Albspirit

Media/News/Publishing

SAMI NEZA/Kush ka leje të flasë te cadra

Gazetari Mustafa Nano ka marrë “lejen” sonte nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha të shkojë të mbajë një fjalim te cadra e protestës së opozitës. Se a do të shkojë të flasë më të vërtetë kjo është një histori tjetër, por cështja e atyre që duhet të flasin atje nuk është kaq e thjeshtë. Rasti i Mustafa Nanos është një moment i mirë për të shkoqitur këtë cështje.

Kjo pasi kërkesa e Nanos është e dyta këto ditë nga emrat e njohur të së majtës që kërkojnë të shkojnë në cadër të flasin. Edi Rama tha të njëjtën gjë të dielën: do të vij edhe në cadër po të duan që të debatoj me protestuesit dhe drejtuesit e tyre, tha ai.

Kjo mund të shtojë oreksin edhe për folës të tjerë nga e majta duke i dhënë cadrës një kuptim tjetër nga ai që ka tani.

Po cili është kuptimi. Te cadra tashmë është plazmuar një qëllim, një mision. Rreth këtyre dy përmasave të një aksioni nuk ka shumë debat. Nëse ka debat rreth këtyre të dyjave atëherë cadra ka një problem. Dhe nëse debati ka nevojë të furnizohet edhe nga ata që e sulmojnë cadrën nga pozicione të tjera atëherë problemi është edhe më i madh.

Me pak fjalë qëllimi i protestës është ndryshimi i qeverisë përpara zgjedhjeve dhe misioni është zhvillimi i zgjedhjeve të lira , te besueshme dhe të patrukuara nga qeveria e majtë që ka ushqyer dhe është përfshirë në mënyra të ndryshme në kultivimin dhe trafikimin kombëtar të kanabisit, ka ndikuar gjykatat të nxjerrë nga burgu personazhe të njohura të krimit që mund të përdoren në zgjedhje. Mund të shtojmë edhe detaje të tjera por që kane të njëjtin efekt.

Njerëzit që shkojnë të flasin janë a priori të ngjizur me këtë qëllim dhe mision. Nëse ata duan të flasin por janë kundër atij misioni nuk kanë punë të cadra. Nuk kanë punë të cadra sepse nuk mungojnë sallat e debatit në Shqipëri ku kushdo që i përket sferës publike mund të rrëzojë dhe ngre argumenta për nevojën apo jo të protestës.

Por të cadra mund të shkojnë edhe ata që nuk janë pro. Dhe ky grup dallon prej atyre që janë kundër. Mund të japin ndonjë mendim, mund të tregojnë ndonjë gjetje që përmirëson misionin. Por nuk mund ta thonë te cadra se ky qëllim nuk mban se ky mision është i dështuar.

Cadra nuk është kosh basketbolli ku secili bën trehapëshin dhe gjuan. Cadra mbledh të gjithë ata që kanë konsensus për të qëndruar aty. Basha e ka kompensuar fjalën kundër me kërkesën edhe për të dëgjuar. Është kompensim i mençur dhe e ndihmon në gjerësi aksionin, një përmasë që duhet fituar cdo ditë.

Por a është demokratike që dikush te cadra të ndalohet të shajë cadrën, kur cadra mëton që do të thellojë demokracinë?

Po është shumë demokratike. Është demokratike sepse idetë për qytetarët duhet të jenë të qarta. Nëse tek qytetarët nuk përcjell ide të qarta, atëherë po i korrupton ata, i trullos, i bën të koklavitur dhe në këtë situatë mund t’i manipulosh. Nëse cadra thotë se duhet rrëzuar qeveria, por edhe nuk duhet rrëzuar qeveria, se duhet zgjedhje të lira pa paret e kanabisit por edhe pak kanabis nuk prish punë, atëherë cili standard i demokracisë po përmbushet prej kësaj cadre.

Nuk e di cfarë do të thotë Nano në cadër. Por tha në televizion se ishte dakord me disa gjëra por se kishte shumë “por”. Ai le të shkojë nëse mendon se po i shërben protestës ose të paktën nuk është pro saj, por jo kundër. Nuk eshte qellimi te dekurajohet debati atje, por te mos zhurmohet debati qe ka nisur.

Please follow and like us: