Albspirit

Media/News/Publishing

Bushati: Për hir të pushtetit Rama po zvarritet kokëulur pas LSI

Gazetari Andi Bushati në një opinion të tij, duke analizuar deklaratën e një dite më parë të Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, u shpreh se Rama është kapur me shpatulla prej muri nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe se për hir të  pushtetit Edi Rama po zvarritet kokëulur pas LSI-së.

Ai duke analizuar historikun e koalicionit të 1 Prillit, siç theskon Bushati, nënvizon pafuqinë e Ramës karshi aleatit të tij të qeverisë.

“Megjithëse ministri i mjedisit foli për kostot që partia e tij (LSI) po merr nga bashkëqeverisja me PS, lëshoi alarmin për policinë që po përgatitet të vjedhë zgjedhjet, akuzoi për fondet marramendëse që Rilindja urbane ka shpenzuar në Durrës dhe konfirmoi akuzat e opozitës për kanabizimin e vendit atij me siguri nuk do t’i hyjë ndonjë gjemb në këmbë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë, se ne kemi një kryeministër zemërgjerë dhe tolerant. Larg asaj. Për shumë më pak se kaq, ai e margjinalizoi në PS dhe madje e cënoi edhe fizikisht Ben Blushin. Për kritika tejet më të buta, ai e përjashtoi mikun dhe ish gurunë e tij, Kokëdhimën, nga forumet e partisë.

Por, me LSI-në ndryshon puna.  Shigjetat e saj  e kanë kapur Ramën me shpatulla për muri. Ai nuk ka ç’i bën Ilir Metës që i nxorri bojën me kërkesën për të thirrur Komisionin Kombëtar të Sigurisë, për mosarrestimin e Balilit. Ai nuk ka ç’i bën Petrit Vasilit që e tall publikisht duke kërkuar garanci tek administrata e Trump për mosprekjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Ai nuk ka ç’i bën njeriut që e ka shndërruar në gazin e botës, ministrit të vet Ylli Manjani, i cili kërkoi futjen e ushtrisë për të na shpëtuar nga kanabisi. Për hir të pushtetit Edi Rama po zvarriset në kokëulur pas LSI-së. Mjafton për të kthyer sytë pas, në mardhënien tre vjeçare me vëllezrit e vet armiq të së majtës, për të kuptuar se deri në ç’pikë ka degraduar kryerilindasi”, shkruan Bushati, i cili më tej radhit dhe analizon zanafillën e koalicionit PS-LSI.

Në fund të analizë së tij, Bushati, flet për strategjinë e LSI-së në këtë vit zgjedhor, ndërsa rinënvizon pafuqinë e Ramës për t”ju kundërvënë LSI-së. “Dhe e gjithë kjo strategji, sado hipokrite qoftë, po noterizohet nga Rama. I kapur peng nga ankthi i zgjedhjeve, i dërrmuar nga aferat e njëpasnjëshme, i pafuqishëm për të luftuar krimin dhe drogën, ai nuk po gjen forcë t’i thotë ndal aleatve të tij. Ai është tredhur aq shumë, sa nuk ka më as fuqi ta vërë LSI-në përpara alternativës: heshtni ose largohuni. Ai thjeshtë është kapur mat, duke dëshmuar kështu, se nuk janë deklarata si ato të Lefterit që përdhosin qeverinë, por se ajo ka kohë që është qelbur nga koka”, analizon Bushati.

Please follow and like us: