Taulant Balla-Luan Ramës: Miqësisht, hiq dorë nga mistrecllëqet!

Pas prononcimit të kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, vjen dhe reagimi ekskluziv për ‘BalkanËb’ nga deputeti socialist, Taulant Balla. Duke iu kundërpërgjigjur LSI-së, Balla pohoi se Edi Rama dhe as Ilir Meta nuk vijnë nga Partia e Punës e Shqipërisë, por nga lëvizja demokratike e ’90. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të selisë rozë pohoi se PS nuk ka përgojuar asnjëherë asnjë ministër që është pjesë e LSI-së.
“Miqësisht i them mikut tim Luan Rama ta lërë retoriken e PPSH-se se vitit 1989 sepse as Edi Rama dhe as Ilir Meta nuk vijnë nga PPSH-ja e 1989-ës, po vijnë nga lëvizja demokratike për zgjedhje të lira në vitin 1990. Miqësisht Luan miku im prej zgjedhjeve të vitit 1996, nuk të takon të besh analistin e Partisë Socialiste dhe as gazetarin me ministrat e Partisë Socialiste, se nuk shkon më me këto mistrecllëqe mes nesh. Merr shembull nga Partia Socialiste e 2017-ës që ka katër vjet në koalicion me partinë tënde dhe kurrë nuk ia ka lejuar vetes që të përgojojë ministrat e LSI. Gjej një rast ku unë si nënkryetar i Grupit Parlamentar të PS të kem përgojuar ndonjë ministër të LSI. Po kështu asnjë drejtues tjetër i PS”, tha Balla.
Pas ‘këshillës’ që Balla i ka dhënë Ramës, ai sugjeroi se LSI ‘duhet ta lërë çadrën e PD-së në vetminë e madhe’.