Albspirit

Media/News/Publishing

Noli-Hoxhës: Mos më dërgo budallenj si Tuk Jakova

Kjo letër e Fan Nolit dërguar Enver Hoxhës 71 vjet më parë, me 30 shtator 1946 dëshmon ndër të tjera angazhimin e pakushtëzuar të Fan Nolit në ndihmë të ngritjes dhe forcimti të shtetit shqiptar të sapo dalë nga lufta. Në këtë periudhë ai i besonte Enver Hoxhës, dhe dukej se besonte edhe në rrugët demokratike që do të ndërmerrte ai. Noli shfaqet si një atdhetar që interesohet për çështjen shqiptare, anëtarësimin e Shqipërisë në OKB dhe njohjen e shtetit shqiptar.

Ai ia lejon vetes t’i japë këshilla Enver Hoxhës, sa u përket rrugëve që duhet të ndjekë në punë të diplomacisë, dhe tërheq vëmendjen , madje duke shprehur një revoltë të papërmbajtur për personat që dërgohen si dnërmjetës në këto bisedime doplomatike, persona që duhet të zgjidheshin me kujdes, dhe jo si rasti i Tuk Jakovës, me të cilin Noli kishte pasur shumë fërkime gjatë qëndrimit të Jakovës në SHBA për bisedime dhe të cilin e  quan një “barbar” dhe “kërcu të pagdhendur”. Letra është shkëputur nga vëllimi me letërkëmbimin e Nolit përgatitur nga studiuesi Nasho Jorgani dhe po e botojmë si një kujtesë për përvjetorin e 69-të të që shënohet këtë vit, mbi përpjekejet e shtetit shqiptar për tu njohur nga fuqitë e mëdha dhe për tu antarësuar në OKB.

Letra e plotë

Letër Enver Hoxhës

Gjeneral Enver Hoxhës
Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë
/30 shtator 1946/

Zoti Kryeministër:
Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në Diellin, 18 Shtator të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa akuzata dhe insinuata të shëmtuara. Nuk munt t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embarasoj  guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, dyke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.
Për të nisur, Kolloneli nuk di Shqip, as Gegërisht as Toskërisht; Në çdo dialekt që i flisja ay nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë.

Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në Neë York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur as ndonjë çpërblim, as ndonjë memuriet.  Po ay më shikonte shtrëmbër me mosbesimin instiktif të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay as i përfillte fare.

Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare. Më dolli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, e çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti. Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla, po kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket që Kolloneli nuk i shijonte aspak.

Pas konferencave u hothmë në veprimin dipllomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i Përgjithshmë Z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën e profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO-së, i cili është Ndihmës Sekretar për Punët Shoqërore dhe Ekonomike. Po Kolloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja nonjë grackë. Mezi pranoi dhe bëri kabull ta shikonte Profesorin. Ky priti mirë delegatët dhe ua rregulloi pjekjen me Trygve Lie-në.

Bashkëfjalimi i zvarnis pak minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste Shqip, Behari ia kthente Frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trygve Lie-së Inglisht, meqënë që ky nuk dinte as Frëngjisht, as Shqip. Nga ky muhabet me dy terxhumanë,  Kolloneli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e një triumfi imagjinar. Unë isha në prakun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim.

Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthenjës në pjesën me delegatin Amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me anë dy dragomanësh edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Lie-së e mësova disa javë, pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet dipllomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla dipllomatike nuk duhen marrë si senete,  po ay veshin shurdhër.

Që në pjekjen e parë e këshillova të shkontë në Ëshington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të Gushtit, dy muaj më vonë.

Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa netë.

Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm ne esencën, po edhe ne retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e traktateve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetëruar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, passi u shtrua projekt teksti i paqës me Italinë prej Këshillës së Ministrave të Jashtëm në Paris. Kolloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.

Në funt të Gushtit Kolloneli shkoi në Washington dhe kur u kthye, më siguroi se rilidhja e marrëdhënjeve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, por ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu, dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.

Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në “Diellin”, më datën 25 Shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të merrni vesh që Vatra ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave, dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigjë nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë e di fare mirë Kolloneli, po nuk e përmendi në Lamtumirën. Veç kësaj, ky propozim i Vatrës është akoma i hapur, dhe negociatat nuk janë prerë. Përse ahere Kolloneli i deklaroi luftë Vatrës edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtonjë të dy anët jo të përkrahë njërën anë dhe t’i dekllaronjë luftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.

Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëket e Kollonelit nuk do ta ndryshonj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të pakën Inglisht, meqënëqë këtej nuk shkon shumë Frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushmë si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk munt t’i njihni.

Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm një çështje formulle pa rëndësi praktike. Passi të lithni marrëdhënje dipllomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetëvetiu me pak durim, dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një fushatë serioze.

Një fjalë për të mbaruar. Kolloneli kur më hapi luftën, nofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po mileti kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, nëqoftësë nuk jeni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më dekllaroi Kolloneli. Ashtu e do llogjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë mërr funt në praktikë.

Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.

Mbetem,
Me të fala vëllazërore
Juaji me besë
Peshkop F. S. Noli
26 Blagden Street
Boston 16, Mass
30 Shtator 1946

Please follow and like us: