Laboratori i drogës në Fier, prokurorët pyesin biznesmenin Piro Bare

Biznesmeni i gazit, Pirro Bare pyetet në prokurori për vilën e tij, ku ishte ngritur një laborator droge nga qiramarrësi, tashmë i shpallur në kërkim me vendim gjykate.

ABC News ka mësuar se vila e biznesmenit që ndodhet në lagjen “Kastrioti” në Fier ishte marrë me qira nga Endrit Fejzullau, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria, mësohet se Bare ka dorëzuar edhe kontratën e qirasë të firmosur 18 muaj më parë, para një notereje në zonën e ish-bllokut.

Biznesmeni i gazit Bare ka mohuar në mënyrë kategorike se kishte dijeni se në vilën e tij në Fier ishte ngritur një laborator droge ku kultivohej hashash me anë të llampave elektrike. Ai i ka thënë hetuesve se kishte mbi 2 vjet që nuk kishte shkuar për të parë vilën, pasi ajo ishte dhënë me qira disa herë. Sipas akuzës, thuhet se Pirro Bare ka sqaruar se ka qenë një agjenci imobilare në Tiranë, ajo që i ka gjetur qiramarrësin e shtëpisë, Endrit Fejzullaun, që paguante 1500 euro çdo muaj. Qiradhënësi, mësohet se i ka thënë prokurorëve se nuk e njihte qiraxhiun tashmë të shpallur në kërkim, Endrit Fejzullaun të cilin ia kishte gjetur zyra imobiliare me seli në Tiranë.

Por pavarësisht versionit të biznesmenit të gazit Bare, burimet nga prokuroria i thanë ABC News se hetimet janë zgjeruar dhe po verifikohen të gjitha pistat e mundshme, edhe pse deri tani rezulton se biznesmeni nuk kishte dijeni për laboratorin e drogës të ngritur brenda shtëpisë së tij në Fier. Sipas akuzës, brenda pak ditë do të caktohen disa ekspertë të policisë shkencore ku në prani të prokurorit do të bëhet çmontimi e pajisjeve elektrike brenda shtëpisë së biznesmenit Bare që t’i kthehet vila pronarit, pasi policia po vazhdon ruajtjen e saj 24 orë në ditë.

Ndërkohë për ngritjen e këtij laboratorit të drogës, janë proceduar 10 persona, mes tyre punëtorë që janë gjetur brenda godinës apo edhe punonjës të OSSHE-së që kanë bërë lidhjet e paligjshëm të energjisë elektrike. Ndërsa vazhdon të jetë në kërkim, qiramarrësi i shtëpisë shtetasi Endrit Fejzullahu nga Fieri.