Albspirit

Media/News/Publishing

Europa ime: Shpejtësia ime

Një Europë e shpejtësive të ndryshme: Po si mund të funksionojë kjo? Nismëtarët e kësaj ideje shfaqen sot si demokratë, por humbësit do të luajnë një ditë me kartën nacionaliste, paralajmëron shkrimtari, Amir Kamber.

Schriftsteller und Journalist Amir Kamber (Amir Kamber)Amir Kamber

Gjermania dhe Franca përkrahin idenë e një Europe të shpejtësive të ndryshme. Këtë e bënë të ditur kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, François Hollande në takimin e fundit në Versajë. Tre javë më vonë në Romë, në 60-vjetorin e themelimit të Bashkimit Europian, kjo ide kthehet në refren. Por çfarë kihet parasysh me këtë?

Imazhi që të krijon fjala „shpejtësi të ndryshme” evokon proceset diverguese të integrimit brenda Bashkimit Europian. Aty thjesht bëhet fjalë për hendekun ekzistues të zhvillimit ekonomik e demokratik mes vendeve anëtare. Kjo është e qartë. Megjithatë sa më shumë të reflektosh mbi metaforën politike të shpejtësisë, aq më shumë e humbet orientimin, ose më keq, aq më shumë të bien ndërmend.

Edhe unë mund të shprehem, po në mënyrë metaforike, se Europa ime arrin një shpejtësi të admirueshme, 200 km/orë. Ky është mendimi im. Unë jam ulur ndërkohë në një tren Intercity-Europa për të shkuar në panairin e librit në Lajpcig dhe pyes veten, se çfarë shpejtësie ka Europa nga këndvështrimi aktual-ditor i Merkelit dhe Hollande? E për ku shkon ajo?

Modeli i shpejtësisë – si narracion jo solidar për të ardhmen

Kjo nuk dihet saktë. Por destinacioni i Europës të sjell ndërmend beletristikën, mendoj unë. Politika dhe letërsia kanë shumë më tepër të përbashkëta se sa duam ta pranojmë. Gjuha politike nuk reziston dot pa figuracionin letrar. Metafora gjermano-franceze e shpejtësisë, të cilën po e analizojmë këtu, na jep dëshminë e duhur. Imazhi që evokon ajo nuk është i ri, madje ai ekziston prej disa dekadash. Por ç’do të thotë kjo, edhe disqet Vinyl janë tani sërish në modë.

Edhe njëherë: Refreni i një Europe me shpejtësi të ndryshme ka efekt qartësisht  përshkrues të gjendjes. Përvoja na tregon, se interesat dhe aftësitë integruese të BE janë të natyrave të ndryshme. Këtë duhet ta pranojmë edhe pse me keqardhje. Në të njëjtën kohë mbetet e hapur pyetja, pse përkthehet në një metaforikë shpejtësie gjendja e vështirë e BE, një metaforikë që vetë është problematike?

Si duhet të funksionojë ajo në realitet? A mundet që në një shoqëri të ecet me shpejtësi të ndryshme, pa pasur rrokullisje? E parë kështu modeli i çuditshëm  shpejtësisë na del në masë të madhe si një rrëfim josolidar për të ardhmen. Në të paraqiten në mënyrë optimiste marrëdhëniet e brendshme të pushtetit, pra hirearkitë. Kjo histori propagandohet nga ata aktorë, që në perceptimin e tyre të paqëlluar, realisht ndodhen më përpara se të tjerët.

Revoltë autoritare

Një  narracion tjetër në kundërshtim apo paralel me këtë nuk pret gjatë. E siç dihet, në procesin e integrimin europian frenën e shkelin pikërisht ato forca që në këtë narracion të shpejtësisë janë mjaft mbrapa. Ato e kthejnë kokëposhtë statusin e të parakaluarit dhe farkëtojnë prej saj një armë populiste të gjithëpërdorshme. Jemi dëshmitarë për fat të keq, se ku të çon çmenduria politike për identitet. Rezultati është një revoltë autoritare nga ana e lëvizjeve nacionaliste në Europë.

Nuk duhet harruar, se narracioni politik i shpejtësisë mund të kuptohet vetëm në kontekstin e kapitalizmit dhe globalizimit. Vetëm kështu mund të prekësh defektin kryesor të këtij konstrukti. Në Europën e shpejtësive të ndryshme është i parashikuar konstelacioni kapitalist i konkurrencës. Nismëtarët e kësaj ideje shfaqen si demokratë, por humbësit një ditë do të luajnë me kartën nacionaliste.

Nëpër libra mund të filozofosh për shpejtësi të ndryshme, sa të duash. Ata nuk prishen. Kjo është magjia e leximit. Dhe Europa ime momentalisht është më mirë e strehuar në libra, se sa në realitetet europiane që rendin kundër njëri-tjetrit.

 

Shkrimtari dhe gazetari, Amir Kamber ka lindur në vitin 1977 në ish-Jugosllavi. Lufta e Bosnjes e solli atë me familjen në Gjermani. Sot Amir Kamber punon si moderator për radion Westdeutscher Rundfunk. Kamber shkruan në gjuhën gjermane dhe boshnjake.

Please follow and like us: