Albspirit

Media/News/Publishing

Komiteti i Jashtëm shqyrton draft- rezolutën e Fleckenstein, ja çfarë do të ndodhë me Shqipërinë!

Nga Arta Tozaj- Bruksel

Komiteti i Jashtëm shqyrton sot pasdite në Bruksel draft-rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, të përpiluar nga raportuesi Knut Fleckenstein. Ky draft pritet të pësojë ndryshime. Përveç përfaqësuesve të së të majtës e të djathës në PE, liberalëve, konservatorëve dhe të gjelbërve (të fundit kanë merak ndërtimet mbi Vjosë), komentet priten edhe nga ekstremistët, që zakonisht shprehen kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por dhe eurodeputetë të veçantë grekë, të pakënaqur nga deklaratat e kryeministrit Rama në intervistën e dhënë për transmetuesin publik helen, pak ditë më parë.
Eurodeputetët kanë afat deri më 10 janar 2017 për të dorëzuar amendamentet e tyre dhe draft-rezoluta për Shqipërinë pritet të debatohet në fund të muajit janar në Komitet dhe të miratohet nga PE gjatë seancës plenare të muajit Shkurt.

Krahas njohjes së progresit të qëndrueshëm në procesin e anëtarësimit drejt BE-së, raportuesi Fleckenstein thekson edhe rëndësinë për një dialog konstruktiv politik, “zbatimin e plotë dhe në kohë” të reformave integruese, në veçanti për paketën e drejtësisë, por dhe përmbylljen e reformës elektorale, përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 2017, duke kujtuar, në këtë kuadër, rëndësinë e transparencës së financave të partive poilitike.

Më poshtë po sjellim disa nga pikat kryesore të draft- rezolutës së PE-së.

Negociatat
Mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bën thirrje për hapjen e negociatave të anëtarësimit sapo të ketë progres të besueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në mënyrë që të ruhet vrulli i reformave; si dhe pret që Shqipëria të konsolidojë progresin e arritur dhe të ruajë ritmin e përparimit në zbatimin e të gjitha prioriteteve kyçe”, thuhet në rekomandim.

Dialogu politik
Rithekson se një dialog konstruktiv, bashkëpunim i qëndrueshëm politik dhe gatishmëria për kompromis është vendimtare për suksesin e reformave dhe për të gjithë procesin e anëtarësimit në BE.
Gjyqësori
Përsërit se një reformë gjithëpërfshirëse e gjyqësorit është një kërkesë madhore e qytetarëve të Shqipërisë për të rikthyer besimin tek përfaqësuesit politik dhe të institucioneve publike, dhe se kredibiliteti e efektiviteti i procesit të reformave në tërësi, duke përfshirë edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, varet nga suksesi i procesit të verifikimit (veting) dhe reformës në drejtësi.
Mirëpret strategjinë e re të reformës në drejtësi 2017-2020 dhe planin e veprimit, si dhe rritjen e mjeteve buxhetore për zbatimin; bën thirrje për trajtimin e mëtejshëm të mangësive në funksionimin e sistemit gjyqësor, duke përfshirë mungesën e pavarësisë nga degë të tjera të pushtetit, drejtësinë selektive, llogaridhënien e kufizuar dhe mekanizmat joefikase të kontrollit, korrupsionin, kohëzgjatjen e përgjithshme të procedurave gjyqësore dhe zbatimit.

Reforma zgjedhore
Bën thirrje ndaj Komisionit Ad-Hoc Parlamentar për Reformën Zgjedhore për të përfunduar rishikimin e kodit zgjedhor duke adresuar të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE / ODIHR-it; Bën thirrje ndaj autoriteteve kompetente për të siguruar zbatimin e duhur në kohë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit 2017; Kujton se të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare; I bën thirrje partive politike të Shqipërisë për të respektuar ligjin për përjashtimin e autorëve të veprave penale nga postet publike, në frymë dhe në letër, kur të përcaktojnë kandidatët e listave të tyre.

Korrupsioni
Përshëndet miratimin e pjesëve kryesore të legjislacionit anti-korrupsion, duke përfshirë mbi mbrojtjen e informatorëve. Megjithatë, është i shqetësuar se institucionet ky[e për anti-korrupsion vazhdojnë të jenë subjekt i ndërhyrjeve politike dhe kanë kapacitete të kufizuara administrative. Thekson nevojën për një kuadër më të përshtatshëm ligjor për konfliktet e interesit, rregullimin e lobimit dhe të bashkëpunimit më të mirë ndër-institucional, sidomos mes policisë dhe shërbimeve të prokurimit në mënyrë që të përmirësojë historikun e dëshmive për hetime, ndjekje dhe dënime, edhe në rastet e nivelit të lartë; Zgjedhjet e ardhshme parlamentare shtyjnë për krijimin e mbikëqyrjes efektive të financimit të partive politike.

Krimi i Organizuar
Mirëpret zbatimin e vazhdueshëm të strategjisë dhe planit të veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor; mirëpret operacionet e fundit kundër plantacioneve të drogës; kërkon edhe çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe rritjen e numrit të dënimeve përfundimtare në rastet e krimit të organizuar, përmes rritjes së bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë dhe duke forcuar kapacitetet institucionale dhe operacionale; nënvizon nevojën për të rritur parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore, veçanërisht në lidhje me fëmijët e pashoqëruar dhe fëmijë viktima të trafikimit.

Media
Rithekson rëndësinë kritike për media profesionale dhe të pavarur në shërbimin publik dhe privat; është i shqetësuar për ndikimet politike në media dhe vetë-censurën e gjithëpërhapur  mes gazetarëve; vë në dukje zbatimin e ngadalshëm të ligjit për mediat audiovizuale dhe vonesat në plotësimin e vendeve të AMAs; bën thirrje për masa për të rritur standardet etike e profesionale dhe bashkësinë e kontratave të rregullta të punës së gazetarëve, për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik;

Pronat
Bën thirrje për të përfunduar procesin e regjistrimit të pronës, kthimit dhe kompensimit dhe për të zbatuar në mënyrë efektive strategjinë 2012-2020 për të drejtat e pronësisë.

Ekonomia
Mirëpret përmirësimin e konsolidimit fiskal, rezultatet më të mira për të bërë biznes dhe përpjekjet për të luftuar ekonominë informale. Megjithatë,  vëren se ka ende mangësi në sundimin e ligjit dhe mjedisi i pavolitshëm rregullator pengon investimet; u kërkon autoriteteve kompetente të marrin masa për të përmirësuar zbatimin e kontratave, mbledhjen më të mirë të taksave, si dhe vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi, në mënyrë që të përmirësohet mjedisi për biznesin.

Ndërsa Kuvendit i kërkohet të miratojë Kodin e etikës dhe të forcojë kapacitetet e mbikqyrjes ndaj qeverisë. Parlamenti Europian, sipas draftit, do të shqyrtojë mundësitë, përmes programeve egzistuese për vendet e zgjerimit, për të ndihmuar kolegët shqiptarë, në këtë kuadër, për ushtrimin e rolit mbikqyrës dhe rritjen e cilësisë së legjislacionit. Vlerësohet përmirësimi i marrdhënies së institucioneve shtetërore me shoqërinë civile, por kërkohet rregullimi i kuadrit fiskal për organizatat jofitimprurëse. Toleranca fetare vendase konsiderohet “thelbësore për parandalimin e radikalizmit islamik” dhe luftën kundër terrorizmit. Drafti përsërit gjetjet e raportit të fundit të Komisionit për vendin në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, për administratën publike dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë për pronat, fëmijët dhe minoritetet, si dhe përsa i takon lirisë së medias./dritare.net

Please follow and like us: