Misteret e (vet)vrasjes së një sekretari Shteti

Motra Dorothy Turner po bënte xhirot e saj të fundit nëpër korridoret e pavijonit. Pacientët më të shumtë në “Qendrën Mjekësore Navale”, në spitalin e Marinës së SHBA-ve, në portat e Uashingtonit, po flinin tashmë.
Mirëpo, rreth orës 1:45, Turner dëgjoi dy zhurma të mbytura. “Sikur dikush nga të sëmurët të ishte rrëzuar nga krevati”, do të thoshte ajo më vonë gjatë hetimeve. Rënë, po – nga krevati, jo: Nga një dritare në katin e 16 të kullës, Turner pa poshtë në fund të ndërtesës një trup të pajetë të shtrirë në tokë, rënë me ç’dukej nga një lartësi e madhe. Rreth qafës, viktima kishte lidhur një rrip robdëshambri. “O Zot, – mendoi ajo me vete, shpresoj që të mos jetë një nga të mitë”. Identiteti i të vdekurit u bë shpejt i ditur. Personi ishte një pacient i pavijonit të neurologjisë. Por jo një i çfarëdoshëm: bëhej fjalë për James Vincent Forrestal – ministrin e parë të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Forrestal kishte dhënë dorëheqjen vetëm dy muaj më parë më 28 mars 1949 dhe, pastaj, papritur, ishte shtruar menjëherë në sanatorium për shkak të “lodhjes”. 65 vjet vonë, Forrestal tashmë nuk përbën më asgjë më shumë se sa një fusnotë: I harruar, i pavlerësuar, i mbuluar me pluhur. Aeroplanmbajtësja që mbante emrin e tij, është dërguar për skrap, karriera e Forrestal-it është hequr prej dekadash nga memoria e amerikanëve – dhe rrëzimi i tij misterioz nga dritarja ka mbetur ende i pasqaruar edhe sot e kësaj dite. Ishte vetëvrasje – apo vrasje? Dhe çfarë e lidhte këtë rast me atë të UFO-s së pretenduar, që u zbulua në 1947 në hapësirat e pamata të Nju Meksikos?
Një ministër paqeje
Fati i Forrestal-it i përket njërit prej atyre të mistereve më obskure të historisë moderne amerikane, pa arritur gjithsesi rangun e mitit, sikurse mund të ishte vrasja e ish-presidentit Kennedy. Por megjithatë, ai mbart me vete të gjithë elementet e një thrilleri të vërtetë: përfshirje interesash globale, karaktere të paskrupullt – dhe aromën e një konspiracioni të zyrave të larta të pushtetit. Statuja e tij në bronz, ngrihet stoike mbi një portë të Pentagonit, si një “nderim spontan ndaj arritjeve të tij të vazhdueshme”, siç shkruan historiani amerikan James Carroll në bestsellerin e tij kritik me titull: “Shtëpia e Luftës: Pentagoni dhe ngritja shkatërrimtare e pushtetit amerikan” (origj: “House of War: The Pentagon and the Disastrous Rise of American Poëer”). Mirëpo vetëm pak vetë e dinin në atë kohë se sa shumë e kishte ndikuar Forrestal superfuqinë e sotme ushtarake të SHBA-së. Sipas idesë së Harry Truman-it, Forrestal duhej të ishte një “ministër i paqes” tashmë. Në vitin 1947, presidenti amerikan e zhbëri zyrën e ministrit të Luftës dhe emëroi shefin e Marinës, Forrestal, si të parin sekretar Shteti të Mbrojtjes në historinë amerikane. Me shumë hezitim, ai u zhvendos kështu drejt Pentagonit, në atë kohë një ndërtesë thuajse e sapongritur, një bunker gjigant betoni në brigjet e lumit “Potomac”.
Njeri i çuditshëm
Forrestal, i biri i një emigranti irlandez, e kishte nisur karrierën e vet në “Wall Street”. Përvojat e tij ushtarake kufizoheshin në pak vite si pilot i Marinës gjatë Luftës së Parë. Por frontin ai nuk e pa më me sy. Presidenti Franklin Roosevelt e bëri Forrestal-in në vitin 1940 sekretar Shteti të Marinës, ndërsa në 1944-n, ai u bë ministër i Marinës. Një vit më vonë, ai mori pjesë në betejën legjendare të ishujve Ivozhima në Paqësor. Në fund të saj, gjashtë anëtarë të këmbësorisë së Marinës së SHBA-së, ngritën një flamur amerikan, i cili u bë shumë shpejt ikona e fotove të luftës të asaj kohe. Forrestal me këtë rast u irritua hapur: kur ai donte ta kishte në zyrën e vet atë flamur si suvenir, komandanti i batalionit u nevrikos aq shumë, saqë ai e imitoi edhe një herë atë skenë me flamur, për të ruajtur kështu origjinalin që ia kish kërkuar me ngulm eprori i vet më i lartë, në majë të Pentagonit. Forrestal kishte gëzuar gjithnjë namin e të veçantit. Bashkëkohësit e përshkruanin atë si një punëtor të palodhur, si një njeri me të cilin mund të ziheshe kollaj dhe si një individ “emocionalisht të paqëndrueshëm”. Por këto karakteristika të tij, i erdhën për shtat atij pikërisht kur Truman e emëroi atë në vitin 1947 si kreun e Pentagonit. Atje e prisnin sfida të mëdha: Forrestal duhej të demobilizonte aparatin ushtarak amerikan dhe njëkohësisht ta poziciononte atë përballë betejave e sfidave të reja të kohës – pasi kishte ardhur koha e Luftës së Ftohtë. Erdhën më pas goditje pas goditjesh për të: bllokada ajrore sovjetike mbi Berlin, Plani Marshall, konflikti në Palestinë, themelimi i NATO-s.
“Njeriu më i rrezikshëm i Amerikës”
Forrestal dhe Truman po përplaseshin mbi të gjitha mbi buxhetin ushtarak amerikan: ministri, një antikomunist i flaktë, kërkonte miliarda më shumë, se sa presidenti mund të ishte i gatshëm të nënshkruante. Gazetarë në zë u pozicionuan në anë të Truman-it. Ata ia nisën një fushate të hidhur e të paprinciptë kundër Forrestal-it, përhapën thashetheme mbi gjendjen e tij mendore, shpikën sëmundje misterioze, flisnin edhe për paaftësi në ushtrimin e detyrës. Forrestal, deklaroi dikur editorialisti i njohur amerikan, Drew Pearson, ishte “njeriu më i rrezikshëm i Amerikës”. Në vitin 1949, Truman e detyroi ministrin e tij të bezdisshëm, të jepte dorëheqjen. Një bisedë përfundimtare me rivalin e tij, shefin e forcave ajrore, Stuart Symington, duhet ta ketë irrituar aq shumë Forrestal-in, saqë ai duhet të ketë reaguar me një qëndrim të pakontrolluar në zyrën e tij të punës, ku është konsumuar edhe debati. Përmbajtja e bisedës në fjalë, nuk u bë kurrë e qartë për publikun. Pas kërcënimeve për vetëvrasje dhe mendimeve paranojake – dikush në Shtëpinë e Bardhë duhet të ketë menduar edhe heqjen qafe të tij – kishte pohuar Forrestal gjatë trajtimit neurologjik. Ai u dërgua në “Naval Medical Center”, ku iu nënshtrua ndër të tjera edhe një shok-terapie me insulinë.
Vdiq nga “kriza nervore”, apo u vra?
Pas vdekjes së tij, fjala “vetëvrasje” nuk u përmend në raportin përfundimtar të hetimeve. Gazeta “New York Times” megjithatë arriti në përfundimin se Forrestal ishte përpjekur të varte veten me rripin e robdëshambrit të vet në dritaren e dhomës së tij të spitalit. Shpejt u ndezën teori të ndryshme konspiracioni, të tilla si: Forrestal qenkësh vrarë – nga agjentët e KGB-së, nga agjentët e CIA-s, nga ata të Mossad-it. Edhe vëllai i Forrestal-it, Henry, besonte se ndaj tij ishte kryer vrasje. Shumë autorë librash shkruan për këtë rast. Të gjithë arrinin në përfundime të ndryshme e askush prej tyre nuk sillte me vete ndonjë motiv të besueshëm për aktin e kryer. Rrethanat e sakta të përjashtimit të tij nga puna (d.m.th. dorëheqjes së tij) si dhe të shtrimit në pavijonin psikiatrik (Spitalin e Marinës së SHBA) nuk u shpjeguan kurrë. Disa e krahasojnë vdekjen e Forrestal-it, me atë të ministrit të Jashtëm çekosllovak, Jan Masaryk, që kishte ndodhur vetëm një vit më parë. Masaryk në mars të vitit 1948 ishte gjetur i pajetë para dritares së tij të zyrës në Pragë. Rrethanat e sakta të vdekjes së tij nuk u sqaruan kurrë. Të tjerë shihnin paralele mes rastit të Frank Olson, një bashkëpunëtori të CIA-s dhe ekspertit për luftën biologjike, i cili vdiq në vitin 1953 pas rrëzimit nga një dritare hoteli në Nju Jork. Shpjegimi aventuror lidhet me një ngjarje të famshme në shkretëtirën e Nju Meksikos: atje, në korrik 1947, në afërsi të vendit të quajtur Roswell, një objekt fluturues misterioz ra nga qielli – një UFO, sipas legjendës. Deri sot e kësaj dite, vlojnë thashethemet se rasti në fjalë u mbulua me ngulm nga qeveria amerikane. Emri i Forrestal-it shfaqet në një listë, thuhet “të betuarish”. A mos u detyrua ai të ruante heshtjen nën kërcënim? Pentagoni në biografinë e tij zyrtare për të, rezervon fjalët: “Ai e la postin që mbante më 28 mars 1949”, dhe më pas vijon, “dhe vdiq pak më vonë se dy muaj në mënyrë tragjike”. Pas, Forrestal la një shënim me shkrim dore që ishin në vetvete vargje nga tragjedia e njohur e Sofokliut, ‘Ajaksi’, që u interpretua shumë shpejt si një testament vdekje. Por më pas, nuk zgjati më shumë se gjashtë muaj, derisa një hetim i brendshëm i administratës amerikane e nxori veprimin e Forrestal-it, të shkaktuar nga një “krizë nervore”.