Albspirit

Media/News/Publishing

Mirela Milori: Ju tregoj historinë time

Nga Anxhela Ferra

“Gruaja e Këpucarit”, libri nga shkrimtarja italo-amerikane, Adriana Trigiani tregon jetën e Enza dhe Ciro. Një libër i cili përshkruan një histori të vërtetë, ku çdokush gjen veten në faqet voluminoze. Një dramë dashurie, humbje dhe gjetje të vetes e jo vetëm, emigrimi nga Italia në Amerikë.

‘Një libër i pabesueshëm për të qenë i vertëtë’, kështu e quan Mirela Milori, përkthyesja e librit.

“Ka qenë një propozim nga Vasilika Tafa, shtëpia e librit OMBRA GVG. Në fillim isha pak skeptike por historia është shumë tronditëse.

Është një histori brezash, një histori e vërtetë pasi shkrimtarja tregon historinë e gjyshërve, të cilët kanë emigruar nga Italia për në Amerikë. Një histori dashurie mes dy 15 vjeçarëve, e nisur diku në Alpet e Italisë. Jeta, Lufta e Dytë Botërore hyn mes tyre dhe ata ribashkohen në Amerikë, ku edhe martohen atje. Ajo nuk mund të udhëtonte e nuk e pa më kurrë vendlindjen e saj dhe ai në moshën 51 vjeç ka parë përsëri mamanë e vet pas më shumë se 40 vitesh. Këto janë fakte historike, reale.

Historinë e pabesueshme të gjyshërve të saj, shkrimtarja e ka mbushur me pak trillim. Është një histori në kufijtë e të pabesueshmes. Ka pasur momente të përkthimit ku unë e kam lënë, pasi jam përlotur.

“Gruaja e këpucarit” është një libër voluminoz dhe kjo ishte një sfidë për mua. Ishte një punë e cila zgjati më shumë se një vit.

Ka qenë një punë shumë e madhe pasi, më është dashur të shoh shumë edhe për kostumografinë, sepse personazhi kryesor është rrobaqepëse dhe stiliste, kam parë në google earth çdo vend ku vendosej ngjarja. E kam si film gjithë historinë.

Kush ka emigruar e gjen veten në libër, por nuk është vetëm emigranti. Ky është një libër për një njeri që ka humbur një dashuri,  ka rigjetur dashuri, për një njeri që ka pasur forcën të humbasë një dashuri të virgjër dhe ta rigjejë pas shumë kohësh edhe të vërtetën. Një prind i cili nuk ka realizuar ato çka ka dashur për fëmijën, e gjen veten tek ky libër. Në libër ka humbje e vdekje të papritura e të pameritura. Është një libër shumë i vërtetë dhe i ka të gjitha, për këtë arsye, çdokush mund ta gjejë  veten te “Gruaja e këpucarit”.”- thotë Milori.

Gruaja e kepucarit

Mirela Milori është një nga fytyrat më të dashura të lajmit në Shqipëri. Nga të paktat vajza që duket sikur ruajnë të njëjtin portret, përcjellin të njëjtin besim dhe të krijojnë të njëjtën ndjesi; që koha për ca njerëz, thjesht nuk ka kuptim. Sepse as koha nuk ka ç’të bën, kur je kaq e mirë sa Mirela Milori.

E ka nisur profesionin e gazetarisë që në moshë të re në televizionin “Alba”, për të kaluar më pas në atë që do të bëhej edhe shtëpia e saj, “Tv Klan”. Por në vitin 2007, Milori bëhet një zë i rëndësishëm larg Shqipërisë e drejtë Amerikës, ku nis punën në ‘Zërin e Amerikës’.

Ndërkohë prej katër vitesh, Mirela është kthyer në Shqipërinë dhe profesionin e vet, si spikere e tv informativ “ABC News”.  Edhe pse është larguar fizikisht nga Amerika, gazetarja shkon shpesh atje, jo për vendin më tepër, sesa për Aiden, djalin e vet.

“Djali mbush 11 vjeç këtë vit, ai shpesh thotë që është një amerikan me gjak shqiptar. I përket nje brezi shumë të informuar. Është një fëmijë  pasionant, sapo kaloi faza e dinosaurëve, sistemeve diellore e galaktikave dhe tani jemi përqëndruar te personazhet e Star Wars. Flasim pothuajse përditë, fundjavave bisedat janë shumë të gjata, pasi nuk dua që ta shkëpus shumë nga mësimet gjatë javës.

Sado që është i ndrojtur, unë e kam marr njëherë te studio e “ABC” e te “Zëri i Amerikës” dhe ai ishte shumë i çlirët kur lexonte lajmet dhe kontaktin me kamerën e kishte shumë të lehtë. Edhe në matematikë është shumë mirë, por këtë dhunti e ka marr nga i ati, i cili është më analitik se unë. Të zgjedhë atë profesion që do por është e rëndësishme që të bëhet zot i vetes dhe të mos jetë i varur.”- tregon Mirela për dritare.net, e cila e ka projektuar jetën në dy kontinente.

Mirela dhe djali

Milori tregon eksperiencën e saj në dy shtete të ndryshme dhe pasionin për gazetarinë e mirë.

Dritare.net– Në 1 gusht 1998, për herë të parë në Tv Klan keni thënë mirëmbrëma. Si ishte të bëje gazetarin asokohe?

Mirela Milori- Në kohën kur kemi nisur ne, tregu ishte bosh, të paktën televizoni, sepse unë jam produkti i tij. Kur filluam e morëm me shume përgjegjësi dhe seriozitet, një gabim që bëhej një herë nuk mund të bëhej për herën e dytë. Vetëm kam dëgjuar, gjë që unë e bëj edhe sot e kësaj dite.  Unë kam pasur fatin të punoja me njerëz shumë të mirë, ka qenë një redaksi shumë profesioniste me kryeredaktor Fatos Baxhakun. Në atë kohë nuk diskutoja asgjë, pasi doja vetëm të fitoja nga përvojat e tyre.

Dritare.net– Pasi largoheni nga Klani, shkoni në Amerikë dhe në 2007-ën nisni të punoni te Zëri i Amerikës. Si ishte ky kalim?

Në pikëpamjen televizive nuk ka një ndryshim, nuk kisha asnjë mangësi teknike. Përvoja atje ishte një peshë e madhe, mjafton të ecësh në korridoret e “Zërit të Amerikës” dhe shikon historinë. Mëson standardet e lajmit, nuk mund të jetë pa dy burime, nuk mund të ketë fjalë parazitare. Duke qenë një format dietik nga parazitizmat, më bëri shumë mirë në formimin tim.

Redaksia e “Zërit të Amerikës” është një vlerë e shtuar për gjuhën shqipe dhe ne duhet të mësojmë nga ata. Kjo pasi gjuha shqipe në vend po kalon një moment depresiv, nuk respektohet gramatika, hyrja e fjalëve të reja.

VoA

Dritare.net– A kanë gazetarët sot të njëtën përgjegjshmëri dhe pasion për profesionin?

Gazetarinë e bëjnë njerëzit, dhe nëse ai është një njeri i keq apo i mirë, do ta reflektojë këtë gjë. Detyrë jonë është të jemi të baraslarguar ndaj së vërtetës. Ne e kemi shumë afër politikën dhe njerëzit që bëjnë lajmet ndonjëherë bien pre e autocensurës, ka njerëz që e shohin gazetarinë si biznes dhe i kanë parë të mirën. Por një profesionist di sesi ta ruajë veten nga ekstremet.

Dritare.net– Çfarë është lajmi dhe sa e përfaqësuar është shoqëria shqiptare me median?

Lajmi është lajm, nëse i plotëson 5W, atëherë nuk ka dyshime. Lajmi njësoj është si në fillime kur dergohej me papirus, ashtu edhe sot.

Si në çdo vend edhe në Shqipëri media është një përfaqësim i shoqërisë, shumë herë njerëzit i turren medias. Media e formatit amerikan apo britanik do të dështonin këtu, sepse shoqëria nuk e do dhe ti nuk mund të japësh një ushqim që nuk përtypet.  Ne jemi në media ata që jemi në shoqëri. Nëse media çalon diku, do të thotë që edhe ne si shoqëri çalojmë.

Dritare.net– Cilat janë lajmet që nuk doni të transmetoni?

Kur jap lajmet për dhunë në familje përpiqem shumë që ta lajmëroj publikun para se të shfaqen pamjet. Nuk më pëlqen të jap lajme që i bëjnë jehonë një banaliteti apo një modeli të gabuar.

image-13-660x400

Dritare.net– Si jeni kthyer në një prej fytyrave më të besueshme të lajmit, një model për vajzat e lajmeve në vend. Çfarë të bëri të tillë?

Natyra ime e gazetarisë nuk më lejon të kem klithma e të bërtitura gjatë një interviste, por gjithmonë e marr  përgjigjen që kërkoj. Dhe lajmi bëhet me intervista të tilla. Më shumë ka ndikuar dhe fakti që kam punuar e kam mësuar nga më të mirët, me mjeshtra të imazhit.

Sipas meje asnjëherë nuk mund të hysh e papërgatitur në edicion dhe duhet të jesh një lexues i mirë i lajmeve. Të jesh i përgatitur do të thotë të jetosh me lajmin, në mënyrë që të mos shpëtojnë detaje.

Dritare.net– Sa fuqi ka televizioni përballë mediave të reja në përcjelljen e një informacioni?

Unë nuk e imagjinoj dot një jetë ku njerëzit të hyjnë në shtëpi e të mos hapin televizorin për të dëgjuar se çfarë bëhet. Nëse ky televizori do të jetë në mur, nëse do të jetë në orën e dorës apo do të shfaqet në një formë që unë nuk e imagjinoj dot, përsëri njeriu do ta kërkojë informacionin.

Por ky është një moment krize për televizionin. Televizioni duhet të hyjë në një fazë për të kuptuar se çfarë transmeton, më pas hyn në edukimin e publikut me të mirën e informacioneve. Mendoj se jemi në momentin ku duhet të rishikojmë vetveten, në bazë të kërkesës por edhe të cilësisë së lajmit. Duhet të bëjmë një qëndresë në mënyrë që mos të plotësojmë kërkesa për banalitete mbi cilësinë.

Please follow and like us: