Albspirit

Media/News/Publishing

Parlamenti duhet të ishte i pari në radhë tek hapja e dosjeve

Astrit Patozi

Shtysë për fjalën time u bënë lajmet e djeshme, sipas të cilave ka nisur më në fund zbatimin ligji i hapjes së dosjeve në Shqipëri. Aplikanti i parë ishte familja e Musine Kokalarit dhe unë nuk kam çfarë të them përveç admirimit të kësaj familjeje që ka pritur për 27 vjet. Një nga ikonat apo emblemat e persekutimit politik në Shqipëri dhe shembullin e gjallë e krimeve të diktaturës. Me gjithë konsideratën që kam për familjen, prapë se prapë nuk prisja që të ishte kjo familje e parë.

Unë prisja që aplikanti i parë të ishte Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se kryetarit të Kuvendit, zt.Meta nuk i ka shkuar ndërmend kjo punë, e ftoj publikisht që ta bëjë sa më shpejt që të jetë e mundur një kërkesë ku kërkohet hapja e dosjeve fillimisht për 140 deputetët e Shqipërisë dhe pastaj ndoshta edhe për administratën e Kuvendit. Sigurisht, ai nuk e ka detyrim ligjor por ligji nuk e pengon. Nuk besoj nga dikush nga kolegët të kishte kurajë t’i kërkonte zt.Meta që të mos e bënte këtë.

Sigurisht, unë nuk kam ndryshuar mendim për ligjin e hapjes së dosjeve. Ne nuk e kemi votuar sepse mendojmë se lustracioni i duhet këtij vendi për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga e kaluara komuniste. Unë mendoj që shumë shpejt do të vijë koha që ky ligj të plotësohet edhe me elementin e lustracionit, sepse nuk mund të jetë më i rëndë bishti se sqepari.

Nuk mund të jetë më fajtor viktima, në këtë rast bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit se sa xhelati. Ky proces është cenuar në integritetin e vet që kur mazhoranca refuzoi të pranonte një përfaqësim normal të opozitës në këtë proces. Ne nuk morëm pjesë tek referendumi i Kushtetutës, por u konsiderua e miratuar dhe e vlefshme dhe sot e asaj dite ne flasim duke u bazuar mbi atë Kushtetutë.

Ajo që mund të bëjmë është se megjithëse ky ligj është i keq, për sa kohë nuk mund të ndryshohet me nismën tonë, ne t’i marrim atij, atë mund t’i merret sot. Ta bëjmë atë të aplikueshëm. Pse themi që Parlamenti duhet të kishte zënë radhën tek hapja e dosjeve?

Sepse e para do të ishte prova që ky është institucion që respekton nismat e veta, pavarësisht se kam bindjen se ajo ishte akrobaci e Edi Ramës për të kapërcyer një situatë të nderë. Ka edhe një arsye tjetër; që ky ligj të ketë një kuptim mbas 27 vjetësh nuk e bëjmë për të qetësuar disa shpirtra të vdekur, por që ky ligj të kishte një vlerë sot duhet të shërbente diçka për institucionet tona, demokracinë apo shoqërinë shqiptare.

Çfarë lidhje ka kjo me zgjedhjet? Unë e kam premtuar që 7 muaj nuk do të flasë gjë tjetër përveç se për zgjedhjet. Ka shumë lidhje edhe me zgjedhjet, sepse në radhë të parë nisja nga Parlamenti i transparencës në të kaluarën mund t’u mbyllte rrugën atyre që mund të rezultojnë të ftohur nga hapja e dosjeve. Ligji nuk e ndalon dhe ky është nonsens. Ne po heqim mandate për patenta false, imagjino që një njeri që ka spiunuar gjysmën e ndërmarrjes apo gjymsën e qytetit të vet, të vinte e të thoshim që ky nuk është problem për institucionet shqiptare.

Nuk besoj që dikush pasi të rezultonte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit të kandidonte më, pasi të bëhej publike. Insistoj që ky Parlament duhet ta fillojë nga vetja këtë proces. Ky Parlament që është batlosur nga heronjtë e zhurmshëm të dekriminalizimit, mendoj të kishte edhe heronjtë e heshtur, që janë ish-bashkëpunëtorët e sigurimit që mund të bien në sitë për shkak të zbatimit të këtij ligji.

Po kështu mendoj se aplikimi i këtij ligji tek Parlamenti mund të dekurajonte edhe të tjerët që mund të jenë bërë gati të hynin në këtë sallë. Do të sensibilizonte edhe kryetarët e partive që përpara se të firmosnin listën e kandidatëve për deputetë, ta çonin listën tek znj. Genta Sula, se mbase mund të ngecte ndonjëri. Mbi të gjitha, do të shërbente si model për një sërë institucionesh të tjera që këtë ta aplikonin edhe institucione shumë të rëndësishme që të pastroheshin pasi mund të jenë ende në detyrë.

Ligji nuk e pengon, por ai që do të rezultonte i tillë, apo titullari le të vazhdonte t’i mbante pasi publiku ta marrë vesh se çfarë kanë bërë. Fjala vjen por marr mediat. Kanë nevojë për transparencë të plotë për këtë çështje, pasi ka evidenca që disa nga bajlozët e mediave kanë 27 vjet me radhë nga mëngjesi deri në darkë i shesin moral kësaj shoqërie, ndërkohë që mund të jenë të zhytur në llumin e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit.

Please follow and like us: