Albspirit

Media/News/Publishing

Spanja heq vulën Apostille për dokumentet me Shqipërinë

Pas Italisë, Belgjikës dhe Gjermanisë, një tjetër vend anëtar i BE-së, Spanja, fillon zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve me Shqipërinë, sipas Konventës së Hagës.

Ministria e Jashtme informon se Spanja vendosi të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s.

Tanimë, të gjithë dokumentet zyrtarë të prodhuar nga autoritetet e të dyja vendeve do të apostilohen pa pasur nevojë të legalizohen nga përfaqësitë respektive diplomatike.

“Për çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare dhe që do të paraqitet në Spanjë do të kursehet tarifa e legalizimit nga autoritetet spanjolle, me vlerë 20 euro/dokument, si dhe koha e pritjes do të përgjysmohet” informon ministria e Jashtme përmes një njoftimi për shtyp.

Gjithashtu, dokumentet e prodhuara nga autoritetet spanjolle, për të qenë të vlefshme në Shqipëri, duhet të pajisen me vulën Apostille të lëshuar nga institucionet soanjolle, pa pasur nevojë të legalizohen në Ambasadën tonë në Madrid. Edhe në këtë rast, kursehen 20 euro/dokument dhe ulet ndjeshëm koha e pritjes, vijon njoftimi i ministrisë.

Ministria e Jashtme thotë se mezi pret edhe nga Greqia zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve “si një sinjal të qartë të përkushtimit ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë”

“Një vendim i tillë, në të njëjtën linjë me vendet e tjera anëtare të BE-së, do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe mbi të gjitha duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe kohën për legalizimin e dokumenteve” nënvizohet 

“Jam shpresëplotë se do të ecim në këtë drejtim, pasi çdo ditë punojmë për të mundësuar shërbime konsullore të sigurta, transparente dhe me kosto të ulët, dhe jo më radhë të gjata dhe shërbime sipas xhepit”,  mbyllet deklarata.

Please follow and like us: