Albspirit

Media/News/Publishing

Dhe e quajtën Revolucion Kulturor

Një regjisor kinez, asokohe nxënës, tregon se si filloi fushata maoiste. “Një festë”. Pastaj erdhën kontrollet, denoncimet. Dhe njerëzit filluan të zhduken …

Pekin. Cili është kufiri mes të mirës dhe të keqes në mendjen e një fëmije? “Unë nuk kam asnjë kujtim, por të rriturit e ndjenin se diçka do të ndodhte. Gazetat kishin filluar të kritikonin shumë vepra letrare. Zëri i folësit në radio ishte i tmerrshëm, të ngrinte qimet e kokës përpjetë. Në shkollë thuhet se mësuesit kishin gjithnjë e më shumë frikë nga nxënësit”.

Xu Xing është shkrimtar dhe regjisor dokumentaresh. Gjashtëdhjetë vjeç. Ishte 10-vjeç kur filloi Revolucioni Kulturor. “Gjithçka filloi aty, nga shkollat”- thotë ai. “Pastaj filluan kritikat ndaj “barishteve të këqija” në kinema, letërsi, kulturë. Në vitin 1966 nuk kishim më frikë nga mësuesit”. Pastaj u shfaqën gjithnjë e më shumë libra propagandistikë, si “Çeliku” i Nikolaj Ostrovskit.

Dhe më pas më kujtohet historia e diapozitivëve. Në shkollë kishim sallën e kinemasë ku dërgonin të gjitha klasat me turne, për të parë imazhe të historisë kineze. Duke qenë se në atë kohë çdo gjë ishte rrëmujë, dhoma ishte shkatërruar dhe diapozitivët qenë shpërndarë të gjithë nëpër dysheme. Ne edhe mund mos shkonim në shkollë, por me djemtë më të rritur hyja në atë dhomë, mblidhnim disa prej tyre dhe u vinim zjarrin.

Më parë, gjithçka ishte kaq shumë serioze. Viheshim në rradhë për të parë diapotizivët. Provoja shijen e shkatërrimit. Më pas duke u rritur, kuptova se është njëlloj si të drogohesh”- thotë Xu Xing. “Përveç Maos, çdo gjë tjetër cilësohej feudale dhe revizioniste, mund të thyhej çdo lloj gjëje. Për një fëmijë, ishte nder të merrte pjesë në atë shkatërrim. Nga klasa e tretë, mund të bëheshe anëtar i Pionierëve të Rinj, por unë nuk u pranova dot, pasi kisha gjithmonë nota jokaluese në matematikë. Me Revolucionin Kulturor e fshinë këtë rregull, dhe unë pata hakmarrjen time. U bëmë të gjithë Gardistë të Kuq, ishim gjithnjë e më shumë të droguar, duhej të bënim revolucionin”.

Në atë kohë, ai banonte “në një kompleks banimi goxha borgjez”. “Për shkak se nëna ime ishte mjeke. Aty jetonin mjekë dhe intelektualë. Banonte edhe një marangoz, që e quanin “shefi Uang”, ishte më i përuluri dhe shtëpia e tij gjendej më pranë banjos. Paprimtas u bë më i fuqishëm nga të gjithë. Çdo mëngjes drejtonte një turmë të vogël mjekësh dhe intelektualësh, duke mbajtur një portret të Maos. Këta të fundit qenë të detyruar ta ndiqnin, duke thërritur me zë të lartë parulla maoiste dhe u përkulur përpara fotografisë.

Në atë vend nuk ndodhën gjëra shumë të tmerrshme: Gardistët e Kuq bënë kontrolle, nganjëherë mbyllnin ndonjë person brenda një sanlunche (një automjetet me 3 rrota) dhe e shëtisnin nëpër rrugë. Por të gjithë ishin të frikësuar se mund të ndodhte diçka shumë më serioze”. Babai i tij qe një ushtarak. “E shihja çdo natë teksa shkruante me dëshpërim letra. Ndoshta ishin autokritika, pasi ishte biri i një pronari tokash dhe vinte nga verilindja. Kishte shkuar në universitet, dhe ishte formuar profesionalisht nën pushtimin japonez. Më pas u zhduk, më thanë se ndoshta fshihte diçka të rëndësishme, por këtë histori nuk ma treguan ndonjëherë, si mua ashtu edhe vëllezërve të mi më të mëdhenj.

Megjithatë, kishte përherë e më shumë shtëpi të boshatisura, pasi shumë njerëz u dërguan në fshat për t’u ri-edukuar. Kështu, ne fëmijët hynim në apartamentet e braktisura për të pirë duhan dhe luajtur. Më pas, në vitin 1967, na dërguan të gjithëve në Gansu, përfshi mua dhe nënën time. Në qytet mund të qëndronin vetëm të porsadiplomuarit, të gjithë mjekët e tjerë duhej të shkonin të kuronin fshatarët, pasi që në vitin 1965 Mao kishte mbajtur një fjalim që sulmonte shërbimin shëndetësor publik, duke e akuzuar atë se kujdesej vetëm për klasat e privilegjuara urbane dhe jo popullsinë rurale.

Kështu lindën “mjekët e këmbëzbathur” në zonat rurale. Kur e kuptova se diçka nuk shkonte? “Propaganda na mësonte se duhej te dyshonim për gjithçka dhe shkatërronim çdo gjë, prandaj një ditë e pyeta babain tim: “Pra mund të dyshojmë edhe mbi Mao Ce Dunin?” Ai u zverdh në fytyrë, dhe më goditi në kokë, duke më bërtitur: “Mao është arma për të dyshuar dhe shkatërruar çdo gjë!”.

Me pak fjalë, Mao kërkonte një spastrim tërësor për të rishkruar çdo gjë nga e para”. Regjizori vazhdon: “Shfaqja teatrore ‘Shkarkimi i Hai Rui’, shkruar nga Vu Han, ishte bërë e keqja absolute, pasi thuhej se vepra qe një sulm i tërthortë ndaj Maos. Kritikat kundër kësaj vepre shënuan fillimin e Revolucionit Kulturor, dhe u iniciua nga një njeri që do të ishte pjesëtar i Bandës së të Katërve, Zhao Uenjuan.

Rreth e rrotull e dëgjoja shpesh të përmendej ky emër, që mua më tingëllonte femëror, ndaj dhe mendova se bëhej fjalë për një grua. Ia thashë këtë një fëmije tjetër. S’duhej ta kisha bëra kurrë. Të nesërmen, nëna ime u thirr në një seancë autokritike. Kur u kthye në shtëpi, ishte e tërbuar nga inati dhe më tha:”Gjërat që nuk i kupton, mbaji për veten!”.

Pastaj ishin “turnetë e organizuar”: “Kur shkuam në Gansu, u deshën 40 orë vetëm për të shkuar në Xian. Ishte udhëtimi më i gjatë me tren i jetës sime, hodha sytë nga dritarja dhe pashë aq shumë mjerim, në një kohë që na thoshin se ne kinezët qemë më fatlumët e botës. Nga ai moment, nuk po e besoja më. Por askush nuk qe në gjendje të më shpjegonte se çfarë po ndodhte, dhe kjo vetëm sa e shtoi mosbesimin tim, që mbeti brenda tek unë deri më sot.

E ritakova babain në vitin 1969, kur erdhi për të na vizituar në Gansu. Unë dhe nëna u rrikthyem në Pekin në vitin 1971, por kjo është një histori tjetër”. Pas rrikthimit në Pekin, Xu Xing u dashurua me një vajzë, së cilës i shkroi një letër dashurie anonime. Ajo u frikësua, dhe i tregoi letrën një mësuesi, i cili arriti të zbulonte autorin. Xu Xing u plas në burg si “kundër-revolucionar”. Ishte vetëm 16-vjeç. E ka treguar këtë histori, së bashku me ato të njerëzve që e përjetuam atë “periudhë katastrofike” (përkufizimi zyrtar) në filmin e tij të parë: Uo de Uenge Bianianshi (“Një kronikë e Revolucionit tim Kulturor”, 2008).

Iu rrikthye kësaj teme me Zuixing Zhaijao (“Përmbledhje e krimeve”, 2014), historia e një komuniteti fshatarësh të përndjekur gjatë asaj periudhe. Por nuk ia kishte rrëfyer askujt fillimin e gjithçkaje, atëherë kur Revolucioni ishte një festë e madhe. / Sette – www.bota.al

Please follow and like us: