Albspirit

Media/News/Publishing

Zbulohet dokumenti i Sigurimit/ Nga Shqipëria bëhej trafik kokaine që në 1989-ën

Ish-drejtori i arkivave Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument interesant, ai sjell një raportim të një gazete belge që i është komunikuar ministrit të brendshëm të kohës Simon Stefani. Sipas këtij shkrimi të botuar në “Journal de Geneve” është zbuluar një anije me cigare kontrabandë në Bruksel. Sipas gazetës nga Shqipëria mund të bëhet edhe kontrabandë cigare, kokainë ose pije. Ajo që bie në sy është reagimi i ministrit të Brendshëm që shënon me shrim dore vetëm: “Shokët e Durërsit të bëjnë kujdes”, çka nënkupton se kontrabanda kishte edhe dijeninë e autoriteteve komuniste të kohës.
KOMENTI I DERVISHIT
1989/Shkrimi i gazetës “Journal de Geneve” për drogë nga Shqipëria

Kontrabanda e Sigurimit nuk kishte si të mos binte në sy të shteteve europiane. Për vetë dinamikën e zhvillimit të ngjarjes dhe të përfshirjes në këtë aktivitet të shumë firmave dhe individëve, rënia në sy ishte më se normale, pavarësisht nga përpjekjet e shumta për ta fshehur sa më shumë atë.
Në lidhje me çështjen gjendet edhe ky shënim:
Sipas gazetës “Journal de Geneve” të datë 29 qershor 1989, ditët e fundit është zbuluar një kontrabandë e rëndësishme e cigareve në Bazel. “Sipas brigadës së luftës kundër drogës, cigaret vinin nga përtej Adriatikut. Në Anversë ose në Shqipëri, ato ngarkoheshin nëpër anije që i çonin drejt brigjeve spanjolle. Malli, cigare, për ndoshta dhe kokainë transferohej në anije të shpejta dhe shitej në Spanjë. I gjithë ky trafik organizohej nga firma të rajonit të Bazelit”.
Shënimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani, më 3.7.1989 për vartësin e tij:
“Porosit edhe njëherë shokët që të bëjnë tepër kujdes. Nuk duhet në asnjë çast të ekspozohet vendi ynë. Tepër kujdes do bërë në Durrës, etj”.
Siç edhe shihet, ministri nuk shënon asgjë tjetër veç kujdesit që duhej pasur. Ministri nuk pyet në kemi të bëjmë me trafik droge apo jo, por porosit shokët të kenë kujdes. Duke rritur vigjilencën komunistët e kaluan në heshtje edhe këtë problem që po i dilte me perëndimin.
Faksimilja e praktikës së asaj kohe.

Please follow and like us: