Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Trump dhe marrëdhëniet e trazuara me median

Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump sulmonte vazhdimisht median. Përgjithësisht pritej që ai t’i zbuste sulmet kur të bëhej president. Por siç njofton korrespondenti William Gallo, nuk ka shenja pozitive se marrëdhënia e tij me shtypin po përmirësohet:

Duket se Donald Trumpi e shijon jashtë mase përplasjen me gazetarët.

“Nuk do të të jap të drejtën të bësh pyetje. Ti përfaqëson lajmet e sajuara,” i drejtohet Trump një gazetari.

Ai përplaset me gazetarët thuajse përditë, duke i akuzuar se nuk meritojnë besimin e publikut dhe se vetëm duan ta kapin:

“Siç e dini, jam në luftë me gazetarët. Ata janë ndër krijesat më të pasinqerta në botë”, – thotë Trump.

Presidentët amerikanë kanë pasur përplasje edhe më parë me median, por në këtë rast kemi të bëjmë me një nivel tjetër preokupimi me median, shpjegon profesori i Universitetit George Washington, Steven Roberts.

“Kam qenë gazetar për zhvillimet politike në Uashington që nga 1964 dhe nuk kam parë ndonjëherë një figurë publike kaq të fiksuar pas medias”.

Trump ka tërhequr vëmendjen e medias edhe para se të hynte në politikë dhe këtë vëmendje ka ditur si ta shfrytëzojë në interes të tij. Në një prej librave që ka botuar për përvojën si biznesmen, ai shkruan: “Kam mësuar se shtypi gjithmonë e mirëpret një histori interesante; sa më sensacionale historia, aq më mirë”.

Trump thotë se reagimi i tij është në kundërpërgjigje të sulmeve të medias. Por biografja e tij, Gwenda Blair mendon se do të ishte gabim të shihej në këtë prizëm beteja me shtypin:

“Njerëzit mund ta harrojnë lehtë faktin se atij i pëlqen shumë konfrontimi. I pëlqen një mjedis konfliktual, agresiv dhe i ngarkuar. Njerëzit mendojnë se ai thjesht po reagon ndaj një diçkaje dhe pastaj gjërat do të normalizohen. Në fakt konflikti është normalja për të”.

Nuk është e qartë nëse kjo strategji do të funksionojë tani që Donald Trumpi është president. Që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë popullariteti i tij ka rënë. Por një anketë mbi opinionin publik kohët e fundit tregoi se më shumë amerikanë i besojnë Donald Trumpit se sa medias.

Please follow and like us: