Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta italo-greke 1940-1941 dhe të rënët grekë në Shqipëri

 

Nga Dr. Marenglen KASMI

 

Vendimi i Musolinit për fillimin e sulmit ndaj Greqisë në vjeshtën e vitit 1940, u mor thuajse spontanisht, pa u konsultuar mirë me gjeneralët e tij dhe bazohej më së shumti mbi shpërthimet e tij emocionale. Ndonëse një ide e kahershme, ai erdhi papritur për gjeneralët italianë, sepse ndërkohë kishin filluar përgatitjet për sulmin ndaj Jugosllavisë. Në shtator 1940, Mussolini mblodhi Komandën Supreme për ta informuar atë mbi zhvillimet e reja politiko-ushtarake. Gjeneralët e kuptuan nga mënyra se si Musolini e vlerësoi situatënse, ideja e një sulmi ndaj Jugosllavisë, nuk ishte më aktuale. Ndërhyrja e trupave italiane mund të bëhej vetëm nëse në Jugosllavi do të kishte trazira të brendshme, gjë që nuk vlerësohej se mund të ndodhte. Përveç kësaj, Komandanti i Komandës Supreme, mareshalli Badoglio, theksonte se ishte në interesin e Italisë dhe të Gjermanisë që, situata në Jugosllavi të mos ndryshonte. Jugosllavia furnizonte Fuqitë e Boshtit me minerale të shumta për industrinë.

Një aspekt tjetër tepër i rëndësishëm për t’u trajtuar është edhe takimi i Hitlerit me Musolinit më 4 tetor 1940 në Brenero. Një ditë pas takimit në Brenero, Musolini i shkruante Badoglios. “Sapo të kemi arritur në Marsa Matruh do të shikojmë se kush nga shtyllat e detit Mesdhe do të bjerë më parë. Ajo egjiptiane apo ajo greke“. Sigurisht që ky mendim nuk bazohej mbi rastësinë. Gjeneral Armelini i komentonte synimet e Musolinit pas takimit me Hitlerin si më poshtë: “Ringjallja e zbatimit të planit kundër Greqisë nuk ka më si pikësynim kryesor qëllimet irredentiste të Shqipërisë, por rrëzimin e një shtylle mbështetëse të Anglisë. Pra nuk ka të bëjë më me Çamërinë, por direkt me Selanikun dhe bazat greke të marinës, pra me komplet Greqinë“. Megjithatë, si shkak i fillimit të luftës ndaj Greqisë do të përdorej pikërisht irredentizmi shqiptar, vrasja nga policia greke e një shqiptari në Çamëri, Daut Hoxhës.

Vendimi për fillimin e sulmit ndaj Greqisë u mor më 15 tetor 1940. Në këtë takim, i cili u mbajt në frymën e pasaktësisë në fushën e informacionit, përgjegjës për të cilën ishte Ciano, dhe të vlerësimit gabim si të situatës së forcave italiane në Shqipëri, dhe aq më tepër të gjendjes politiko-ushtarake të shtetit grek, u vendos që sulmi ndaj Greqisë të fillonte më 26 tetor, pra pas 11 ditësh.

Dr. Marenglen KASMI

Dr. Marenglen KASMI

Për sa i përket çështjeve të trajtuara në takimin e 15 tetorit vjen në ndihmë proçesverbali i mbajtur gjatë këtij takimi. Që në fillim të fjalimit të hapjes së mbledhjes nga Musolini, shpaloset konfuzioni i madh i ideve, cektësia e argumenteve, që edhe për të vetët nuk ishin të qarta. Me të drejtë lind pyetja që, si është e mundur që urdhri për sulmin ndaj Greqisë u dha në një kohë kur dobësitë ushtarake të makinës ushtarake fashiste kishin dalë qartë qysh prej pushtimit të Shqipërisë, por edhe në luftën “e 100 orëve” ndaj Francës? Në këto luftime, ndonëse të propaganduara si suksese, dolën në pah mangësitë në aspektin organizativ, logjistik dhe atë të armatimit. Për më tepër që, lufta kundër Francës u krye në një terren malor, në Alpe, dhe Greqia do të sulmohej pikërisht nga malet e Shqipërisë. Kësisoj, nevojitej një analizë me “këmbë në tokë” e gjendjes dhe potencialit ushtarak italian. Në një kohë, në të cilën jo vetëm që nuk u reflektua nga përvoja e kaluar dhe ishte urdhëruar çmobilizimi i një pjese të konsiderueshme i ushtrisë, me probleme dhe kapacitete të kufizuara të industrisë ushtarake, që nuk merrte për bazë vlerësimin e kujdesshëm të kundërshtarit, por bazohej në informata të dyshimta të spiunëve të Çianos, u urdhërua sulmi ndaj Greqisë, dhe aq më tepër në një stinë, e cila nuk e favorizonte aspak luftën në terrene malore. I vetmi në takim që u shpreh paksa kundër ishte Mareshalli Badoglio, ndërhyrja e të cilit arriti që ta shtynte fillimin e sulmit edhe 2 ditë, pra më 28 tetor. Pra, kemi të bëjmë me një proçes vendimmarrjeje të mbizotëruar nga emocionet (Musolini), ambiciet personale (Ciano), papjekuria ushtarake (Prasca) dhe një mungesë informacioni mbi gjendjen aktuale të trupave.

Komandant i Përgjithshëm i operacionit ndaj Greqisë u caktua Visconti Prasca, i cili kishte nën komandë rreth 140.000 burra, të ndarë në tre grupime, Grupimi i Epirit, i Pindit dhe ai i Korçës. Në të gdhirë të 28 tetorit 1940, rreth orës 03.00 të mëngjesit, ambasadori italian në Athinë i dorëzoi kryeministrit grek një ultimatum, i cili nuk linte kohë për përgjigje. Ndër të tjera, në të kërkohej edhe dorëzimi i menjëhershëm i disa pikave strategjike greke. Kur Metaksai pyeti se cilat ishin këto pika strategjike, ambasadori italian nuk ishte në gjendje të përgjigjej. Pa pritur të mbaronte ultimatumi, pra në orën 06.00 të mëngjesit, në orën 05.30 trupat italiane kaluan kufirin shqiptaro-grek.

 

Zhvillimet luftarake tetor 1940 – mars 1941

Agresioni italian nuk përbënte ndonjë surprizë për Greqinë. Në fakt, nuk ishte e vështirë për të kuptuar qëllimet e qeverisë italiane, sepse incidentet e provokuar prej saj ishin të shumta. Ndonëse plani i sulmit ndaj Greqisë ishte një lajm i klasifikuar, pala greke dispononte informata të mjaftueshme mbi këtë plan. Në datën 23 tetor, pra vetëm tetë ditë para fillimit të sulmit, ambasadori grek në Romë njoftoi qeverinë e tij se nga data 25-28 tetor mund të ndodhte sulmi i pritshëm.

Në vitin 1939 ushtria greke përbëhej nga pesë korparmata, në të cilat ishin inkuadruar 14 divizione këmbësorie dhe një divizion kavalerie. Si artileria ashtu edhe armatimi i këmbësorisë së ushtrisë greke ishte i vjetër. Gjithsesi kjo gjë ishte një tipar i përbashkët i të dy ushtrive. Arma e tankut mungonte plotësisht. Mbrojta kundërtanke linte gjithashtu për të dëshiruar. Nëse grekët ishin inferiorë ndaj italianëve në armatimin e rëndë, nuk duhet harruar përparësia e të qenit në luftim mbrojtës, e ishin gjithsesi superiorë për sa i përket mitralozave të gjithë llojeve. Zhvillimet e pas 28 tetorit nxorën në pah edhe një gabim tjetër thelbësor të palës italiane. Ashtu siç ishte nënvleftësuar morali i ushtarit grek, po me aq lehtësi ishte mbivlerësuar edhe gatishmëria për t’u korruptuar prej tyre politikanët dhe gjeneralët në Athinë.

Greqia kishte përgatitur qysh në maj 1939 një plan operacional mbrojtës, i cili parashikonte krijimi e një vije mbrojte 50-70 km larg kufirit shqiptar që kalonte nga gjiri i Artës, në faqen perëndimore të maleve Vermion dhe në perëndim të Edessas. Duke u bazuar mbi mendimet e reja operative të shtatorit 1939 u planifikua krijimi i një vije tjetër mbrojtëse. Kjo vijë u përgatit rreth 15-20 km më pranë kufirit shqiptar dhe mbështetej në pjerrësitë dhe kurrizet e maleve të larta Vermion, Smolika, Gamila dhe në rajonin e fortifikuar Eleja.

Në tërësi ushtria greke ruante një front, vija e të cilit shtrihej prej detit Jon deri në masivin malor të Smolikosë dhe kishte një zgjatje prej rreth 100 km në vijë ajrore. Ushtria greke u hap në dy breza mbrojtje me detyrë pengimin e lëvizjes së trupave italiane në thellësi të vendit. Pas dy ditësh sulmi i ushtrisë italiane në Epir u ndërpre. Njësitë luftarake italiane ishin të bllokuara si në rajonin e Kallabakës ashtu edhe në brigjet e Kallamasit, ku grekët kishin hedhur në erë të gjitha urat të cilat qëndronin akoma dhe nuk i kishte marrë uji me vete, me përjashtim të dy prej tyre. Në datën 5 nëntor fronti kishte një gjatësi lineare prej rreth 140 km.

Një farë suksesi operativ shënoi vetëm divizioni alpin “Julia”. Ai përparoi deri në masivin malor të Pindit. Si fillim ushtria greke u tërhoq, ndërsa alpinët e “Julias”, të cilët ishin më të përgatiturit që ushtria italiane kishte në atë kohë, kaluan në ndjekje. Në datën 3 nëntor pararoja e ushtrisë italiane që kishte përparuar shumë përpara e pa veten të rrethuar. Ata u munduan të tërhiqeshin me luftim duke pësuar humbje tepër të mëdha. Pra “hileja taktike” e Mecovos (Meçovë) funksionoi. Pas afërsisht 14 ditësh prej fillimit të luftimeve, forcat e mbetura të “Julias” ndodheshin përsëri në bazën e nisjes së sulmit, në tokën shqiptare.

Ushtria greke arriti të ndalonte me sukses ofensivën. Tashmë nuk kishte më asnjë rrezik pushtimi dhe u mor vendimi për të organizuar një kundërofensive të përgjithshme me synim marrjen si fillim të rajonit të Korçës, si një pikë e rëndësishme strategjike dhe interesash për Greqinë.

1

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm grek Papagos dispononte në të gjithë frontin shqiptar mbi 11 divizione këmbësorie, 1 divizion kavalerie dhe 2 brigada këmbësorie. Të gjitha së bashku formonin një numër prej rreth 232.000 forcash.

Sulmi në përmasa të gjera i ushtrisë greke në datën 14 nëntor hapi edhe fazën e dytë të luftimeve italo-greke. Ky sulm filloi me një epërsi të qartë numerike të palës greke dhe luftimet u kryen në tokë shqiptare.

Ushtarët italianë u lanë nga pikëpamja logjistike në mëshirë të fatit. Ura ajrore e detare Itali-Shqipëri ishte në gjendje të transportonte vetëm trupa ushtarake. Këto trupa lëviznin në mënyrë të çrregullt dhe të paorganizuar për në front, kështu që ndikonin fare pak në përmirësimin e gjendjes. Parë në aspektin operativ, grekët e kishin relativisht të lehtë të depërtonin në vijat e gjata të mbrojtjes italiane që mbaheshin me pak trupa dhe t’i godisnin ata nga shpina. Si iniciativa të mëdha të kundërsulmit të ushtrisë greke vlejnë për t’u përmendur thyerja e frontit italian në Ersekë, ku Korparmata e IX dhe XI italiane vepronin të veçuara, beteja tetë ditore në malin e Moravës për marrjen e Korçës dhe hedhja e ushtrisë italiane në krahun tjetër të lumit Kallamas deri në marrjen e Sarandës.

Në datën 9 dhjetor forcat greke zotëronin lartësitë përreth Korçës, pasi në datën 4 të po këtij muaji pas luftimesh të ashpra ishte marrë qyteti i Pogradecit. Në datën 6 dhjetor u mor qyteti i Sarandës. Deri në datën 28 dhjetor ndryshime kishin ndodhur vetëm në pjesën jugore dhe në qendër të frontit. Në këtë kohë fronti shtrihej afërsisht në: veriperëndim të Himarë-Vranisht-Bolenë-Gushmar-në veri të Progonatit-juglindje të Këlcyrës-Çorovodë-Vërzheshë-Dobrushë-Peshtan-juglindje të Kalivaçit-veriperëndim të Pogradecit. Ndalimi i përparimit të forcave greke në territorin shqiptar u ndikua së pari nga kushtet e këqija atmosferike dhe terreni i vështirë si edhe vështirësia e furnizimit me bazën e nevojshme logjistike të trupave. Në fund të dhjetorit 1940 trupat greke ishin futur thellë në territorin shqiptar.

 

2

Zhvillimet e ndodhura në teatrin shqiptar të luftës pas 14 nëntorit elektrizuan situatën në Romë. Gjeneral Roata i kërkoi Musolinit të urdhëronte mobilizimin e përgjithshëm dhe në datën 22 nëntor ai urdhëroi mobilizimin e 50 divizioneve të reja. Prioritet absolut kishte formimi i 30 divizioneve për Shqipërinë. Në fund të nëntorit Badoglio u shkarkua nga detyra dhe vendin e tij e zuri gjenerali Ugo Cavallero. Si pasojë e përkeqësimit të situatës, një kërkese të gjeneral Sodut për një zgjidhje diplomatike të problemit, u mor në konsideratë nga Musolini dhe ai u bë gati t’i kërkonte Hitlerit të ndërhynte te Metaksai për një zgjidhje diplomatike. Ciano e kundërshtoi prerazi këtë iniciativë. Ai pretendonte se situata nuk ishte aq dramatike dhe se Italia nuk do ta humbiste Shqipërinë. Kjo gjë kurrsesi nuk do të thoshte se gjendja e ushtrisë italiane në front ishte përmirësuar.

Siç pritej, ushtria greke kaloi përsëri në sulm. Në vija të përgjithshme veprimet luftarake u zhvilluan në zonën Këlcyrë-Bubës. Si përfundim grekët morën Këlcyrën, e cila ishte një nyje e rëndësishme lidhëse. Një kundërsulm i organizuar nga ushtria italiane për të marrë këtë rajon, dështoi ashtu si edhe kundërofensiva e urdhëruar nga Musolini në marsin e vitit 1941. Nëpërmjet kësaj kundërofensive ushtria italiane kërkonte të arrinte të paktën edhe një sukses lokal, para se ushtria gjermane të sulmonte Greqinë. I vënë me shpatulla pas muri, Mussolini u detyrua të kërkon te ndihmë te Hitleri, i cili urdhëroi më 6 prill 1941 fillimin e fushatës ushtarake “Marita” kundër Greqisë dhe Jugosllavisë, çka shënoi edhe fundin e luftës italo-greke dhe kapitullimin e ushtrisë greke në të gjitha frontet.

 

Roli i forcave ushtarake shqiptare në luftën italo-greke

Në momentin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ushtria shqiptare ishte dhe në ditët në vijim, një pjesë e këtyre forcave, filloi të rimerrte shërbimin. Si fillim, këto forca u lejuan nga autoritetet italiane, ndoshta në pritje të ndonjë një urdhri, që të merrnin në ruajtje ndërtesat dhe magazinat. Më 14 prill 1939, nënsekretari i luftës, gjeneral Pariani, urdhëroi komandantin e Korparmatës në Shqipëri, Guxonin, të hartonte sa më shpejt një studim organik për sistemimin e ushtrisë shqiptare mbi bazën e shkrirjes së saj totale me atë italiane. Guxoni e zbatoi urdhrin shpejt, dhe në studimin e tij theksohej se, nuk duhej të parashikohej ndërtimi i njësive të mëdha shqiptare, “Kjo për vështirësi inkuadrimi si edhe për të mos krijuar ambiente të përshtatshme për zhvillimin e situatave të rrezikshme”. Sipas këtij plani duhej të krijoheshin gjashtë batalione këmbësorie, katër bateri prej 75/13 mm sipas reparteve ekzistuese të kohës së Zogut, dy kompani xhenio dhe dhjetë reparte të vogla policie, një njësi garde, regjiment (i zvogëluar në batalion) i Rojës Mbretërore Shqiptare, i cili do të vendosej në Romë.

Pa u zgjatur shumë në problemet që u hasën për ngritjen dhe inkuadrimin e ushtrisë shqiptare në atë italiane, në qershor 1940, kur Italia hyri në luftë, gjendja e ushtrisë shqiptare paraqitej e tillë: brenda divizionit Ferrara i pozicionuar në jug në kufirin grek ishin vendosur batalionet Gramozi (në Leskovik) dhe Dajti (në Jergucat). Në divizionin Venezia në zonën e Shkumbinit, pra në frontin lindor drejt kufirit jugosllav, ishin vendosur batalioni Tomorri (në Librazhd) dhe batalioni Taraboshi (në Labinot). Ndërsa në skajin verior të Shqipërisë në Shkodër ku operonte divizioni Arezzo ishin vendosur batalionet Korata dhe Kaptina. Këto dy batalione ishin nën komandën e divizionit Julia, i cili e kishte qendrën në Dibër. Këto dy batalione u vunë më pas nën komandën e kolonelit shqiptar Preng Previzi duke formuar grupimin Kosova. Pra siç u tha më sipër, njësitë luftarake shqiptare që teorikisht duhej të merrnin pjesë në luftë ishin gjashtë batalione, të formuara me vullnetarë rajonalë, me organika të reduktuara krejt ndryshe nga parashikimi dhe që dispononin armatim të lehtë.

Në fillimet e agresionit ndaj Greqisë u angazhuan kryesisht dy batalionet shqiptare të Ferrarës. Një ditë pas fillimit të sulmit, batalioni Dajti u bllokua prej forcave greke, të cilat ishin superiore në numër. Pak ditë më vonë, batalioni Dajti i cili së bashku me batalionin e dytë të milicisë shqiptare bënin pjesë në kolonën “Data” humbën në luftime 32 veta, ku 6 ishin të vdekur, 19 të plagosur dhe 7 të humbur. Përdorimi i forcave shqiptare që morën pjesë në këtë luftë nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. Kështu ishte rasti i batalionit Tomorri, i cili u nis me shpejtësi nga brendësia e vendit në drejtim të frontit. Ky batalion që në momentin fillestar kishte në organikë 12 oficerë dhe 822 nënoficerë e ushtarë, pak kohë pas rënies në kontakt luftarak me ushtrinë greke numëronte në radhët e veta si pasojë e dezertimeve dhe largimeve vetëm 10 oficerë e 120 ushtarë. Siç mund të merret nga relacionet e Komandantit të Këmbësorisë Nr. 83, i cili akoma shpresonte se mund të përfitohej prej reparteve shqiptare të inkuadruara, jo të gjithë të larguarit arritën kapeshin. Një pjesë e tyre dëshironin thjesht të ktheheshin në shtëpi dhe dezertonin si pasojë e konfuzionit të krijuar. Largimi në masë i shqiptarëve të batalionit Tomori dha edhe shkëndijën e parë të dezertimeve të shqiptarëve, gjë që detyroi komandën italiane të merrte masa dhe të mendonte seriozisht për rrezikun që përmbanin këto dezertime në rënien e moralit të ushtarëve italianë.

Gjithashtu, një pjesë e shqiptarëve që dezertonin, kalonin në anën tjetër të frontit dhe së bashku me forcat greke luftonin kundër ushtrisë italiane. Në ditarin e regjimentit 47 të këmbësorisë italiane, në datën 26.11.1940 ndër të tjera shkruhet: “(…) Ky repart (bëhet fjalë për batalionin Dajti – M.K.) rreshtohet mbi një kuotë të vogël, me detyrë që të shkëpuste avancimin armik që pati zënë pozicionin e humbur. Pothuaj gjatë gjithë ditës dhe natës vazhduan goditjet e mortajave «Brixia» dhe mitralozave «Breda» mbi vijat dhe trupat tona. Janë vetë shqiptarët që po i përdorin këto armë kundra nesh, ndryshe nuk ka se si, pasi grekët këto lloj arme nuk i njohin dhe si përdorin dot, sidomos mortajat «Brixia».

Kjo gjë përbënte një episod të pakëndshëm për italianët, sepse nuk bëhej fjalë për raste dezertimi sporadike, por i dorëzimit te armiku i një pjese të frontit.

Duke parë këto fenomene komanda italiane e pa të arsyeshme t’i largonte forcat e mbetura shqiptare nga fronti, me pretekstin e riformatimeve të tjera si edhe rritjen e forcës së tyre ushtarake. Kësisoj nuk hapej panik në radhët e ushtarëve italianë, por edhe nuk rritej numri i dezertimeve të shqiptarëve të mbetur. Pra, largimi i forcave shqiptare dhe riorganizimi i tyre u motivua zyrtarisht me qëllimin e ristrukturimit të një Korparmate të plotë shqiptare. Tërheqja e reparteve shqiptare nga fronti dhe përqendrimi i tyre në zonën e Shijakut në grup batalionin «Skënderbeu» u bë gradualisht.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Luftës, humbjet shqiptare në frontin grek deri në datën 30 maj 1941 ishin 59 të vdekur, 68 të plagosur dhe 233 të humbur. Një listë më e detajuar e humbjeve jep në të njëjtën datë 2 oficerë, 57 nënoficerë dhe 3 ushtarë të vdekur, 65 të plagosur, 22 të sëmurë rëndë dhe 189 të humbur si edhe 8 të burgosur. Këto shifra, sidomos ajo e të humburve dhe të burgosurve duhet të jenë shifra të përgjithshme, që duke i parë në kontekstin e largimeve apo dezertimeve të shqiptarëve duhet të vlerësohen me kujdes.

 

Humbjet e luftës dhe pretendimet për varrezat e të rënëve të luftës

Siç u theksua edhe më sipër, luftimet u kryen kryesisht në zonën e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Skraparit, Ersekës, Korçës, Bilishtit, Gramshit dhe Pogradecit. Ajo çka rezulton nga studimet e bëra deri tani, është se gjatë gjithë periudhës së luftimeve (tetor 1940 – prill 1941) dhe në të gjithë frontet, ushtria greke pati rreth 13.408 të vrarë.

Afërsisht të njëjtat humbje kishte edhe ushtria italiane, konkretisht rreth 12.755 të vrarë dhe 25.067 të humbur.

Sipa pretendimeve të palës greke, në Bularat ekziston një varrezë me rreth 60 varre por që ata pretendojnë se aty gjenden edhe 300 varre të tjerë. Në Korçë, gjithmonë sipas palës greke, janë rreth 600 varre dhe pretendohet se aty janë edhe rreth 5000-6000 të tjerë. Ndërkohë, numri më i madh i pretenduar i varreve është në Këlcyrë, me rreth 7000 varre ushtarësh. Gjithsej rreth 12.000.

Nisur nga numri i përgjithshëm i humbjeve, pretendimi i palës greke se ata janë në dijeni të vendndodhjes së 12.000 varreve ngre dyshime të forta, sidomos nëse marrim në konsideratë se aso kohe ishte teknikisht thuajse e pamundur të mbaheshin evidenca kaq të sakta dhe për më tepër kur, luftimet janë kryer kryesisht në male, terrene të vështira dhe mot të keq.

Ndër dhjetëra syresh, pesë pikat më prioritare të paraqitura nga pala greke për fillimin e gërmimeve janë në Peshkëpinë e Poshtme, Gjirokastër, Korçë qytet (qendër), Hormovë, Peshtan dhe Kalivaç, Pogradec. Nëse shikojmë veprimet luftarake, thuajse në gjithë këto vende është luftuar, me përjashtim të qytetit të Korçës. Luftimet u kryen në krahun verilindor dhe në juglindor të qytetit të Korçës dhe u përqendruan kryesisht në vijat mbrojtëse italiane të ngritura në anën jugore dhe lindore të Kurrizit të Moravës. Në datën 22.11.1940, pasi mbrojtja italiane kishte rënë dhe ushtria italiane u tërhoq në drejtimin e Gramshit për të riorganizuar mbrojtjen, dy batalione greke, hyri në qytetin e Korçës pa luftë dhe nuk rezulton të jenë kryer luftime brenda qytetit të Korçës.

Qeveria greke është interesuar qysh në mesvitet 1970 për të rënët e saj gjatë kësaj lufte. Sheti shqiptar u shpreh i gatshëm për të ndihmuar. Madje në vitin 1985, qeveria shqiptare i komunikoi homolges së saj greke se, ajo ishte e gatshmë të merrte masa për riatdhesimin e eshtrave të 2250 ushtarëve grekë që ndodheshin të varrosur në tokën shqiptare. Pra, ajo jo vetëm që ishte kategorikisht e prerë ndaj ngritjes së varrezave në tokë shqiptare por po ashtu, paraqiti edhe një listë të qartë me vendet ku ishin varrosur këta ushtarë, duke e hedhur poshtë ekzistencën e 12.000 varreve ushtarësh grekë në Shqipëri. Madje, Ministria e Ekonomisë së asaj kohe, njoftoi se ishin hartuar edhe planshetet për çdo varr, me qëllim që të lehtësohej prcedura e grumbullimit dhe transportit të eshtrave për në Greqi. Gjithsesi Athina zyrtare nuk reagoi ndaj këtij lajmi dhe i rikërkoi Tiranës që varreza të ngrihej në Shqipëri. Qeveria shqiptare e vlerësoi këtë kërkesë si të pamundur duke arritur në përfundimi se, kërkesa bazohej në dëshirën e palës greke për të përjetësuar dhe glorifikuar çlirimin e vëllezërve të tyre në të ashtuquajturin Vorio-Epirsi dhe përkujtimin e kësaj ngjarje në formën e pelegrinazheve në varreza- gjë që për hir të së vërtetës tashmë ndodh rëndom çdo vit dhe do të ndodhë edhe këtë 28 tetor. Pavarësisht se zbatimi i marrëveshjes së 2009ende nuk ka filluar, qysh prej këtij viti pala greke e ka ngritur një varrezë të ushtarëve greke në Këlcyrë!

 

***

Lufta italo-greke u zhvillua në pjesën më të madhe të saj në tokën shqiptare. Popullit shqiptar ju desh të mbajë një barrë njerëzore dhe ekonomike të kësaj lufte, ndonëse nuk ishte palë e konfliktit. Siç u tregua edhe më sipër, në këtë luftë fillimisht morën pjesë edhe disa forca shqiptare, por gjithmonë si efektiv i ushtrisë italiane. Madje, ështe e dokumentuar nga burimet italiane që shqiptarët dezertuan në masë dhe pati prej tyre që ju bashkuan edhe ushtrisë greke. Kësisoj, mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës nga Greqia, me pretendimin se Shqipëria ka sulmuar Greqinë më 28 tetor 1940 nuk qëndron. Sigurisht që sulmi u krye nga toka shqiptare, por Shqipëria tashmë e kishte humbur sovranitetin e saj dhe ishte e pushtuar. Arsyet duhen kërkuar gjetkë dhe janë të njohura, si këndej edhe andej kufirit.

Në fakt, numri i 12.000 ushtarëve grekë të vrarë nuk ka ndonjë rëndësi në aspektin e së vërtetës historike. Lufta ka ndodhur. Po kaq e vërtetë është edhe që në Shqipëri nuk gjendeshin dhe nuk mund të gjenden më shumë se 2250 varre ushtarësh grekë. Sistemin e kaluar mund ta akuzosh për plot gjëra, të bëra e të pabëra, por në këtë pikë kishte seriozitet. Pretendimi nga pala greke i ekzistencës së 12.000 varreve ka të bëjë me numrin e varrezave që do të ngrihen në Shqipëri. Përveç vëndprehjes prej 10.000 m² në Këlcyrë dhe varrezës me 59 varre në fshatin Bularat të Gjirokastrës, gjatë marrëveshjes synohej të arrihej edhe ndërtimi i një varreze madhështore në qytetin e Korçës. Koha do ta tregojë.

Është e vetëkuptueshme që, në një konflikt ndështetëror ushtarakët janë viktima të politikës dhe eshtrat dhe vendprehjet e tyre meritojnë të trajtohen me respekt. Ky është akti më human që një qeveri dhe një popull duhet të kryejë ndaj tyre. Në këtë frymë janë ngritur në kodrat e liqenit artificial në Tiranë edhe vendprehjet e ushtarëve britanike dhe gjermanë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Eshtrat e tyre u mblodhën nga të gjithë anët e Shqipërisë, atje ku ata kishin rënë. Kësisoj, do të kishte qenë e udhës që edhe të rënët e Luftës italo-greke të rivarroseshin përkrah tyre, pse jo edhe përkrah ushtarëve austro-hungarezë të varrosur në Shkodër, por kurrsesi në Gjirokastër, Përmet dhe aq më keq në Korçë.

Sigurisht që vendprehjet e ushtarëve të huaj nuk përcaktojnë domosdoshmërisht territore apo kufij, sepse sipas kësaj logjike, largqoftë, çfarë mund të mendonte Gjermania për miliona varre të ushtarëve gjermanë të Luftës së Parë e të Dytë Botërore të mbjellë në gjithë Europën.

Please follow and like us: