Albspirit

Media/News/Publishing

Paçarizi: Gjuha shqipe si lëndë në Turqi, lajm i mirë për 6 milionë shqiptarët atje

Profesori i gjuhës shqipe, Rrahman Paçarizi po e sheh si lajm jashtëzakonisht të mirë faktin se Turqia ka futur gjuhën shqipe si lëndë mësimore zgjedhore në shkollat e mesme.

“Është një moment i rëndësishëm pasi dihet se në Turqi jetojnë më shumë se 6 milionë shqiptarë të cilët kanë nisur të humbasin gjuhën shqipe, madje ajo ka mbetur si relikt vetëm tek gjeneratat më të vjetra”.

“Jam i bindur se futja e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore do të ndihmojë ringjalljen e gjuhës shqipe, ky është një trend interesant në respektimin e të drejtave të minoriteteve”.

“Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Itali me arbreshët e Italisë ku atje tashmë janë të dukshme efektet e para, një moment po aq interesant kemi pasur edhe me hapjen e shkollës shqipe në Zarë të Kroacisë”.

Gjuhëtari Paçarizi që ishte i ftuar në Kosova Direkt në Klan Kosova ka thënë se megjithatë përvetësimi i gjuhës shqipe mund të jetë i vështirë, por jo i pamundur.

“Përvetësimi i gramatikës mund të jetë i vështirë, pasi sistemi gramtikor i gjuhës turke është tjetër, por megjithatë “gjurmët” e gjuhës shqipe nga prindëerit dhe gjyshërit mund t’i ndihmojnë”.

“Nëse arbreshët kanë arritur të ruajnë gjuhën e tyre më shumë se 600 vjet, edhe shqiptarët e Turqisë kanë arritur të ruajnë gjuhën shqipe këto 60 vjetët e fundit andaj besoj shumë se gjuha shqipe do të ringjallet edhe për faktin se Kosova dhe Turqia kanë një realcion shumë të mirë”.

Sipas profesorit të gjuhës shqipe, mund të jetë e vështirë edhe gjetja e kuadrove për mësimdhënie.

Por ai e sheh si një mundësi shkëmbimin e kuadrove mes Kosovës dhe Turqisë.

“Ndoshta nuk ka ligjëruesë të mjaftueshëm mirëpo mund të shfrytëzohen burime edhe nga këtu pasi raportet mes të dyja vendeve janë të mira dhe mund të shfrytëzohen edhe për shkëmbim kuadrosh”.

“Kjo do të ishte edhe një rast i  mirë që njerëzit nga këtu ta shohin në perspektivë edhe mundësinë e punësimit në Turqi”.

Profesori Paçarizi ka deklaruar se pavarësisht që nuk mund të pritet që gjuha shqipe të flitet në Turqi ashtu si në Kosovë, mjafton që shqiptarëve atje t’u rikthehet ndjenja kombëtare më fuqishëm, përmes gjuhës.

Please follow and like us: