Albspirit

Media/News/Publishing

Protesta si akti i parë serioz i opozitës

Partia Demokratike ka nisur sot atë që kishtë ditë që e premtonte: protestën e zgjatur deri në rezistencë ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Dinamika e ngjarjeve të sotme në bulevardin e Tiranës, ka përgënjeshtruar të gjitë zërat kundër protestës, të cilët çuditërisht vijnë edhe nga mediat. Pjesëmarrja ka qenë masive, duke përftuar kështu seriozitetin e PD-së në organizimin e saj. Ajo është zhvilluar pa incidente, korrekte dhe në përputhje me pritmërinë e një qëndrimi me orë të zgjatuara nga një parti e cila po kërkon garanci për zgjedhjet parlamentare te largimi i kryeministrit aktual. Skenari i saj imiton grevën e socialistëve duke lënë pa argument politik PS-në dhe pastruesin e saj në Bashki. Vetë kjo kërkesë rrëzon pretendimin se PD-ja po kërkon pushtetin në tavolinë, pasi nuk duhet ngatërruar garancia për zgjedhjet me defiçitin elektoral që mundet që opozita të ketë akoma edhe sot në raport me koalicionin qeverisës.

Edi Rama është një kryeministër që ka ideuar dhe menaxhuar, pa u distancuar njëherë të vetme, një Grup Parlamentar, i cili është qëllimi për të cilin u kalua ligji për dekriminalizimin. Deputetë me precedentë penalë që kërcyen në vendimmarrje, kryetarë bvashkish të kërkuar e të gjykuar për vepra të rënda, në një kontekst ku kanabizimi nuk është akuzë, por realitet i prekshëm, të gjitha këto janë në finale ai fond që i garanton kryeministrit infrastrukturën në terren për të maksimalizuar me teknika ekstraelektorale një votë që nuk e jep dot cilësia e qeverisjes. Ky është fakt dhe sadoqë propaganda qeverisëse përpiqet të ngulisë idenë e një Shqipërie që ndryshon dhe optimiste, ai mbetet realiteti i përditshëm i një vendi që vuan një krizë shumëplanëshe dhe komplekse.

Një krizë koniunktura politike e së cilës është pasojë edhe e personit Edi Rama. Dhe këtë aspekt nuk kemi pse ta neglizhojmë, sa kohë që akuza për lidhje me krimin është në fakt akuzë direkte personale.

Shumëkush po përpqiet të kultivojë idenë se në protestë është investuar për një axhendë të Berishës dhe familjes së tij që kërkojnë të shmangen nga drejtësia. Mundet edhe kjo të jetë e vërtetë. Por le të sjellim menjëherë në vëmendje se halle me ligjin ka edhe kryeministri i tanishëm, ministrat e tij etj..

Përkundrejt përpjekjes për relativizim qëndron një pjesëmarrje e madhe dhe një lexim i palëkundshëm që riprodhon thuajse përditë ekzistencën e një opozitarizmi në rritje në Shqipëri ndaj kësaj qeverie. E cila është e para që po evidenton përveç korrupsionit edhe paaftësinë si problem më vete. Ndaj çështja kryesore e protestës sot është sa do të bëhet ajo përfaqësuese e opozitarizmit në vend? Sa do të rezitojë ajo? Sa do të vazhdojë dhe a do të mbyllet pa produkt?

Ata që sot bëjnë fshirësin e xhamave në media, duhet të shqetësohen për faktin se dështimi i protestës nuk është opsion që mund të shtrohet në tavolinë, pasi kjo është vetëvrasje. Mbi të mund të shpresohet për rezultatin, por asnjëherë për mbylljen e saj me Edi Ramën që ia del pa lagur. Është krejt paradoksale që ky i fundit sot është treguar më serioz sesa mediat që i krehin bishtin, kur në emër të një morali fals, por edhe frike ka postuar një mesazh që sillte në vëmendje 21 janarin dhe bulevardin e përgjakur. Një përpjekje e kotë që synon të kapitalizojë Shqipërinë e rilindur imagjinare përmes një proteste që ai e di shumë mirë se ka axhendë largimin e tij. Dhe nuk ka pse të mos besojmë që axhenda në fjalë të mos jetë thjesht aventurë e Lulit, siç përpiqen fshirësit e xhamave të thonë, por e koordinuar me të tjerë.

Edi Rama nuk mund të vrasë njerëz në një protestë që nuk ka hedhur një gur. Ai nuk mund të bëjë krahasime të tilla, pasi sot është në pushtet pas një procesi zgjedhor të rregullt dhe pas të cilit personi që sot drejton protestën dha dorëheqje. Pushteti i sotshëm i të majtës nuk është produkt i presionit dhe dhunës së ushtruar më 21 janar, të cilën Edi Rama e tradhëtoi, por i një akti demokratik që janë zgjedhjet. Këtë leksion PD-ja e di më mirë nga të gjithë dhe i vetmi gabim që provon të kundërtën e sjelljes së saj është 14 shtatori. Dhe këtë leksion bën mirë ta fiksojë edhe kryeministri që ndoshta sot po sjell në mend se “sa shpejt ikën koha”.

Në fund meriton vëmendje trajtimi mediatik i protestës nga disa media. Është e qartë tashmë se e majta në botë funksionon si një kishë e moralit civil. Mediat, rrjeti i saj, opinionistët, këta priftërinj pa uniformë duan të caktojnë çfarë është mirë dhe keq, çfarë është rrezik dhe çfarë jo.

E mira e do që në një vend si Shqipëria protesta si e tillë të përkrahet, pasi edhe vetë qeveria vihet në pozita pune. Protesta duhet vështruar me pozitivitet, ajo është kaq e rrallë në këtë vend. Në fund secili vendos me votë. Të mbash gjallë me serume një alibi, apo të përpiqesh të ridikulizosh një organizim masiv, kjo vetëm mision i një medie nuk është. Është me interes të pyetet se çfarë mendon Rama për këtë çështje, i cili dikur, kur u fsheh nga greva dhe la të tjerët ta bënin për të, u tall në gazetën e Aleksandër Frangajt me titullin se “nuk e linte mami të hynte në grevë”. Sot Frangaj është në një krah me të formalisht, sikundër shumë media i bëjnë hosana. Ku është kazani këtu z. Kryeministër na e sqaroni dot? Kazani është pushteti, sidomos ai që nuk do të dëgjojë, ai që është kthyer edhe në problemin e vetvetes. Çështja është që ky problem të futet në karantinë dhe të eliminohet për pjesën tjetër. Ose të bëhet të paktën një përpjekje, e cila kuptohet fshirsit e xhamave nuk i lë pa punë./respublica/

Please follow and like us: