Albspirit

Media/News/Publishing

Pesë legjendat e lashta rreth sekreteve të pavdekësisë

Le të shqyrtojmë obsesionin e alkimistëve të botës së lashtë në gjetjen e Gurit Filozofal: sekretit të pavdekësisë

Nga Daniel Appel

Vdekshmëria e ka torturuar vetëdijen tonë qëkur njeriu dëshmoi vdekjen e pare, dhe kuptoi mundësinë e vdekjes së vet. Pashmangshmëria e vdekjes dhe spekullimet mbi natyrën e botës së përtejme, kanë qenë gjithmonë objekt i obsesionit për mistikët dhe filozofët. Për shumë kultura, vdekshmëria është një nga cilësitë kryesore që e ndan njerëzimin nga Zotat.

Ndërsa njerëzit lindin, i nënshtrohen vullnetit të natyrës dhe vdesin, Perëndive e popujve të hershëm dhe perënditë e sotme cilësohen zakonisht si të pavdekshme; imune ndaj errësirës që e pret çdo burrë dhe grua. Natyrisht, rrëfimtarët më të hershëm dhe njerëzit e shenjtë ëndërruan për mënyrat se si të  bëheshin të pavdekshëm. Në mitologjitë në mbarë botën, njerëzit që arrijnë pavdekësinë janë konsideruar shpesh si Perëndi apo që posedojnë cilësitë e tyre.

Një nga veprat më të hershme të letërsisë, Epi i Gilgameshit i shekullit XXII P.E.S, fokusohet në kërkimin e heroit për pavdekësinë. Në disa tradita, pavdekësia është dhënë nga vetë Zotat. Herë të tjera, një njeri normal do të dëshifronte sekretet alkimike të fshehura tek materialet natyrore, çka e pengoi vdekjen e tij. Sipas antikëve, të fshehtat e pavdekësisë mund të gjenden në Tokë, në Hënë, apo edhe në vetë oborrin tuaj mbrapa shtëpisë.

1. Lingzhi, kërpudha e pavdekësisë

Alkimistët kinezë shpenzuan shekuj me rradh, në përpjekje për të prodhuar Eliksirin e jetës. Ata porositeshin shpesh nga Perandori, dhe eksperimentonin me gjëra të tilla si mërkuri toksik, ari, squfuri dhe bimë të ndryshme. Formulat për prodhimin e barutit, squfurit, nitratit të potasit dhe karbonit qenë fillimisht përpjekje për krijimin e Eliksirit të pavdekësisë.

Mjekësia tradicionale dhe alkimia e hershme kineze, janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, dhe përdorimi i bimëve, kërpudhave dhe mineraleve në formulat e jetëgjatësisë praktikohet edhe sot. Që në fillim të vitit 475 P.E.S, tekstet kineze i referohen Kërpudhës së Pavdekësisë, një përbërës kyç në Eliksirin e jetës. Lingzhi, e përkthyer fjalë për fjalë si “Kërpudha supernatyrale”, është kërpudha më e vjetër e njohur e përdorur në mjekësi.

Sipas “Librit të Han”,  “Mjeshtërit e Ezoterikës”; alkimistët; magjistarët”, të njohur ndryshe si Fangshi njihnin disa vende të fshehta në malin Penglai ku rritej Lingzhi. Disa perandorë të dinastisë Qin dhe Han, dërguan ekspedita të mëdha në kërkim të një kërpudhe të mirëfilltë që garantonte pavdekësinë, por pa asnjë sukses.

Edhe pse nuk ka dëshmi historike se dikush e arriti në fakt pavdekësinë falë kërpudhës Lingzhi, specie të ndryshme përdoren në mjekësisë tradicionale kineze edhe sot e kësaj dite.

Një specie, Ganoderma Lucidum, prodhon acidin ganoderik. Kjo substancë është e ngjashme në aspektin molekular me hormonet steroide. Ajo mund të ketë një shumëllojshmëri përdorimesh mjekësore, nga balancimi i nivelit të kolesterolit në gjak tek shërimi i plagëve të ndryshme.

2. Amrita, Ambrozia, Soma dhe Nektari

Sipas Rigvedas, një koleksion i himneve të lashtë vedike që janë një gur themeli në Hinduizëm, Amrita është një pije që të fal pavdekësinë. Në hinduizëm dhe tradita të tjera, ajo njihet edhe si Soma. Indra, Zoti i qiellit, dhe Agni, Zoti i zjarrit, pi Amrita për të arritur pavdekësinë. Pasi konsumojnë substancën misterioze, ata thonë:”Ne pimë Soma dhe u bëmë të pavdekshëm; kemi arritur dritën, zbuluam Zotat. Tani çfarë keqdashje mund të na dëmtojë? Çfarë, o i Pavdekshëm, është mashtrimi i njeriu vdekatar?‘(Rigveda 8.48.3).

Ka dhe shumë referenca të tjera për Amrita-n dhe Soma-n gjatë teksteve Hindu, Zoroastriane dhe indo-evropiane. Ambrozia, ushqimi i pavdekësisë së perëndive greke, është e ngjashme me Amrita-n. Ato vijnë nga e njëjta rrënjë indo-europiane, “n-mr-to”, që afërsisht përkthyer si “jo-vdekje”. Në mënyrë të ngjashme, pija greke e perëndive, Nektari, fjalë për fjalë përkthehet në (Nek) vdekje  dhe ( Tar) tejkalim, pra tejkalimi i vdekjes.

Sipas disa traditave jogike, Amrita mund të çlirohet nga gjëndrra e hipofizës gjatë meditimit të thellë. Ndërsa konsumi i Amrita-s nga ana e njerëzve është diçka e zakonshme në tekstet tradicionale, informacioni se ku merret ajo ka humbur. Është pa dyshim një bimë ose kërpudhë. Udhëzimet për përgatitjen e saj përfshijnë përzierjen e pjesëve të bimës në ndonjë ushqim, apo nxjerrjen e lëngjeve.

Ndonjëherë ajo filtrohej përmes leshit, dhe përzihej me qumësht lope para konsumimit. Ashtu si Këpurdha e Pavdekësisë, për të thuhej shpesh se rritej në mal. Ndërsa ekzistojnë dëshmi të detajuara, identiteti i vërtetë i Amrita-s ka humbur. Sot, disa ritualet indiane përfshijnë lutjet, ku i kërkohet ndjesë Zotave për mungesën e Amrita-s.

Shkencëtarët, historianët dhe shamanët, kanë spekuluar mbi identitetin e bimës Amrita. Për shkak të përvojave shpirtërore të lidhura me konsumin e Soma-s, supozohet zakonisht të jetë enteogjenike, pra që shkakton ndryshimin e vetëdijes. Shumë antropologë thonë se bëhët fjalë për Fly Agaric (Amanita Muscaria), një kërpushë e butë haluçinogjenike, e përdorur gjerësisht nga shamanët e Siberisë.

Etnobotanisti Terenc Mekena, beson se Amrita mund të jetë Psilocybe Cubensis, një kërpudhë haluçinogjenike që rritet tek bajga e lopës. Lopët shpesh cilësohen si “mishërim i Soma-s” në letërsinë vedike. Disa, si Mekena, kanë deklaruar se P. Cubensis është përgjegjës për ngritjen e lopëve në statusin e të shenjtës në kulturën Hindu.

McKenna dhe etnobotanistë raportojnë për pak ose aspak efekte nga kërpudha Amanita Muscaria, të bindur se më e fuqishmja P. Cubensis është një kandidate më e mundshme. Të tjerë besojnë Amrita rrjedh nga një bimë e gjinisë Efedra. Ato janë përdorur gjerësisht nga komunitetet Zoroastriane të Iranit, mjekësia tradicionale kineze, dhe farmaceutika moderne. Bimët Efedra përmbajnë Efedrin dhe pseudoefedrinën, të cilat janë kimikisht të ngjashme me metamfetaminën dhe veprojnë si stimulues dhe frenues të oreksit.

Bimët Efedra janë përdorur gjithashtu tradicionalisht për trajtimin e presionit të ulët të gjakut. Në vitin 2003, arkeologu Viktor Sarianidi pretendoi se kishte gjetur mjetet që përdoreshin për përgatitjen e Soma-s në një vend në Baktria (në Afganistanin e sotëm). Kjo nuk u verifikua nga burime të tjera akademike, por sipas Sarianidit, enët përmbanin mbetje të Efedras, Popit, dhe Kanabisit. Padyshim që këto përbërës do të krijonin një gjendje të ndryshuar të ndërgjegjes, nëse përgatiten siç duhet, dhe janë të gjithë të lindura në rajonin ku Soma është më e shenjtë.

3. Metale dhe minerale

Ideja e gëlltitjes së metaleve të lëngshme për të patur jetë të gjatë, ka qenë e pranishme në traditat alkimike nga Kina në Mesopotami në Evropë. Logjika e të parëve tanë, sugjeronte se konsumimi i diçkaje e mbushte trupin me cilësitë e lëndës që ai konsumonte. Përderisa metalet janë të forta dhe me sa duket të përhershme dhe të pathyeshme, ishte thjesht racionale që kushdo që hante metale do të bëhej i tillë.

Mërkuri, një metal që është një lëng në temperaturën e dhomës, ka hipnotizuar alkimistët e lashtë. Mërkuri është gjithashtu shumë toksik, dhe shumë persona vdiqën pasi eksperimentuan me të. Mërkuri është emërtuar nga romakët për analogen e Perëndisë greke Hermes dhe Tot-it egjiptian. Disa i lidhin këto me filozofin legjendar Hermes Trismegistus, autori i supozuar i “Trupit Hermetik”.

Të gjitha këto figura të ngjashme thuhet se kanë konsumuar “Ar të Lëngshëm” apo “Pika të Bardha” për të arritur pavdekësinë. Tregime si ky i fiksuan alkimistët e lashtë dhe ata mesjetarë, që kërkonin të shndërronin arin në një gjendje të lëngët për t’u pirë ose ta bashkonin atë me mërkurin. Përveç arit dhe mërkurit, arseniku qe një tjetër përbërës paradoksal në shumë prej Eliksirëve të jetës.

Toksiciteti ishte aq i zakonshëm në mesin e perandorëve të lashtë kinezë, sa që historiani britanik Xhozef Nidhem përpiloi një listë të perandorëve që ndoshta vdiqën nga helmimi i eliksirit. Xhada, sulfuri i mërkurit, hematitet dhe minerale të tjera me veti unike dhe qëndrushmëri të gjatë, janë përdorur disa herë në porcionet që mendohej se siguronin jetëgjatësi.

4. Guri Filozofal dhe Eliksiri i jetës

Qëllimi kryesor i çdo alkimisti në mesjetë qe krijimi i Gurit Filozofik. Përpjekjet për të zbuluar Gurin, janë quajtur kolektivisht ‘Magnum Opus’, apo Ppunë e Madhe. Guri Filozofal thuhej se shndërronte metalet bazë si plumbi në metale të çmuara si ari dhe argjendi. Ai gjithashtu prodhonte pavdekësinë. Në disa legjenda, vetëm zotërimi i këtij guri të jepte jetën e përjetshme. Në disa të tjera, Guri është përdorur për sintetizimin e Eliksirit të jetës. Guri filozofal simbolizon përsosmërinë, ndriçimin dhe lumturinë.

Guri Filozofal u ngrit nga teoritë klasike greke të 4 elementëve. Sipas Timoteut tek Platoni, Toka, Ajri, Zjarri dhe Ujit janë elementët prej nga ku buron Prima Materia (lënda e parë), apo çështja e parë. Prima Materia lidhet me kaosin, burimin e çdo gjëje. Alkimistët besonin Prima Materia ishte çelësi i Gurit Filozofal, dhe kërkuan ta kopjojnë atë nëpërmjet një ekuilibri delikat të përbërësve që përfaqësojnë 4 elementët kryesorë.

Ngjashëm me Sistemin prej Pesë Elementësh të mjekësisë tradicionale kineze, katër elementëve iu caktuan cilësitë e të ngrohtit, të ftohtit, thatësirës, dhe lagështirës nga alkimisti i shekullit VIII, Xhabir ibn Hajjani. Ai besonte se duke ndryshuar cilësitë bazë të një substance, mund ta transformoje atë në një substancë të re, por ky proces kishte nevojë për një katalizator.

Ngjashëm me Prima Materia, ai e quajti këtë katalizator teorik Al-Iksir, rrënja e termit perëndimor Eliksir. Ekzistojnë disa legjenda të individëve që në fakt kanë patur sukses në krijimin e Gurit Filozofal apo Eliksirit të Jetës. Dijetari i shekullit XIII, Albertus Magnus thuhej se ia kishte dhënë Gurin Toma Akuinit pak para vdekjes së tij. Shkrimet e Magnus gjithashtu pretendojnë se qe dëshmitar i shndërrimit të çelikut në ar.

Fisniku misterioz i shekullit XVIII, Konti dë Shën Zhermen besohej se zotëronte Eliksirin e Jetës. Sipas legjendave që ndoshta janë përhapur nga vetë ai, kishte në fakt një moshë qindra vjeçare. Një tjetër figurë historike, që mendohet se e krijoi Guri Filozofal ishte Nikolas Flamel. Ky qe një librashitës i suksesshëm francez që jetoi ndërmjet viteve 1330-1418. Gati dyqind vjet pas vdekjes së tij, u zbuluan disa tekste që iu atribuan Flamel.

Sipas këtyre teksteve, Flamel kishte përvetësuar sekretet alkimike nga alkimistët hebrenj ndërsa vizitonte Spanjën, dhe se kishte marrë një kopje origjinale të librit të magjistarit Abramelin. Tekstet, pohonte Flamel zotëronin recetën për Eliksirin e jetës dhe sekretet e shndërrimit, dhe se ai qe ndoshta ende gjallë. Shumëkush beson se këto legjenda janë krijuar nga botuesit e shekullit XVII-të për të shitur më shumë libra.

Një legjendë më pak e njohur, pretendon se guri filozofal gjendet në një përrua në Filadelfia në SHBA. Një grup i shekullit XVII, i quajtur “Shoqëria e Gruas në Shkretëtirë”, i vendosur në pyll jashtë seksionit Germantown në Filadelfia. Grupi kryesohej nga pietisti dhe okultisti gjerman Johanes Kelpius, i cili besonte se bota do të shkatërrohej në vitin 1694.

Grupi shpenzoi shumë kohë duke medituar qetësisht tek shpellat dhe shtëpitë modeste në periferi të qytetit. Pas vdekjes së Kelpius, disa nga studentët e tij pohuan se ai kishte qenë kujdestar i Gurit Filozofal, të cilën e mbajti të fshehur në shpellën ku meditonte. Pak para vdekjes, pretendohet se ai urdhëroi studentët e tij ta hedhin Gurin në Ëissahickon Creek aty pranë. Shpella është ende e arritshme, dhe vizitohet edhe sot si një sit historik.

Shumë studiues e njohin procesin e shndërrimit si diçka që ndodh brendapërbrenda. Pjesa më e madhe e formulave fizike të alkimisë, besohet se përfaqësojnë udhëtimin tek zhvillimi i brendshëm dhe shpirtëror. Guri Filozofal mund të mos ketë ekzistuar asnjëherë, por përfaqësimi i ndriçimit shpirtëror, lumturisë dhe transformimit është i ngjashëm me Nirvanën budiste. Guri Filozofal, si një simbol i njohjes së alkimisë psikike, është më i fuqishëm se ari apo përhershmëria trupore. Ai mund të përhapet në kohë dhe hapësirë në formën e fjalëve të shkruara apo traditave gojore, dhe lejojë dëgjuesit e gatshëm të kapërcejnë realitetin e kësaj bote.

5. Lepuri i Hënës

Ndërsa Perëndimi e personifikonte sipërfaqen hënore me Njeriun që do të zbriste në Hënë, shumë kultura lindore imagjinuan një Lepur në Hënë. Në Kinë, Japoni dhe Kore, Lepuri i Hënës mendohet se përdorte një enë dhë një rrahëse. Në mitologjinë kineze, Lepuri i Hënës është përzierja e Eliksirit të pavdekësisë. Folklori kinez e portretizon Lepurin e Hënës si një shok të Chang’e, një perëndeshë e cila gjithashtu jeton në hënë.

Vetë Chang’, shfaqet në disa tregime si një njeri i vdekshëm, dhe në disa të tjera si një hyjni e mallkuar, duke konsumuar shumë nga eliksiri i pavdekësisë dhe fluturuar për në hënë. Histori të tjera thonë se ajo konsumoi Eliksirin dhe notoi në Hënë për të shpëtuar burrin e saj. Sot, Chang’e dhe Lepuri i Hënës adhurohen në Ditën e Mes-Vjeshtës, hëna e plotë e muajit të tetë hënor.

Një altar në natyrë ngrihet përballë hënës me ushqime të freskëta për të marrë bekimin e saj. Bekimi i Chang’e thuhet se të dhuron bukuri dhe natyrisht, jetëgjatësi. Edhe traditat japoneze dhe koreane e imagjinojnë Lepurin e Hënës. Por në vend të Eklisirit, ky Lepur i Hënës është mban një kek të thjeshtë me oriz. Më shumë gjasa, miti i Lepurit të Hënës e ka origjinën në Kinë gjatë manisë me Eklisirin e Pavdekësisë në kohën e dinastive Han dhe Qin.

Interesi mbi pavdekësinë u venit me rritjen e budizmit, i cili premtoi pavdekësi shpirtërore që e kapërcente botën fizike. Pjesa më e madhe e kontaktit ndërmjet Kinës me Japoninë dhe Korenë, përfshinte murgjit kinezë budistë. Këta sollën me vete shumë nga idetë dhe zakonet kineze, edhe ndoshta edhe Lepurin e Hënës. Me pak interes tek Eliksiri i Pavdekshmërisë, lepujt japonezë dhe koreane preferonin ëmbëlsira me oriz. Këto janë vetëm disa nga legjendat e lashta rreth pavdekësinë. Se çfarë do të thonë ato në të vërtetë, ne mund të mos e mësojmë dot kurrë.

Please follow and like us: