisht, nga një prej hetuesve të procesit hetimor të Ziçishtit, i cili gjithashtu ka pohuar se Ziçishti vetëm sa i ka lexuar akuzat ndaj Kadaresë që ndodhen në dosjen e tij hetimore, pasi ato kanë qenë të shkruara nga Sigurimi i Shtetit. Pra, Sigurimi ka dashur ta arrestonte Kadarenë, por ajo gjë nuk ndodhi, pasi nuk është miratuar nga lart, d.m.th nga Enveri. Gjë e cila është shpjeguar nga vetë Kadare, ku midis të tjerash është shprehur: “Enveri më ka shpëtuar nga vetvetja, pra nga Enveri”.

Please follow and like us: