Albspirit

Media/News/Publishing

Tillerson: Diplomacia me Korenë e Veriut këto 20 vite ka dështuar

Shefi i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson, në vizitë në Japoni, konstatoi dështimin e përpjekjeve diplomatike të ndërmarra këto 20 vitet e fundit për denuklearizimin e Koresë së Veriut dhe kërkoi miratimin e një qasjeje të re.

“Mendoj se është e rëndësishme të pranojmë se përpjekjet politike dhe diplomatike këto 20 vitet e fundit për të bindur Korenë e Veriut të denuklearizohet kanë dështuar”, deklaroi Rex Tillerson në Tokio, etapa e parë e një turneu në Azi kushtuar krizës së fundit shkaktuar nga lëshimi i raketave në afërsi të Japonisë nga Pheniani.

“Përballë këtij kërcënimi që sa vjen dhe rritet, është e qartë se një qasje e re është e nevojshme”, shtoi ai në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin japonez të Punëve të Jashtme, Fumio Kishida, përcjell Atsh.

Sekretari i ri i Shtetit amerikan rikonfirmoi se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë ngushtë me Japoninë dhe Korenë e Jugut për të mposhtur provokimet e regjimit të Phenianit, dhe i ka shtrirë gjithashtu dorën popullit koreanoverior.

“Koreja e Veriut dhe populli i saj nuk duhet të tremben nga SHBA-ja dhe fqinjët”, nënvizoi ai.

Ai i kërkoi gjithashtu Kinës, ku do të shkojë të shtunën, të ushtrojë më shumë presion ndaj aleatit koreanoverior.

“Ne mendojmë se Kina ka një rol të rëndësishëm për të luajtur”, theksoi Tillerson.

Please follow and like us: