Albspirit

Media/News/Publishing

Thaçi del i vendosur pas takimit me ambasadorin amerikan: Do ta bëjmë ushtrinë

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një takim të rregullt me ambasadorin amerikan, Greg Delawie dje.

Në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës, RTK, Thaçi ka shprehur këmbëngulësinë e tij për krijimin e Ushtrisë së Kosoës, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese, qoftë përmes ndryshimeve ligjore.

“Definitivisht Forcat e Armatosura të Kosovës do të bëhen – me ndryshime kushtetuese ose me ligj. Unë mbështes angazhimin për ndryshime kushtetuese, por në të njëjtën kohë nuk lejoj që të mbesim peng i disponimit të Beogradit, e as të tre-katër individëve që synojnë ta mbajnë pezull apo ta pengojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

“Askush nuk mund të vërë veto mbi themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Ky është vullneti i dy milionë qytetarëve të Kosovës, është vullneti i të gjitha partive politike, i të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Thaçi i ka cilësuar “të shkëlqyera” raportet e Kosovës me SHBA-të dhe për këtë i ka dhënë merita vetes së tij.

“Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara kanë qenë, janë dhe do të mbesin gjithmonë të shkëlqyera, speciale”, ka thënë ai.

“Ndihem tepër mirë që në dy dekadat e fundit jam një nga ata që i kam ushqyer ato raporte vazhdimisht dhe kam prodhuar argumente për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta mbështesin Kosovën edhe më tepër”, ka shtuar Thaçi.

“Është e drejta jonë kushtetuese, është e drejta jonë ligjore, është e drejta jonë historike, dhe kjo është garanca për të ardhmen tonë, që të jemi pjesë e NATO-s”, është shprehur Thaçi.

Bie në sy se Kabineti i Thaçit nuk ka shpërndarë asnjë njoftim, para takimit, dhe as nuk ka dhënë ndonjë komunikatë për medie, pas takimit. Po ashtu, bie në sy se as Thaçi nuk ka postuar në Facebook apo në Twitter ndonjë koment apo ndonjë fotografi nga takimi me ambasadorin Delawie, siç e praktikon shumë shpesh, pas takimeve me personalitete të rëndësishme/Illyria

Please follow and like us: