Apeli i ashpër i Zvendësndihmës-sekretarit amerikan, që nesër mbërrin në Shqipëri

Vetëm një ditë përpara vizitës së tij në Shqipëri zvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ka artikuluar thirrje të ashpër lidhur me qëndrimin e papërgjegjshëm që ka mbajtur dhe vijon të mbajë pjesa e politikës bojkotuese. Artikulimet e tij janë bërë gjatë pjesëmarrjes së z.Yee në Konferencën rajonale për siguri “2BS”, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve.  Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar Parlamentin”, është shprehur zyrtari i lartë i administrates amerikan, duke rikujtuar këshillën e ish-presidentit amerikan Ruzvelt se “…është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë, se sa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.

Por gjatë fjalës së mbajtur zyrtari i lartë amerikan tha edhe se qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike, për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve.