Albspirit

Media/News/Publishing

Vajzat shqiptare nuk duhet të martohen nën 18 vjeç

Majlinda BREGU

Kodi i Familjes në Shqipëri lejon martesat në moshën 18 vjeçare.

Irani i marton vajzat 9 vjeç!

Ekuadori i marton 12 vjeç!

Andorra i marton 14 vjeç!

***

Abc News, transmetoi një kronike lajm nga fshati Polis – Sheh i Librazhdit.

Nisur nga shqetesimi i mësuesve të fshatit se vajzat e mitura po braktisnin shkollen për tu lidhur në martesë nga prindërit në moshën 12-14 vjeçare.

Nuk e njoh zonën, por dëshmia e shqetësimi i mësuesve më ngjau si këmbanë që nuk bie vetëm aty.

Nuk dua të gjykoj as prindërit të cilet e motivojnë martesën e vajzave fëmijë me varfërine dhe mungesën e perspektivës për vajzat e tyre.

Nuk di dhe as mund të interpretoj Kur’anin dhe Hadithet e tij, por di se as në të drejtën islame nuk lejohen martesa pa pëlqimin e palëve.

Por nëse ajo që ndodh në Polis-Sheh nuk është rast i shkëputur siç kam frikë, në alarm duhet të vihemi të gjithë!

E para: Shqipëria është një vend europian, laik, ku respektohen fetë që bashkëjetojnë me njëra- tjetrën, por e drejta e tyre nuk është mbi Kushtetuten e ligjet e vendit.

E dyta: Kodi i Familjes në Shqipëri lejon martesat në moshën 18 vjeçare.

Irani i marton vajzat 9 vjeç!

Ekuadori i marton 12 vjeç!

Andorra i marton 14 vjeç!

E treta: Fondamentalizmi dhe radikalizmi i Islamit është për tu dënuar e jo pranuar me heshtje si për të justifikuar pazotësinë e institucioneve të këtij vendi për tu marrë me problemet reale e për t’ i parë kërcënimet qe i kemi para syve si të verteta, jo si tema fjalimesh largpamëse për Gjeneratën e Re!

E katërta: Varfëria në Shqipëri, nuk është vetëm papunësi e pamundësi ekonomike. Ështe dramë pa kushte, edhe sepse ju heq të miturve të drejten e rritjes, edukimit, e daljes Zot vetes kur të jenë të rritur!

Si në çdo rast, ngjarje si kjo ku mbi ligjin sundon nga tradita e shpërfytyrur, injoranca, keqpërdorimi i fesë, politika në letra e pushtetit qendror, pazotësia e pushtetit lokal për të identifikuar jo vetëm familjet në nevojë për bukë, por fenomenet me të cilat shoqërohet varfëria, janë KRIMINALE!

Jane neglizhenca e pazotësia e pushtetit qendror dhe lokal, institucioneve të ligjit, edhe e OJF gjithashtu, që për fenomene si në Polis-Sheh flasin nga Zyrat dhe Hotelet e Tiranës!

Eshtë nanurisja nëpër zyra e zgjimi i dhunshëm vetëm në kohë fushatash, që nuk lejon të shohesh se të ndalësh rritjen e femijëve, të viktimizosh vajzat e gratë, ke thelluar radikalizmin, nuk e ke luftuar atë!

Dhe që të mos dukem vetem e tronditur nga sa dëgjova: Ështe koha të ulemi e të përcaktojmë një standard të ri ligjor të varfërisë.

Të përcaktojmë siç kemi me ligj arsimin e detyruar dhe moshën 18 vjeç për martesë, edhe vijën minimale të të ardhurave të destinuara vetëm për edukim të femijëve të familjeve që jetojnë në varfëri.

Dhe kur bëhet fjalë për vajzat e mitura, gratë le të mendojmë më gjatë. Varfëria, feminicidi, martesat e hershme dhe dhuna rëndojne kryesisht mbi to.

Çdo hap për edukimin e tyre është një hap para në luftën kundër dhunës e ekstremizmit të çfarëdolloj forme.

Please follow and like us: