Albspirit

Media/News/Publishing

Mediat, a ishim më mirë kur ishte Berisha?

Andi Bushati

Zhurma e pazakontë që shkaktoi shkarkimi i dy gazetarëve prej mediave që prej vitesh zvarriten pas qeverive, përpos debatit të raportit mes pushtetit dhe fjalës së lirë, pronarëve dhe gazetarëve, botuesve dhe reporterëve, ka ngritur edhe një pyetje të cilën, unë personalisht, e kam të vështirë edhe ta shtroj?

Kur ka pasur më shumë liri në media, në kohë të Berishës apo sot?

Natyrisht, që kur kam kërkuar si gazetar rotacionin e pushtetit në vitin 2013, as që e kisha imagjinuar, se vetëm pas tre vitesh, do të ndodhesha përpara kësaj dileme.

Atëhere, përpos njëmijë e një arsyesh të lidhura me krimin shtetëror, me Gërdecin, 21 janarin, vjedhjen e 10 votave të Tiranës, korrupsionin e familjarëve të Berishës dhe privatizimet skandaloze të klientëve të saj, isha i bindur se ai grup keqbërësish arrogantë duhej të largohej edhe për qëndrimet që kish mbajtur ndaj pushtetit të katër.

Nuk mund të harroheshin kërcënimet me gjoba 20 milionë euroshe që i bëheshin televizionit më të madh në vend, Top Channel.

Nuk mund të falej shndërrimi i konkurentit të tij direkt, TV Klan, në një makineri propogande gëlbesiane, që arriti deri aty sa të “provonte” se njerëzit para kryeministrisë ishin vrarë me thika të helmuara nga turma.

Nuk mund të kapërdihej presioni fizik, familjar, financiar ndaj Mero Bazes, një gazetari që i kish ndejtur më pranë se kushdo Berishës në kohën e opozitës.

Ishin jashtë çdo imagjinate mbyllja e emisionit tim “Zonë e ndaluar”, nga TV Klan, moslejimi i Edi Ramës për të folur në “Zonë e lirë”, ndërprerja e “Faktor Plus” të Bazes dhe largimi nga drejtimi i lajmeve i drejtorit Arban Hasani, po ashtu siç ishte edhe tradhëtia që i bëri Frangaj, Fevziut duke i prodhuar një emision paralel, vetëm se ky i fundit ishte prishur me Berishën.

Pra, kur tre vite më parë kërkoja rotacion, me të vërtetë as që nuk e kisha imagjinuar se shumë shpejt, një televizion si Agon Channel, do të fikej vetëm pas mbërritjes aty të Andi Bejtes dhe Fatos Lubonjës. Atëherë as nuk e kisha paramenduar se këta zëra kritikë të Ramës do të shpalleshin non grata për ekranin e TV Klan, që dikur nuk kish nguruar të nxirrte fotografitë lakuriq të ish liderit të opozitës. Atëherë as që më që shkonte në mend se Aleksandër Frangaj do të qe i shtrënguar t’i jepte fund një mardhënieje miqësoro- profesionale me Shkullakun.

Atëhere më dukej një herezi që Henri Çili, të cilin një gazetë e majtë si “Dita” e kish shpallur “servilin e vitit”, do të kërkonte një mandat të dytë për Edi Ramën, pasi kishte kërkuar një të tretë për Berishën.

Në atë kohë as nuk mund të fantazoja, se “Vizion Plus”, në të cilin unë personalisht kisha punuar si në një ishull imagjinar lirie, do të censuronte emisionin “Publicus” të bashkëpuntorit tim të dikurshëm Artan Rama.

Kur bëj këtë bilanc të dhimbshëm për historinë e viteve të fundit, natyrisht që e kam të vështirë të ndaj të keqen më të vogël.

Natyrisht, që në këtë optikë nuk më bëjnë përshtypje as lotët e krokodilit që derdh opozita për Shkullakun e Lelën, as shigjetat që ajo lëshon për Frangajn dhe Çilin, për sa kohë që PD-ja e re nuk ka bërë një “mea culpa” të thellë për krimet e së shkuarës.

Por, përsëri kur tentoj të vë të dyja kohët në peshore “zbuloj” një rezultat të habitshëm: megjithë persekucionin e tij të egër, Berisha bashkëjetoi në tetë vitet e pushteti të tij, jo vetëm me një gazetë të papërsëritshme sot për forcën e saj demaskuese si Tema, por edhe me dy televizione të mëdhenj si Top Channel dhe Vizion Plus, që nuk arriti ti bëjë asnjëherë plotësisht për vete.

Ndërsa sot nuk gjendet asnjë TV, asnjë media tredicionale që të jetë e pozicionuar kundër Ramës. Tashmë të gjitha ekranet dhe gazetat e mëdha që financohen nga botuesë biznesmenë janë gjunjëzuar në mënyrë të turpshme përballë këtij regjimi kleptokratësh.

Të gjithë janë vënë në rresht duke vërtetuar edhe njëherë se, në një sistem si yni, aftësia koruptuese e “specialistëve” socialistë është ku e ku më keqbërse se dhuna dhe harbutëria e berishistëve; se pushteti i parasë është më i rrezikshëm se ai i gardistëve; se forca e joshjes është më zvenitëse se ajo e shantazhit.

Prandaj, me këtë zhgënjim për gjendjen ku jemi, me dhimbje dhe me një gur në zemër, po i bëj një pyetje kolegëve të mij të përmendur në këtë shkrim dhe një rrethi  shumë më të gjërë sesa ata: A mos ishim më mirë kur dukej sikur ishim më keq? A mos fatkeqësisht mos kishte më shumë dritare lirie, në kohën e errët kur drejtonte Berisha?

Please follow and like us: