Albspirit

Media/News/Publishing

Mall e mërzi.., Ernest Koliqi

Ernest Koliqi, Mall e mërzi

N’kopsht’ mbas shpís prân njâj tryeze
po fladitem ndêj’ n’vetmí,
tue përsjellun, me ‘i grim’ meze,
freskue n’pus nji pik’ raki.

Sylarushen e syzezen
s’i dishroj me i pas’ n’shoqni:
sýt e tyne aní le t’ndezen
për ndoj tjetër n’dashuní.

M’la dashnija e u vok díshiri,
prenduen stin’t plot farfurí:
nuk m’ka mbetun veç putiri
me largue mall e mërzi.

Djathë e presh, buk’ kallamoqe:
meze e mir’ për terjaqi…
Kjo rakija aman sa shoqe
ngushulluese âsht në zymní.

Rrshet mbi bar nji rreze hâne,
lehtas gjetht dridhen n’puhí;
me zâ t’mârrun nji qemâne
âmbël fshân diku n’kojshi.

Shum kërkova e s’mund e gjeta
kurrkund n’bot’ t’bardhen lumní:
s’u kujtove, ti Ernest-shkreta,
se e ke pas’ mbrend’ n’avulli?

N’avulli t’nji shpis shkodrâne,
n’kopshtin t’and tue pí rakí,
me shpirt t’knaqun m’sa ‘i qemâne
âmbël fshânte n’largësi…

Kujtim i nji mbrâmjeje shkodrane, kushtue mikut Karl Gurakuqi
Romë, 12 Korrik 1960

Please follow and like us: