Albspirit

Media/News/Publishing

Trump, vizita në Vatikan, Izrael dhe Arabinë Saudite

Presidenti Donald Trump tha se udhëtimi i parë i tij jashtë Amerikës, këtë muaj, do të përfshijë vizita në Vatikan, Izrael dhe Arabinë Saudite, ndalesa që ndihmësit e tij shpresojnë se do të përmirësojnë perceptimin e figurës së presidentit jashtë Amerikës dhe do të ndihmojnë për paqen në Lindjen e Mesme.

Vizitat i paraprijnë takimit të NATO-s në Bruksel, më 25 maj, dhe atij të G7-s në Itali, më 26 maj.

“Arabia Saudite është gardiane e dy vendndodhjeve të shenjta të Islamit dhe nga aty do të fillojë ndërtimi i themeleve të reja të bashkëpunimit dhe mbështetjes me aleatët tanë myslimanë për të luftuar ekstremizmin, terrorizmin dhe dhunën, si dhe për të ngjallur shpresat për një të ardhme më të mirë për myslimanët e rinj në vendet e tyre”, tha Trump.

Lajmin për udhëtimet e afërta të tij, Trump e dha në një ceremoni në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, ku edhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv për liritë fetare.

“Detyra jonë është të mos i diktojmë të tjerëve sesi të jetojnë, por të ndërtojmë një koalicion miqsh dhe partnerësh, me të cilët ndajmë qëllimin e luftës ndaj terrorizmit dhe garantimin e sigurisë, mundësive dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme”, tha Trump.

Zonja e Parë, Melania Trump do të shoqërojë të shoqin në këto udhëtime. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se, Trump beson se arritja e paqes në Lindjen e Mesme është një nga gjërat që ai duhet të bëjë në presidencën e tij dhe është shumë i angazhuar, me një mori idesh gjatë planifikimit të udhëtimit.

Please follow and like us: