Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir VATA: Si bëhesh i djathtë, atje te teqja e djallit

 

Mjafton të kesh mendimin se je i djathtë apo thjeshtë të të shkrepet se je i tillë dhe pa ditur e pandehur bëhesh i djathtë, s’ka rëndësi se ke në origjine një komunist, je spiun i Sigurimit të Shtetit apo ke qenë shërbëtor i diktaturës, madje mund kesh qenë ordiner i cilësuar nga ligji, por thjeshtë të shkrepet dhe je i djathtë.

Në të vërtetë, e djathta në Shqipëri nuk është se ka ndonjë traditë politike po rrënjët e saj i ka te vlerat e traditave, lirisë së fjalës, familjeve të mëdha apo tregtare, qëndresa atdhetare konfigurojnë të djathtën shqiptare si origjinë, ndërsa për aspektin politik e djathta nuk egziston vetëm me ca identitete politike siç janë ato me bazë të përndjekurit, pronarët, ballistët dhe legalistët që vijnë nga kjo origjinë, pra kemi një të djathtë që e konfigurojmë të tillë, por të tjerë hiqen.

Këto vite janë bërë të gjithë të djathtë dhe të gjithë të majtë, madje nga ish-komunist me pushtet në diktaturë dhe për 25 vite në post-diktaturë në një ditë të vetme është bërë i djathtë. Raste të tilla janë të shumta, madje eksponentë të lartë të politikës, janë prezentë me dyfytyrësinë politike.

Ndërsa vetë të djathtët ndihen të vetmuar, sepse ata të vetëshpallurit të djathtë i quajnë të majtë dhe më keq akoma që i shërbejnë komunizmit, pa të pyetur nga vjen dhe sa ke vuajtur dhe çfarë kontributi ke, çfarë tradite apo nga ç’derë vjen. Ka nga ata që, kur erdhi komunizmi nuk kishin nallane, tani janë të djathtë dhe milionerë nga korrupsioni ndër vite në pushtet dhe s’ka pikë pendese nëse në diktaturë ka shënuar krime, apo pas saj ka bërë zullume duke e kthyer pushtetin në një mjet për të vjedhur të mirat e qytetarëve, por thjeshtë janë bërë të djathtë, thjeshtë se ashtu u thonë.

Bëhen të djathtë ku të munden dhe me fjalë sepse ende pas 26 vitesh nuk ka patur një transparencë me të shkuarën dhe cilido mund të fshehë të vërtetën, madje dhe krimet që ka bërë në kohë të diktaturës.

Të djathtë në vaki është rasti më i zakonshëm madje me vdekjen e shkrimtarit pati dhe politikanë që deshën të bëheshin të djathtë duke hedhur edhe llum, madje e akuzuan deri aty sa i thanë komunist (në të vërtetë ishte edhe antar i KQPP, por që s’e mohoi kurrë dhe asnjëherë nuk tha se ishte i djathtë, por vetëm shkruante) dhe iku në atë botë siç ishte.

Por harruan qëndrimin e tij në mes të komunistëve kur kishin nisur ndryshimet, dhe pavarësisht çfarë ishte dhe se ç’vlera ka, koha është gjykuesi, por ajo që vret është se pati spekulantë nga ata që deshën të hiqeshin dhe të bëheshin të djathtë, madje dhe antikomunistë, duke hedhur nga një qokë injorance mbi një vaki.

Nuk bëhesh i djathtë se shkon në qokë, apo siç ka ndodhur me të vrarët në 1997-1998, pasi të gjithë ata që u vranë në protesta, u shpallën dëshmorë dhe morën medalje, tashmë janë harruar; apo siç ndodhi me të vrarët e 21 Janarit që ende për ta nuk ka drejtësi, por i djathtë bëhesh me mendim për shtetin e vlerave, për demokracinë, lirinë në treg dhe vetë shtetin ligjor dhe atdhetarinë kombëtare, mbi të gjitha duke dhënë drejtësi për të gjithë.

Por në Shqipëri rregullat janë ndryshe nga demokracitë e botës sepse këtu ka vetëm të majtë, politika ka vetëm një sharm, atë që lidhet me të shkuarën dhe rregullat nuk i bëjnë institucionet dhe pavarësia e tyre, por ca nga ata të regjimit që janë shndërruar në të djathtë sa herë kanë patur interesin e tyre të ulët. Këtu nuk ka konkurencë alternativash, por luftë për pushtet dhe pasurimin e një grushti njerëzish, por kjo s’është e djathta. Pra bëhesh i djathtë, mjafton të shkosh në teqenë e djallit, te ngrehina imagjinare e së djathtës, ku në të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me të djathtën në Shqipëri, përkundrazi është vadha e mbetjeve të diktaturës dhe spiunëve të Sigurimit të Shtetit që morën formë sipas enës ku i futën dhe në këtë rast në qypin e vjetër të regjimit, si dëshmi e gjallë dhe provë e madhe se çfarë mbetjesh la diktatura pas.

Diktatura nuk shënoi vetëm krime, burgosje dhe internim të shqiptarëve, por solli pasoja të pariparueshme të një shoqërie të tërë sepse ju shpërlau trurin, zhduku memorien kombëtare, zhduku çdo vlerë të mirë, fenë, besimin, zhduku traditën dhe rrënoi një komb të tërë duke e lënë në mjerim. Do duhen ende dekada që brezi ri të kuptojë të vërtetën e madhe, makthin ku kanë jetuar prindërit e tyre në diktaturë dhe në trazicionin gjysëm-diktatorial për 26 vite radhazi, e të njëjtën sëmundje dhe me të njëjtat simptoma si dhe ato në diktaturës. Cilido mund të bëhet i djathtë, mjafton të bëjë si spiunët e Sigurimit dhe të shkojnë në teqenë e djallit dhe jeni të vetëbërë të djathtë.

 

Please follow and like us: