Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, SHBA urdhër të ndalohej ndërhyrja e Titos në Shqipëri, kërkoi të bëhej gati qeveria që do zëvendësonte regjimin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin dhënë urdhër të prerë në vitin 1950, që Tito të mos kishte asnjë ndikim në Shqipëri. Në një dokument të deklasifikuar, tregohen detaje nga një prej planeve të CIA, për të rrëzuar regjimin komunist. I gjithë qëllimi ishte që të ndalohej dalja e sovjetikëve në Ballkan dhe për këtë arsye nisën tentativat për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Mirëpo në një dokument tregohet se si CIA po kërkonte që të bënte gati qeverinë, e cila do vendosej menjëherë sapo të binte ajo aktuale. Sipas tyre, qëndrimi i një periudhe pa qeveri përbënte rrezik dhe për këtë arsye kërkohej që të ishte gati qeveria zëvendësuese, nga ana tjetër tregohen dhe rolet që do kishte Britania e Madhe dhe Franca.

Operacionet e CIA 1950

Politika aktuale e SHBA në lidhje me Shqipërinë ka si objektiv rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë me anë të përmbysjes së regjimit aktual dhe zëvendësimin e tij me një qeveri të pranueshme nga populli i Shqipërisë. Kjo qeveri do të gëzonte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sa kohë mbetej miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe objektivat e saj, dhe armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik dhe objektivave të tij. Qeveria e SHBA shikon pozitivisht nisjen e hapave për realizimin e politikës së saj në Shqipëri. Mbështetja ekonomike që SHBA do t’i jepte një Shqipërie jo-komuniste, do të ishte e vogël po të marrim parasysh detyrimet e SHBA në vende të tjera. Në ndjekje të kësaj politike, SHBA duhet të veprojë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe dy vendet duhet të marrin përgjegjësi të plotë dhe të mos delegojnë përgjegjësinë e kombe të tjera, sado miqësore të jenë ato me SHBA. Por gjithsesi përdorimi i mjeteve dhe marrja e asistencës nga vende të tjera si Franca e Italia, është e mundshme.

Marrja e masave

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të marrin masa paraprake për ndalimin e ndërhyrjes së Titos në Shqipëri; ky rrezik mund të reduktohet nëse merren masa kundër krijimit të vakumit të pushtetit në Shqipëri, domethënë të mos ketë interval mes zhdukjes së Hoxhës dhe ardhjes së pushtetit të shqiptarëve të orientuar nga Perëndimi. Përpara paraqitjes së planit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, duhen bërë konsultime me stabilimentin ushtarak dhe gjeneralin Van Fleet.

Operacionet

Kontakte të fshehta duhet të krijohen me grupet e ndryshme të emigracionit me pikësynim organizimin e një fronti të bashkuar të gjithë anti-komunistëve shqiptarë, pa dallime politike. Grupi i Ballit Kombëtar me në krye Mithat Frashëri duket si më i kualifikuari për të marrë drejtimin e frontit të bashkuar. Grupe të tjera duhet të ftohen për bashkëpunim dhe të pranojnë lidershipin e Frashërit në përpjekjen për çlirimin e Shqipërisë nga dominimi i komunistëve. Selia e komitetit kombëtar duhet të krijohet në qytetin e duhur, mundësisht Trieste, dhe degë të tjera të krijohen në New York, Paris, Cairo e mundësisht Athinë. Në kohën e duhur, të informohen qeveritë e Athinës dhe Romës për qëllimet tona dashamirëse në drejtim të komitetit të bashkuar shqiptar, me qëllim për të ndaluar ndërhyrjet e tyre në aktivitetet e komitetit. Qeveria britanike duhet të informohet, fillimisht informalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe programin e përgjithshëm të politikave. Duhet të merret besimi për bashkëpunim më të ngushte në vazhdim të veprimeve. Qeveria franceze duhet të informohet, fillimisht informalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe për ta informuar mbi krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar. Duhet të përcaktohet masa e përfshirjes së qeverisë franceze, kryesisht në operacionet e fshehta, nëse lind nevoja.

Propaganda

Zëri i Amerikës duhet të nisë programe të përditshme për Shqipërinë. Komiteti shqiptar duhet të caktojë një zyrtar lidhjeje për informacione mbi përgatitjen e programeve për Shqipërinë. Lajmet në fjalë duhet të ndjekin këto linja: Sa shumë është zhgënjyer Shqipëria nga ata që u zgjodhën në pushtet në vitin 1945; Referenca favorizuese ndaj aktiviteteve të komitetit kombëtar shqiptar; Raporte me fakte mbi aktivitetet e rezistencës shqiptare në Shqipëri, por të shtyra mjaftueshëm në kohë për të evituar vënien në rrezik të këtyre njerëzve; Masa e madhe e gjithë-slavizmit që ekziston jashtë Shqipërisë; Prova aktuale e të shkuara të miqësisë së SHBA për popullin shqiptar; referenca për përkufizimin e saktë të “demokracisë” për t’u siguruar që audiencat në Shqipëri të mos ngatërrohen, pasi fjala mund të tingëllojë e re, dhe pas propagandës së gjerë për “demokracinë e re” të regjimit; çështje të tjera që mund të dalin gjatë ngjarjeve, të cilat mund të përdoren për të mbajtur programet dinamike dhe për të inkurajuar rezistencën ndaj komunistëve.

Detyrat e Komitetit Kombëtar

Pas formimit të komitetit kombëtar, ai duhet të kryejë këto aktivitete: Komiteti të ngrejë dhe të operojë në gazetë të përditshme, me fonde të dhëna fshehtësisht nga ne; Të organizohet shpërndarja e fshehtë e gazetës në Tiranë dhe në qytetet kryesore si Durrës, Vlorë e Shkodër. Nuk duhet bërë përpjekje të veçanta për forma të tjera propagande, pasi masa e analfabetizmit në vend është e lartë dhe rreziqet janë të mëdha; Të hartohen plane për ndihmë ndaj komitetit për krijimin e një stacioni radioje në Itali që mund të hyjë në valët e radio Tiranës e mundësisht edhe radio Beogradit, ky transmetues të veprojë fshehtësisht dhe duhet të jetë i lëvizshëm, qeveria italiane të informohet për ekzistencën e tij dhe të ftohet për të mos ndërhyrë; Komiteti do të nisë lidhje me elementë në Shqipëri, duke përdorur personin e tij shqiptar, me qëllim vlerësimin e situatës aktuale të forcave klandestine, mjetet në dispozicion dhe aktivitetet anti-komuniste. Objektivi i komitetit duhet të jetë zhvillimi i një rrjeti të fshehtë elementësh të rezistencës, bazuar në shpirtin e kundërshtisë kombëtare ndaj komunistëve. Nëse elementët aktualë nuk mund të organizohen mbi baza të tilla, të ndërmerren hapa për organizim mbi baza të tjera. Komiteti duhet të na mbajë vazhdimisht të informuar mbi situatën dhe aktivitetin e grupeve të rezistencës; Komiteti duhet të punojë për neutralizimin e aktiviteteve guerile pro-Tito, duke marrë në konsideratë shërbimet e Said Kryeziu në Rome dhe Auharren Bajraktari në Greqi, dy vëllezër në grupin gueril shqiptar në krah të Titos.

Koordinimi i aleatëve

Operacionet klandestine të inteligjencës nga agjencitë britanike e amerikane duhet të vazhdojnë në Shqipëri dhe të mbahen të veçuara nga operacionet e tjera, në mënyrë që të kontrollojmë informacionet e marra nga komiteti dhe agjencitë e tij. Në kohën e duhur, të përcaktuar nga ne dhe aleatët britanikë e francezë, komiteti duhet të nisë përgatitjet për veprim me qëllim përmbysjen e regjimit në Shqipëri. Masa dhe natyra e Forcave të Armatosura që do të nevojiten do të varen nga situata në kohën e organizimit të operacionit. Në kohën e duhur dhe me aprovimin tonë, Komiteti duhet të hartojë planet për marrjen në dorë të administratës qeveritare në Shqipëri, të hartojë plane për përfshirjen e grupeve të rezistencës dhe të drejtuesve guerrilë, për eliminimin e  komunistëve nga administrata dhe krijimin e një force efektive policie etj. Mbështetja të jepet e kushtëzuar me plotësimin e detyrimeve të Komitetit ndaj nesh; pra sapo të arrijë në Shqipëri dhe në konsultim me ne, të shpallin veten qeveri të përkohshme, për të kryer zgjedhjet e reja të Parlamentit dhe të shkruajnë Kushtetutën. Një referendum të mbahet për çështjet institucionale. Pas shpalljes së qeverisë së përkohshme, Shqipëria do të njohë marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të 7 prillit, 1939; të njohë kufijtë e Shqipërisë që mbeten si ato që ishin më 7 prill 1939. Projekte të detajuara të zhvillohen dhe të koordinohem me stabilimentin ushtarak, në mënyrë që  ambientet të përdoren për pritjen e armëve dhe municioneve. Nuk do të dërgohet haptazi personel ushtarak amerikan apo britanik në Shqipëri, deri në formimin e qeverisë së përkohshme nga Komiteti. Pak përpara, ose në të njëjtën kohë me veprimet në paragrafin e mësipërm, të merren hapa me anë të kanaleve diplomatike amerikane dhe britanike, për premtimin që Greqia të mos ngrejë pretendimet e saj territoriale për Jugun e Shqipërisë dhe të mos ndërhyjë në asnjë lloj forme gjatë krizës që mund të ndodhë.  Departamenti i Shteti duhet të nisë planet për mbështetje të plotë ndaj Komitetit pas ardhjes në Shqipëri, ndërsa gjatë kësaj kohe nuk duhet të ketë marrëdhënie të hapura të Departamentit me Komitetin. Në plane duhet të përfshihet dhe krijimi i stafit kompetent i Misionit Amerikan në Tiranë, si dhe masa për anëtarësimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.

 

Please follow and like us: