Albspirit

Media/News/Publishing

Sulme të përbashkëta ajrore të Turqisë dhe Rusisë në Siri

Për herë të parë, aeroplanët luftarakë rusë dhe turq të mërkurën morën pjesë në operacione të përbashkëta ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik në qytetin sirian el-Bab, rreth 20-kilometra nga kufiri turk. Qyteti ka qenë fokusi i një ofensive gati tre muajshe të forcave rebele të mbështetura nga Turqia.

Rusia e quajti ‘të pa precedentë’ misionin e përbashkët me një anëtar të aleancës së NATO-s, dhe tha se ai ka të ngjarë të vazhdojë. Kjo është shenja e fundit e rritjes së bashkëpunimit mes Rusisë dhe Turqisë, vende të cilat janë bashkë-organizatore të bisedimeve të javës së ardhshme në Kazakistan mbi sigurinë në Siri.

Profesori i historisë në Universitetin Trinity dhe analisti i çështjeve që lidhen me Sirinë, David Lesch i tha Zërit të Amerikës se ky bashkëpunim përbën një kthesë të madhe që kur Turqia qëlloi një vit më parë një avion rus. Ai shtoi se Turqia përfiton nga ky bashkëpunim.

Ndërkohë, bisedimet për Sirinë që do të mbahen në Kazakistan pësuan një goditje të mërkurën pasi grupi i rëndësishëm islamik, Ahrar al-Sham, njoftoi se nuk do të marrte pjesë në këto bisedime për shkak të shkeljes së armëpushimit dhe sulmeve ajrore ruse. Megjithatë, Ahrar al-Sham tha se do të mbështesë grupet rebele që do të marrin pjesë në bisedime.

Please follow and like us: