Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Nesho: Protesta e opozitës shqiptare ka një kauzë të drejtë!

Protesta e opozitës shqiptare ka një kauzë të drejtë: zgjedhje të lira dhe të barabarta për qytetarët shqiptarë, jashtë presionit politik, interesave të grupeve klienteliste të lidhura me pushtetin, klaneve kriminale të lidhura me drogën, mediave të kapura nga pushteti. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një element kyç i demokracisë, pa të cilin shteti ligjor dhe i së drejtës nuk mund të veprojë, janë elementi i parë i rëndësishëm që dallon formën e regjimit politik, atë të demokracisë.

Prandaj kjo protestë është legjitime dhe mbart me vete vlerat dhe moralin për një shoqëri më të drejtë, të lirë dhe demokratike. Opozita që e drejton ka meritën që ngre një çështje dhe lufton për interesin publik. A është kjo opozitë pjesë e sistemit politik që ne duam të shkatërrojmë sot dhe të ngremë një Republikë të re? Sigurisht po, dhe ajo duhet të ndajë përgjegjësitë për të kaluarën, por nuk mund të paragjykohet sot dhe aq më tepër t’i mohohet kontributi për të reflektuar, luftuar dhe drejtuar një proces për të mirën e shoqërisë dhe interesit publik. Prandaj kjo protestë është e të gjithë qytetarëve.

A ËSHTË NË RREZIK DEMOKRACIA? A JANË NË RREZIK ZGJEDHJET?

Po jetojmë një kohë ku partitë politike si institucione të demokracisë janë kthyer në grupe përfaqësimi të interesave oligarkike, ku krimi bashkëpunon me politikën dhe kriminelët janë sot në parlament. Në asnjë nga demokracitë moderne nuk ka ndodhur që përfaqësues të botës së krimit të përfaqë- sojnë vullnetin e qytetarëve si në parlamentin aktual të Shqipërisë. Dhe këtë kategori nuk është se e do populli, siç paraqitet nga disa pushtetarë, por janë instrumentet e politikanëve që i përdorin për të marrë dhe mbajtur pushtetin dhe ndarë të ardhurat publike. Për të mbajtur pushtetin dhe rritur fitimet vendi është kthyer në një plantacion kanabisi dhe transformuar në Kolumbi të Europës. Paret e drogës janë të gatshme për të blerë votën, ndarë pushtetin dhe asfiksuar demokracinë. Regjimi hibrid demokratik, autoritar në natyrë, por edhe i paaftë e jotransparent, ka zgjedhur alternativën e shantazhit, imponimit, dhe funksionimit të shtetit klientelist. Demokracia ekziston në formë, ndërsa shteti është kapur.

Sado naiv të jesh dhe sado i turbulluar nga demagogjia propagandistike e regjimit në fuqi, kupton se kjo nuk është “republika jote demokratike” dhe si rrjedhojë perspektiva është dëshpëruese. Nevoja për ndryshim është jetike dhe kërkon aksionin qytetar, aksion që ka nisur dhe duhet përkrahur nga të gjithë.

NDRYSHIMIN E SJELLIN QYTETARËT DHE JO NDËRKOMBËTARËT

Vëmendja e ndërkombëtarëve për shtetet e Ballkanit ka qenë gjithmonë prioritare në forcimin e stabilitetit dhe ruajtjen e paqes në rajon. Raporti stabilitet versus demokraci gjithmonë ka anuar nga stabiliteti. Kjo gjë ka çuar në krijimin e kastave të pushtetit të lidhur me oligarkët e rinj, pushtet autoritar jotransparent, dhe mosfunksionim të institucioneve demokratike. Ideja për të reformuar sistemin nga lart-poshtë, sidomos për funksionimin më të mirë të pushteteve si në rastin e reformës në drejtësi, është një operacion i nevojshëm, një mjet për të kontrolluar regjimet në pushtet, por jo një instrument për të forcuar demokracinë dhe shtetin e lirë. A mund të bësh vettingun dhe reformën në drejtësi kur shteti është i kapur, kur politikanët “reformistë” ndajnë interesat e tyre me persona të inkriminuar në të gjitha strukturat e shtetit? Mënyra si po përdoret vettingu, si një argument i njërës palë përkundrejt palës tjetër, “i properëndimorëve” kundër pjesës tjetër, është jo vetëm i dëmshëm, por krijon idenë e përdorimit të tij politik nga njëra palë. Sot në Shqipëri po luftohet që elementi kryesor i demokracisë, zgjedhjet, të jenë të lira dhe të ndershme, që vota të mos blihet siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit, që qytetarët të jenë të lirë për të zgjedhur. Qëndrimi në mbrojtje të demokracisë është një e drejtë primare e qytetarëve dhe si e tillë është parësorë ndaj çdo reforme institucionale sado e rëndësishme të jetë ajo. Në këtë situatë ndërkombëtarët duhet të prononcohen dhe të mbrojnë vlerat dhe moralin e shoqërisë perëndimore, sado të angazhuar të jenë me reformat institucionale përfshirë edhe reformën në drejtësi, nuk mund të heshtin për faktin se duke bërë “detyrën” përjetuan kthimin e shoqërisë në një regjim putinesk, ku krimi dhe droga po mbysin shtetin e lirë dhe demokracinë. E kujt do t’i duhet kjo reformë më tej?

KUR INTERESAT PËRPUTHEN ME VULLNETIN POPULLOR

Aftësia e një lideri është të kuptojë situatën dhe të kthejë në aksion politik vullnetin e popullit. Ai nuk mund të bëjë kompromis me askënd, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët kur qëllimet përputhen me forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Ai duhet të qëndrojë në princip dhe të jetë garantues i sistemit. Kjo provon edhe karakterin e tij nëse lufton për pushtet apo beson në sistem për të garantuar prosperitetin e vendit dhe popullit të tij. Para zgjedhjeve të vitit 2009, në një takim me Ambasadoren e SHBA në Bashki, z. Rama, si lider i opozitës në atë kohë, u tregua kritik ndaj qëndrimeve jopërkrahëse të Ambasadores duke i thënë “unë nuk marr mësime nga Ambasadori i SHBA-së, por nga baballarët e kombit Amerikan dhe demokracia Amerikane”. Faktet treguan se ky guxim qytetar ishte një arrogancë në mbrojtje të pushtetit të tij personal. Konsumimi i menjëhershëm i pushtetit, kriminalizimi i politikës për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, kanabizimi i vendit treguan se projekti i tij i Rilindjes ishte një dështim për vendin. Sot një lider i ri, Lulzim Basha, karizmatik dhe me formimin e duhur, ka nisur një betejë për fatet e demokracisë shqiptare. Pavarësisht bindjeve tona politike, kjo është protesta jonë.

Please follow and like us: