Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA nuk do t’i njohi zgjedhjet ruse në Krime


Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do ta njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare ruse në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit John Kirby tha përmes një deklarate se “Pozicioni amerikan për Krimenë është i qartë: gadishulli mbetet pjesë e Ukrainës. Sanksionet ndaj Rusisë lidhur me Krimenë do të mbeten në fuqi, deri kur Moska t’ia kthejë kontrollin e gadishullit Ukrainës”.

Zëdhënësi Kirby shtoi se “SHBA ndjejnë shqetësim të thellë lidhur me situatën humanitare në Krime, përfshirë gjendjen e komunitetit etnik tartar, për njoftimet mbi një numër të madh personash të zhdukur, si dhe shkelje të të drejtave të njeriut.”

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin tha se zgjedhjet në Krime janë “plotësisht të paligjshme” dhe se ai është i shqetësuar lidhur me numrin e madh të trupave ruse atje.

Ndërkohë, një grup i paidentifikuar protestuesish anti-rusë sulmuan të shtunën me fishekzjarre të shtunën në mëngjes ambasadën e Moskës në kryeqytetin e Ukrainës. Ata thërrisnin “Liri të burgosurve të Kremlinit” dhe “Zgjedhjet nuk kanë për t’u zhvilluar”.

Rusia mori kontrollin e Krimesë në mars të vitit 2014, pas një referendumi lokal, të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e cilësoi thuajse njëzëri, të paligjshëm.

Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar se ushtarët rusë kanë hyrë në gadishullin strategjik të Detit të Zi që para referendumit, por ka mohuar vazhdimisht mbështetjen e kryengritjes pro-Moskës në Ukrainën Lindore, që i ka marrë jetën rreth 10 mijë njerëzve që nga fillimi i saj në prill të vitit 2014.

Please follow and like us: