Enkel Demi

Ndërsa në Durrës ngriheshin pallatet shumëkatëshe, arkeologët mblidheshin me sitat e tyre në Sukth. Atje makinat e rënda derdhnin mbeturinat që nxirrnin në gropat e themeleve. Arkeologët si amvisat që qërojnë orizin sitnin dherat dhe diku gjenin një bisht amfore, diku një enë balte.

Kjo ka ndodhur pandalur gjithë këto vjet në qytetin bregdetar të mbretërve ilirë, të periudhës venedikase, të mesjetës, kur qyteti gjashtë muaj ishte i Bizantit, gjashtë muaj i Romës. Ky është qyteti që drejton prej sa e sa vitesh Vangjush Dako, të cilin të gjithë e njohim me emrin Gjushi.

Përse ai fiton përherë garat në këtë qytet, duhet ta gjejmë tek dashuria që ka për betonin. Nëse kryetari i Bashkisë do të kishte të njëjtën dashuri për drurin dhe do të udhiqte një sipërmarrje druri “Veleria” do qe e tillë, por një dashuri kaq romantike nuk e gjen dot tek pushtetarët e Shqipërisë e veçanërisht tek mëtonjësit e Rilindjes Urbane.

Gjushi dhe shefi i tij i Tiranës e kanë ndarë mendjen të ngurtësojnë në beton 6 milionë euro, sepse “beton bëjmë, beton shesim, beton fitojmë”. Për fatin e tyre të keq, “Veleria”, ky neologjizëm në dialektin e bukur durrsak, po mbin mbi rrënojat e murit të lashtë të qytetit, kurse ajo gropë shtresa-shtresa na rrëfen historinë e tij nga gladiatorët deri tek jeniçerët. Nuk di, kur ka ardhur Gjushi në qytet, por thotë që është “venali”. Nuk ngjan aspak si i tillë. Një njeri që qahet se kudo në Durrës ka rrënoja, ndaj i bie që mos të ndërtojmë më, nuk është “venali”. Është njësoj si Haxhi Qamili që donte të zbriste në Durrës të bënte synet Princ Vidin dhe të rrafshonte qoftë dhe një gur që i shenjonte Perëndimin.

Një “venali” nuk duhet të ankohet se ka nën tokë një pasuri që do sillte gjithë botën në Durrës. Nuk ankohet që ta mbulojë me me katrama e çimento si thotë kënga e Çelentanos.

Ai po sillet me Durrësin shumë më keq se Neroni me Romën. Ky i fundit i vuri flakën, por jo kazmën. Këta po duan ta varrosin përjetësisht të shkuarën dhe guxojnë e mbajnë simbol të qytetit Teutën. Simbol i qytetit duhet të jetë Gjushi dhe vetëm Gjushi, nëse betonojnë muret e vjetra dhe ngrejnë velën e Edi Ramës, të cilën me siguri e ka vizatuar në ndonjë mbledhje qeverie. Njeri tekanjoz që ashtu si Neroni i Romës shijon shfaqjen e çastit të veprës mediokrre dhe harron pasojën. Kot bën si patriot, po zhduku historinë, duhet t’i pranojmë serbët dhe grekët të na dalin autoktonë, ndërsa vetë mos të bëjmë zë, nëse na thonë që kemi ardhur dherat e Indisë apo Afrikës.

Më janë kujtuar shumë këto ditë tre musketierët e trashëgimisë kulturore: Artan Shkreli, Artan Lame dhe Auron Tare. Më është kujtuar që u bë gjysma e kiametit, kur Presidenca ndërroi kangjellat. Tani heshtin si peshku në ujë. Ose i ka blerë betoni, ose kanë frikë ideatorin e “Velierës”, udhëheqësin e vizatimit.

Në fund, duhet me sqaru’ edhe “venaliun” që përse shqetësohet një çam, i lindur në Tiranë që në Durrës vjen, veç të shullohet në diell dhe të hajë ndonjë drekë. Është e thjeshtë, unë dua vendin tim, i cili më përket nga njëra qoshe në tjetrën. Kam fatin e keq që kam lexuar nja dy libra. Kam hallin që kur t’i rrëfejë ndonjë mysafiri qytetin t’i flasë për mbretërit ilirë dhe jo për dashnorët e betonit. Kam dëshirë që mos të ndjehem patriot, vetëm kur luan Shqipëria futboll, por kur të drejtoj gishtin tek ai mur që ka dalë në dritë, ashtu si kam bërë në Currila me muret e mbuluara nga deti.

Po ku e kupton “venaliu” që unë jam çam, po aq sa jam durrsak, shkodran, tironc, sepse besoj që rrjedh nga fisi i asaj pirates së detit, Teutës që aq mirë e rrëfen në libër Mira Meksi, por këta që e kanë në dorë të sotmen vështirë e kanë ta lëçisin pa mësuar më parë shkronjat.