Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: KËNGA

Tregim

Përherë e më shkenga-kadarepesh, ai ëndërronte vetëm një gjë: t’i ngrinin një këngë. Një këngë që të mund ta dëgjonte kur të binte mbrëmja në mal dhe në qiell të kishte re.

Por kishin kaluar kaq vite dhe atij askush nuk po i ngrinte këngë. Vallë, asnjëherë, asnjeri nuk do të ngrejë një këngë për mua? mendonte, ndonëse ishte ende i ri dhe një pjesë të jetës e kishte përpara.
Ëndrra për një këngë i kishte lindur disa vjet më parë, ndërsa udhëtonte një natë vjeshte, i vetëm, midis maleve, për në bajrakun e tij. Në të katër horizontet, nata e shtonte lartësinë e frikshme të maleve dhe, tek ecte ashtu i vetëm, me pushkën në krah, atij nisi t’i dukej vetja i vogël nën peshën e errët të maleve të mëdha. Pikërisht atëherë, teksa e ndiente shpirtin të dërrmuar nga vogëlsia e tij, dëgjoi një këngë diku larg. Një zë i zvargur, i thekshëm, këndonte një këngë trimërie, diku në një kasolle, që e kishte mbuluar errësira. Era ndryshonte drejtimin e zërit dhe ai nuk e kuptonte dot se në ç’anë këndohej kjo këngë, gjersa ajo u shua dalëngadalë dhe mbeti diku, prapa maleve, më e pakapshme dhe më e përjetshme se malet vetë. Dhe, papritur, atij i lindi ëndrra e tij e madhe: të këndohej emri i tij në një këngë, në një këngë të zvargur, tronditëse, në gjirin e zi të natës.
Që atëherë kishin kaluar vite dhe jeta e tij kishte mbetur pa këngë. Është e vërtetë se këngët e reja në malësi ishin shumë të rralla, por, megjithatë, kishte të tilla, ashtu siç kishte edhe këngë për të gjallët. Vallë, asnjeri nuk do të ngrejë një këngë për mua? mendonte ai dhe ngrysej çdo ditë e më tepër.
Një ditë, në tregun e një qyteti të largët, vrau një njeri mu në mes të kafenesë. Ky njeri qe nga një familje, me të cilën fisi i tij ishte në gjak prej vitesh. Atij s’i binte të merrte gjakun, sepse fisi i tij ishte i madh dhe ai ishte më i largëti i njeriut që qe vrarë i fundit midis dy familjeve. Megjithatë, rrezikoi kokën dhe vrau gjakësin mu në mes të kafenesë së qytetit të largët. Por, edhe pas kësaj, askush nuk i ngriti këngë. Mbrëmjeve të errëta, ai priste më kot të dëgjonte këngën e tij. Mbrëmjet vinin e shkonin, të ftohta, të mërzitshme dhe memece.
Asnjëherë, asnjeri? mendonte i zbehtë, duke vështruar bashkëfshatarët e lodhur, që ktheheshin mbrëmjeve me nga një thes misër mbi shpinë nga vende të largëta. Domethënë, asnjëherë, asnjeri.
– Kënga kushton shtrenjtë, – i kishte thënë një ditë një plak i bajrakut të tij. – Mos lakmo për këngë, djalo, kënga lyp kokë.
S’më besohet, kishte thënë me vete, kaq shtrenjtë të paguhet një këngë? Por, edhe sikur të jetë ashtu…
Një natë rrëmbeu një vajzë nga një bajrak tjetër dhe u martua me të. Nuk e donte atë vajzë, por e rrëmbeu që emri i tij të dëgjohej kudo. Por kaluan javët e muajt e dimrit, me dëborë dhe erë, dhe ai i shkonte ditët me gruan e tij të re, që e kishte kuptuar se ai nuk e donte, dhe prapë këngë për të nuk kishte.
Ndoshta, kur të vijë pranvera, mendonte dhe në sy kishte një pikëllim të thellë. Në pranverë është më lehtë për të ngritur këngë.
Por pranvera erdhi dhe shkoi dhe në asnjë anë nuk u ndie ndonjë këngë për të. Ndoshta, në verë, mendoi më vonë. Atëherë netët do të jenë të ngrohta dhe njerëzit do të kenë më pak uri.
Por vera shkoi dhe sytë e tij u bënë më të thellë dhe më të ngrysur. Zogjtë, trumba-trumba, i braktisën bjeshkët dhe nga verilindja vinin vazhdimisht retë e ngarkuara me shi. Era vërshëllente mbi atë boshllëk të madh.

Një mbrëmje vjeshte, grumbullin e dasmorëve, që kishte marrë një nuse në një katundth të largët, e zuri shiu pranë një katundi të madh. Ndërsa po shpejtonin kuajt, ata panë të shtrirë përmbys një njeri ndanë udhës. Pushkën e kishte ende krahaqafë dhe shiu ia kishte qullur flokët dhe ia kishte shpëlarë gjakun e ngrirë. Një nga dasmorët e ktheu mbarë të vrarin, por asnjeri nuk e njohu. Dasmorët e lanë të vrarin në mes të udhës dhe nganë kuajt drejt katundit, ku duhej të kalonin natën. Në bujtinë, ndërsa po pinin raki, njëri prej tyre, një plak i thatë, ngriti një këngë me lahutë për një njeri të panjohur, të vrarë në mes të udhës, që dergjej në shi, përmbys.
Herët në mëngjes, dasmorët u nisën përsëri drejt grykave të maleve të larta, të mbuluara me re, duke marrë me vete këngën.

1967.

Please follow and like us: