Albspirit

Media/News/Publishing

Avokati Kieran Both: Çfarë janë “Sanctuary Cities”?

Rubrika “ Çeshtje tё Emigracionit = Avokati Kieran Both pёr ju

 

Termi “Sanctuary Cities” i referohet qyteteve e njësive administrative që e kanë politikë të tyre mbrojtjen e rezidentëve emigrantë, pa dokumenta , nga ndërhyrja e qeverisë federale. Qindra agjenci të zbatimit të ligjit në pushtetet lokale, kanë politikë të kooperimit të kufizuar me ato federale.

 

Administrata e tanishme po përpiqet të kërcënojë këto të ashtuquajtura “Sanctuary Cities”

ICE(U.S. Immigration and Customs Enforcement) kërkon të njoftohet qe para se një emigrant ilegal të lirohet nga burgu. Ai duhet të mbahet nën kujdestari 48 orë që t’i jepet koha e duhur Departamentit të Sigurisë së vendit për ta vënë në proces deportimi. Kundërshtimin që i bëhet qeverisë federale nga ato lokale në këtë aspekt, administrata e Trampit e konsideron si pengesë në procesin e sigurisë publike.

 

Argumenti kundër “Sanctuary Cities”

Në 20 mars, 2017, ICE fillojë të lëshojë një raport javor të autorizuar nga presidenti, që liston agjencitë e zbatimit të ligjit që refuzuan bashkëpunimin me qeverinë federale për kërkesat e saj. ICE deklaron se kriminelët janë arrestuar nga autoritetet lokale në “sanctuary cities” dhe liruar në këto qytete pa informuar ICE. Gjithashtu ICE kërkon kooperim me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për t’u siguruar që të huajt që përbëjnë rrezik për sigurinë publike të mos lirohen e hidhen në rrugë duke iu dhënë mundësia për të kryer krime të tjera. ICE i qëndron mendimit se kur qeveria federale e merr kriminelin nën’kujdestarinë’ e saj , pakson rrezikun për krime të reja në atë komunitet.

 

Argumenti pro “Sanctuary Cities”

Disa avokatë të emigracionit besojnë se administrata e tanishme po përdor tragjeditë për qëllime politike duke ua hedhur fajin emigrantëve, gjë që nuk i bën komunitetet më të sigurta. Sigurimi i qyteteve tona duhet të jetë gjithmonë prioriteti ynë . Qytetet dhe njësitë administrative duhet të inkurajohen të zhvillojnë politikë të bashkëpunimit, që viktimat dhe dëshmitarët e krimit të mos kenë frikë, por të kenë kurajo për të dëshmuar. Emigrantët pa dokumenta kanë frikë të kërkojnë ndihmë nga policia, pasi tremben se mos ajo mund t’i dorëzojë tek ICE.

Në të gjithë vendin më shumë se 600 qytete dhe njësi administrative dhe mjaft shtete kanë adoptuar politikën që kufizon kooperimin e tyre me qeverinë federale për emigracionin, pasi besojnë se dijnë më mirë se Qeveria federale kur vjen puna tek siguria e qytetarëve të tyre.

Administrata e tanishme ka kërcënuar të tërheqë fondin federal nga këto juridiksione. Në 25 janar, presidenti Tramp lëshoi një urdhër administrativ duke urdhëruar Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për përpilimin e një liste të fondeve që u jepet juridiksioneve të tilla. Gjithashtu urdhëroi Prokurorin e përgjithshëm dhe Sekretarin e Sigurisë së Vendit që këtyre qyteteve t’u hiqen fondet federale . Prokuroi i Përgjithshëm duhet të marrë masat e duhura për zbatimin e urdhërit.

Nëse qeveria federale ka përqëllim heqjen e fondeve ka shumë të ngjarë që çështja të shkojë deri në gjykatë. Shumë nga agjensitë lokale të zbatimit të ligjit, kanë dalë në favor të politikës së qyteteve të mbrojtura “sanctuary cities” nga pushteti lokal.

Ka shumë rëndësi të shikohet me vëmendje politika e agjensive lokale dhe atyre federale lidhur me zbatimin e ligjeve të emigracionit, për të përmirësuar punën në mbrojtje të komuniteteve tona. Avokatët e emigracionit mendojnë që nuk është produktive dhe e drejtë që të sulmohen të gjithë emigrantët ose personat pa dokumenta si kriminelë, ose të rrezikshëm. Nëse “sanctuary cities” do të dënohen duke iu tërhequr fondet federale, komunitetet amerikane nuk do të kenë mundësi më për shërbime në ndihmë të viktimave, e zbatimin e programeve të tjera. Qindra qytete mbështeten në këto fonde. Shumë avokatë të emigracionit po i sugjerojnë qeverisë për të marrë një qëndrim më të arsyshëm duke u fokusuar kundër atyre krimineleve, që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Ka shumë çështje komplekse që kanë të bëjnë me dëbimin dhe zbatimin e ligjit. Ne do të përpiqemi t’u adresohemi këtyre temave në mënyrë më të detajuar në të ardhmen në rubrikën tonë të Emigracionit. Ju inkurajojmë që t’i diskutoni këto çështje me një avokat me përvojë të Emigracionit. Nëse lexuesit tanë duan të mësojnë më shumë rreth ligjeve të Emigracionit, ju sugjerojmë të shkoni në faqen e internetit të USCIS në www.uscis.gov. Qëllimi ynë është të ndihmojmë komunitetin shqiptar dhe pajisim emigrantët me informacion për të kërkuar ndihmë në mënyrë të pavarur.

I presim pyetjet tuaja adresën tonë të e-mailit në kieranboth@verizon.net

Please follow and like us: