Albspirit

Media/News/Publishing

Ku dështon loja e dyfishtë e Metës?

Shumë kundërshtarë të Edi Ramës janë entusiazmuar sot nga batuta e Ilir Metës se pluralizmi është vendosur në Shqipëri që në 12 dhjetor 1990. Ata e kanë parë atë si një kundërvënie të hapur ndaj Edi Ramës i cili, jo më larg se dje, këmbënguli se socialistët do të shkojnë edhe vetëm në zgjedhjet e 18 qershorit. Deklarata e Metës, në shkollën e tij të fëmijërisë, erdhi sot pas asaj të Luan Ramës që gjithashtu deklaroi në ABC NEWS se zgjedhjet pa opozitën janë farsë. “Zgjedhjet pa opozitën janë formale në kuptimin institucional, ndërsa në kuptimin demokratik janë farsë”, ka deklaruar Luan Rama, duke shtuar se mazhoranca ka edhe përgjegjësinë “t’a bindë opozitën përmes aksionit konkret që zgjedhjet do të jenë korrekte dhe të ndershme”.

Pra, shumëkush i ka parë këto deklarata si një refuzim të LSI-së për të shkuar në një proces zgjedhor pa partinë kryesore të opozitës. Por, për të gjithë ata është shpejt për të thërritur fitore. Sepse në fakt qëndrimet e partisë së Metës nuk janë aspak të qarta.

Nese nga njëra anë është Lulzim Basha dhe çadra, që e kanë shprehur qartë se nuk hyjnë në këto zgjedhje pa pasur një qeveri teknike dhe pa hequr nga posti Edi Ramën, LSI nuk është shprehur kurrë sesa e drejtë është kjo kërkesë.

Por, nga ana tjetër, ajo nuk i ka dhënë të drejtë as kryeministrit Edi Rama, i cili këmbëngul se nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as shtyrje zgjedhjesh, por PD do të shkojë drejt 18 qershorit ashtu sikurse e parashikon kushtetuta.

Prandaj në këtë situatë, ku hendeku mes palëve është shumë i thellë, problemi i Metës nuk është të bëjë batuta që i ngrenë nervat Ramës. Loja e tij nuk është ajo e zakonshmja, ku nxjerr dikë nga LSI në mëngjes të bëjë një deklaratë dhe pasdite një tjetër që e kundërshton.

Dilema para Ilir Metës është tjetër. Nëse Basha këmbëngul në kërkesat e tij dhe Rama nuk lëshon asgjë nga qëndrimet e veta, ç’do të bëjë LSI? Nëse PD i bojkoton zgjedhjet dhe Rilindja shkon përpara me kokfortësi, a do të rrijë Meta jashtë apo brenda lojës?

Këtë Ilir Meta nuk di ta thotë. Prandaj çdo qëndrim tjetër që mban për këtë çështje ka thjesht vlerën e batutës. /Lapsi.al/

Please follow and like us: