Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-këshilltar i Berishës: “Republika e Re” nuk mund të ndërtohet me shkelmimin e PD

Flamur Kuçi*

Nuk është hera e parë që aksioni i kryetari të PD bie ndesh me interesat politike të vetë PD-së për shkak të axhendës së tij personale. Në disa raste interesi afat-shkurtër individual i Lulzim Bashës ka prevaluar në veprimin e tij mbi interesat afatgjatë politike të Partisë Demokratike.

Republika e Re, do duhet të ishte një aksion nga i cili do duhet të fitonin edhe PD, edhe Basha, dhe çka është më e rëndësishmja, do duhet të fitonte vendi. Fatkeqësisht, aksioni i Kryetarit po ndërtohet mbi humbjen të gjithëve dhe, kryesisht, të PD. Madje përmes kësaj teze Kryetari i PD po materializon bojkotin e zgjedhjeve nga opozita.

“Republika e R”e po ngrihet në dhunim të PD, forumeve të saj dhe, pse jo, mbështetësve të saj. Pse kjo i duhet thënë sot Lulzim Bashës?

Së pari, kryetar, Kuvendi i PD i vitit 2014, në mënyrë të paprecedentë dhe në shkelje të çdo rregulli të partisë, nuk formuloi dot asnjë rezolutë politike, nuk ndërtoi asnjë program për aksionin politik opozitar 4 vjeçar. Dhe kjo e dëmtoi jashtë mase aksionin e PD që u ndërtua ‘ad hoc’ dhe në mënyrë kaotike përgjatë 3-4 viteve të fundit.

Sot, në emer të Republikës së Re, ti kryetar, në shkelje të çdo rregulli të partisë dhe në dhunim të formueve të saj, daklaron se ‘Vendimin për aksionin politik të opozitës e mori rruga më 18 Shkurt’.

Pse në vend të forumeve, vendimin politik për qëndrimin ndaj zgjedhjeve dhe sistemit, u dashka ta marrë rruga? Duhet të kishte qenë Kuvendi Kombëtar i PD ai që duhet të kishtë përcaktuar linjën politike dhe qëndrimin opozitar. Është ai që përcakton linjën politike të partisë. Së paku Këshilli Kombëtar duhet të kishte reflektuar mbi qëndrimin ndaj zgjedhjeve. Me bekimin e cilit forum të PD, ti kryetar shpall si prestigjator ‘platforma politike’ siç është edhe ajo e Republikës së Re (që askush nuk ia ka parë ende përmbajtjen përtej slloganeve gjenerike)

Si mundet që vendime kaq të rëndësishme të merren pa asnjë pjesmarrje të formueve të PD, në dhunim të tyre dhe në shkelje të rregullave të PD? Mundet që një Republike e Re që do të duhej të ishte një kushtrim përbashkimi rreth rregullit, të ndërtohet në shkelmim të rregullit?

Së dyti, kryetar, bojkoti eventual i zgjedhjeve është vetvrasës për partinë kryesore opozitare të vëndit. Kujt i shërben teza e asgjesimit politik përmes bojkotit të zgjedhjeve në emer të Republikës së Re? PD nuk iu është trembur zgjedhjeve as në 1997 kur nuk shkelte dot në 1/3 e territorit të vëndit. Si mundet që Republika e Re të themelohet mbi defaktorizimin e opozitës për shkak të frikës tënde për t’u përballur në zgjedhje?

Së treti, kryetar; Republika e Re nuk ndërtohet dot mbi gënjeshtra e kulisa. Prej kohësh PD rri me sytë e veshët nga LSI. Prej kohësh ushqeni me gënjeshtra mbështetësit se ‘LSI do tërheqë ministrat’, se ‘LSI do rrëzojë Ramën dhe do formohet qeveria teknike’, se ‘LSI nuk futet në zgjedhje pa ne’. Është e rëndë trajtimi që i bëni mbështetësve. PD nuk rritet duke ‘ia hedhur’ elektoratit. Ajo rritet duke qenë e hapur me njerëzit.

Ështe zhgenjyes për mbështetësit e PD investimi (deri në sakrifikim të PD) për të forcuar LSI në raport me PS. Ajo që humbet në këtë investim të pamënd është vetëm PD-ja. Dhe Republika e Re nuk mund të ngrihet mbi këto lloj kulisash.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, Republika e Re po tentohet që të ndërtohet mbi shkeljen e Kushtetutës. Shtyrja e zgjedhjeve, një shkelje e rëndë e themelit të shtetit, nuk mund të ofrohet si kurban në themelet e Republikës së Re. Edhe këtë dikush duhet t’ia thojë Kryetarit.

Përtej faktit që është turpëruese për një opozitë që të kërkojë shtyrje zgjedhjesh, për më tepër pas 3 viteve që kërkohen zgjedhje të parakohshme…(!?), që deputeti, të votojë shtyrjen e qëndrimit të tij në Kuvënd pa zgjedhje, është asgjë më pak se të shkatërrosh themelin që mban demokracinë në këmbë.

Kryetar, Republika e Re duhet të ndërtohet mbi kushtrimin për ndarjen e politikës me antiligjin dhe antirregullin. Atë nuk e ndërton dot duke shkelur rregullat e familjes tonë politike dhe aq më pak duke shkelur themelin e ligjit të vendit tonë.

*Ish-këshilltar i Sali Berishës

Please follow and like us: