Albspirit

Media/News/Publishing

Harxhi: Ky është problemi i vërtetë i Ivanovit dhe Gruevskit

Ekspertja e politikës rajonale, gjithashtu edhe ish-zëvendësministre e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Edit’h Harxhi, e cilëson deklaratën e presidentit maqedonas, Ivanov, që akuzon Shqipërinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, të nxituar. Edhe Tirana, sipas saj, nuk po sillet siç i takon. Ajo përkujton se çështje të tilla gjeopolitike nuk zgjidhen përmes statuseve në facebook apo tëiter.

“Mendoj se liderët politikë të Maqedonisë duhet të ishin më të përmbajtshëm dhe më diplomatikë me gjuhën që kanë përdorur për të justifikuar qëndrimin e tyre në pushtet më gjatë dhe për të justifikuar dhënien e mandatit qeveritar LSDM-së dhe partive shqiptare, të cilat janë bashkuar tashmë në një platformë të përbashkët. Pala maqedonase duhet të ishte më e përmbajtur edhe sepse nuk duhej të dilte në mënyrë aq të qartë ai ushqimi i fortë i nacionalizimit. Në anën tjetër shoh që Tirana zyrtare duhet të ishte më e përmbajtur sepse çështje të tilla të një karakteri gjeopolitik nuk krijohen nëpërmjet facebookut ose tëiterit”, deklaroi ekspertja e politikës rajonale, Edit’h Harxhi, njofton TVM2.

Një tjetër problem thelbësor, Harxhi e sheh faktin që politikanët e lartë të Shqipërisë nuk janë takuar në këtë periudhë me ata maqedonas dhe këtu është fjala për takime të nivelit të lartë. Nga ana tjetër, LSDM dhe partitë shqiptare, sipas Harxhit, duhet të kishin bërë transparente, e zeza mbi të bardhë, marrëveshjen e nënshkruar mes tyre.

“Tirana zyrtare nuk ka zhvilluar takime më udhëheqësit politikë, e kam fjalën jo për partitë shqiptare, po në nivelin e kryeministrit apo presidentit. Duhet t’i tregojmë palës maqedonase që Shqipëria nuk ka asnjë lloj insinuate për ndryshime kufijsh, shpërbërje shtetesh, por Shqipëria duhet ta japë këtë lloj garancie dhe kjo nuk jepet as nëpërmjet FB-së as tëiterit, po në takime. Vërej problem në krahun e partive politike shqiptare, sepse shoh mungesë transparence. Ende nuk është bërë publike e shkruara e zeza mbi të bardhë, cilat janë pikat që janë marrë vesh palët me zotin Zoran Zaev, LSDM-në. Kjo i vlen shumë popullit shqiptar në Maqedoni dhe Maqedonisë në përgjithësi”,- theksoi ekspertja e politikës rajonale, Harxhi.

Harxhi mendon se problem i vërtetë i Ivanovit dhe Gruevskit nuk është gjuha shqipe, por qëndrimi sa më gjatë në pushtet i tyre.

Please follow and like us: