Albspirit

Media/News/Publishing

Nga Adi Krasta tek Elvi Fundo: lista e rrahjeve më të “famshme” ndaj gazetarëve

Rrahja barbare që iu bë gazetarit Elvi Fundo, një penë më shumë griçëse se investiguese, më shumë luftarake se profesionale, është më e fundi nga radha e gjatë e incidenteve të ngjashme, që pothuajse kanë moshën e tranzicionit shqiptar.

Në këto 25 vite kanë qenë të shumtë gazetarët që jnë rrahur e masakruar, por asnjëherë, asnjëherë nuk është dënuar kush. Madje edhe ai që dhunoi Eduard Ilnicën thjesht e vetëm për një postim në FB thonë se do lirohet shpejt.

Por ajo që është më e rënda se ne nuk kemi një statistikë apo një libër e listë zyrtare mbi dhunën ndaj njerëzve të mediave në Shqipëri.

Tesheshi.com po ofron modestisht një listë të rrahjeve më të bujshme, shoqëruar me një ndjesë për të gjithë ato raste që ndoshta i kemi lënë padashje pa i evidentuar.

Siparin e dhunës ndaj njerëzve të medias e çel, për paradoks, Adri Krasta; një njeri paqja vetë, me propabilitet shumë të ulët për të ta bërë borxh. Dhe ndodhi kjo në një prej spektakleve të para të tij pas viteve ’90-të, “12 vallëzime pa një të shtunë”, pasi ai kishte komplimentuar një vajzë të ftuar nga publiku në skenë, që siç u kuptua, ishte e lidhur me një të hurit e litarit. Moderatori rrihet keqas ndërsa po blente bukën në dyqan, duke tronditur atëbotë opinionin publik.

Qeveria e merr në mbrojtje dhe për disa kohë Krastën duke lënë pas pas vetes dhe një truproje të Gardës së Republikës.

Por dhuna e parë dhe klasike ndaj një gazetari për fjalën e tij ishte ajo ndaj Abdurrahim Ashikut, i cili vijon të jetë aktiv në kushte emigracioni.

Reporteri i Zërit të Popullit në Dibër, nuk bënte asnjëherë komente politike, por vetëm lajme dhe skica sociale apo reportazhe, ku fotot ishin pika e fortë e Duros, përveç stilit therrës dhe mjaft problematik.

Ashiku, ndodhej në zyrën e tij si çdo ditë dhe sapo kishte marrë letrën nga makina e shkrimit dhe po e paketonte në zarf për ta nisur në Tiranë me ndonjë furgon apo autobus të Turanës se ato ishin mjetet atëherë.

Dera e zyrës ishte hapur dhe po bëhej gati të dilte, por një bandit futet dhe e qëllon pas shpine në kokë. Ishte goditje për ta vrarë. Por Zoti ishte me Duron.

Gjergj Zefi, së bashku me Alban Krajën dy të rinj të sapodiplomuar themelojnë në Shkodër gazetën reaktive Lajmëtarinjë zë shumë i fortë ndaj qeverisë së kohës, që godet vazhdimisht kotrabandën e naftës me Serbinë.

Gjergj Zefi u burgos për shkrimet e tij, ndërkohë që u qëllua dy herë në kokë për ta vrarë pranë shtëpisë së tij në zemër të Shkodrës.

Kurrë nuk u gjet agresori.

Në vitit 1995, ‘96, ‘97 kronikat e rrahjes së gazetarëve ishin thuajse të përditshme.

Por ne po përmendim më të rëndat. Në Lazarat gazetarin Aleksandër Çipa e çajnë me bajonetë.

Në Tiranë, ndërkohë që dogjën gazetën “Koha Jonë” rrahin barbarisht gazetarin e talentuar Zamir Dule, duke i lënë pasoja shumë të rënda dhe të pakthyeshme për shëndetin e tij.

Bardhok Lala, ishte një reporter politik i gazetës Dita Informacion. Pas zgjedhjeve të vitit 1996 e marrin disa njerëz të shërbimit sekret, e fusin te liqeni i Tiranës dhe e qëllojnë me plumba afër. Tronditja i lë gjurmë psikologjike dhe shpirtërore.

Po në vitin 1997, trupat e drejtuara nga SHIK masakrojnë Alfred Pezën, gazetarin e kronikës së Koha Jonë, ndërsa po kthehej nga Vlora. Në Tiranë hapet fjala se ka vdekur, por falë zhurmës ndërkombëtare Peza shpëton.

Por edhe pse në mënyrë më sporadike, sulmi ndaj gazetarëve vazhdon edhe në vitet “pas luftës” së 97-ës.

Ilir Babaramo qëllohet nga Luan Rama, kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm.

Rama, i cili vinte nga gazetaria emocionet e një zënke verbale, ia kthen në dhunë fizike, që edhe pse simbolike dhe jo e normave të mëdha, i kushton karrierën pasi dha dorëheqjen.

Në ato vite u fol edhe për një përleshje fizike të truprojave të ish-kryeministrit Pandeli Majko me Arjan Çanin, por asgjë nuk doli në publik dhe mbeti vetëm legjendë urbane.

Por e bujshme ishte edhe dhuna e rëndë ndaj Mero Baze në vitin 2005 në Gjirokastër nga Gjolekë Malaj, ku Meros, gati i thyen qafën dhe është mitike fotoja e gazetarit me allçi në fyt.

Baze do të sulmohej sërish fizikisht nga Rezart Taçi por më vonë, në vitin 2008 në mes të Tiranës në një nga baret e bllokut.

Së fundi Baze ka patur dhe një incident me Enkel Demit, i sulmuar nga ky i fundit, jo në terma kriminalë, kuptohet, dhe pa asnjë pasojë,  ngjarje e ndodhur në vitin  2012-të.

Dashamir Biçaku, reporteri i njohur kronikës, është rrahur në vitin 2010 nga truprojat e fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës, për të cilën Dashi shkruante vazhdimisht.

E freskët është dhuna e skajshme ndaj gazetarit Eduard Ilnica, i cili u masakrua nga presidenti i klubit “Kastrioti” pasi e kishte nxjerrë në pamje duke hyrë në fushë, gjatë një ndeshjeje me Korabin.

Ilnica shpëtoi paq, por agresori për herë të parë u arrestua dhe shkoi pas hekurave.

Po kështu, duhet evidentuar dhe goditja e Tom Doshit ndaj gazetarit investigativ, Besart Likmeta, i cili ia nxorri deputetit socialist bojën me diplomën false që posedonte, ngjarje e ndodhur ne vitin 2008.

Ka patur gjithashtu dhe një sherr tjetër, po ai ka qenë mes vetë gazetarësh, që ka pse përfshihet tek “cenimi i fjalës së lirë”: Kol Balla me Shakohoxhën në ambientet e Klan-it. /tesheshi.com/

Please follow and like us: