Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma në drejtësi, Kuvendi rihap garën për anëtarët e KLGJ dhe KLP

Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur sërish garën për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, në kuadër të reformës në drejtësi. Kuvendi i drejtohet institucioneve të arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre fakultet drejtësie të akredituar sipas legjislacionit në fuqi, pasi akoma nuk janë plotësuar kuotat për KLGJ dhe KLP.

Në faqen zyrtare të Kuvendit janë publikuar kriteret dhe dokumentacionet që duhet të plotësojnë të gjithë të interesuarit.

Njoftimi i Kuvendit
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë i drejtohet institucioneve të arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre fakultet drejtësie të akredituar sipas legjislacionit në fuqi, (sipas shkresës bashkëlidhur), për rishpallje për herë të dytë të thirrjeve për paraqitjen e shprehjeve të interesit nga anëtarët e personelit akademik, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kërkesa për rishpallje vjen në kushtet kur:
Në përfundim të procesit të aplikimeve, verifikimit dhe votimit nga asambletë e personelit akademik të pedagogëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë rezultoi mosplotësimi i numrit minimal të kandidaturave të parashikuara nga nenet 53 dhe 151 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

Rishpallja e thirrjes nga institucionet e arsimit të lartë, të akredituara sipas legjislacionit në fuqi, nuk rezultoi me kandidatura të reja për të plotësuar numrin e minimal të kandidaturave të parashikuar në dispozitat e sipërpërmendura të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

Me qëllim që të sigurohet mbarëvajtja dhe vijueshmëria e këtij procesi në përputhje me procedurat dhe afatet e parashikuara nga ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Please follow and like us: