Albspirit

Media/News/Publishing

Kathimerini: Rama po e shantazhon Brukselin me ‘Shqipërinë e Madhe’

Mediat greke kanë pasur në fokusin e tyre deklarimin e fundit të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk përjashtoi mundësinë e bashkimit Kosovë-Shqipëri në rast se dështon anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në një analizë të afishuar në të përditshmen greke ‘Kathimerini’, deklarata e kreut të qeverisë shqiptare cilësohet si shantazh i Brukselit.

“Nuk është hera e parë që Edi Rama përpiqet t’i bëjë shantazh Brukselit me makthin e Shqipërisë së Madhe, për të avancuar procedurat e anëtarësimit… Mirëpo, Evropa nuk shantazhohet me dilema të këtij tipi”, thuhet në artikull

Më tej, gazeta greke përkujton se me gjithë faktin që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, reformat kanë ngecur në baltë për shkak të udhëheqjes politike të Tiranës, në majë të të cilës ndodhet Edi Rama.

‘Kathimerini’ përkujton se imazhi që mbizotëron në Evropë për Shqipërinë është ai për një vend që noton në korrupsion, ku shteti konsiderohet trofe për secilën parti që është në pushtet dhe ku kanabisi ëshë shndërruar në prodhim për ekspertë.

Më tej, artikulli sugjeron që Rama duhet të heq dorë nga ideja e Shqipërisë së Madhe dhe të përqëndrohet në plotësimin e kushteve të anëtarësimit.

Please follow and like us: