Ivanov ende pa qëndrim për mandatimin e Zaevit

Letra e dytë e dërguar nga kryetari i Parlamentit maqedonas, Talat Xhaferi për dhënien e mandatit shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re ka arritur në Presidencë, por vendimi ende i paqartë.

Mazedonian Präsident Gjorge Ivanov PK (picture-alliance/abaca/A. Fazlagikj )

Konfirmimi zyrtar vjen nga kabineti i Gjorgji Ivanovit. Letra e dytë e kreut të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka mbërritur në presidencë. Duket se Ivanov ende nuk është i gatshëm që t’i japë mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev për krijimin e qeverisë. Në njoftimin e lëshuar nga kabineti i presidentit thuhet, se Ivanov i mbetet qëndrimit se e ashtuquajtura “Platforma e Tiranës”, por edhe çfarëdo dokumenti tjetër, akt ose veprim kundër Kushtetutës së Maqedonisë, nuk mundet që të jetë kusht, por as bazë për formimin e Qeverisë së Maqedonisë. Presidenti i Maqedonisë, në lidhje me dhënien e mandatit, do të veprojë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me praktikën e vendosur deri më tani, thonë nga kabineti i Ivanovit.

LSDM: Programi qeveritar, garanci për unifikimin e vendit

Partitë e koalicionit nga shumica parlamentare kërkojnë nga presidenti Gjorge Ivanov që sa më parë të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe t’i dorëzojë mandatin kreut socialdemokrat Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Programi qeveritar është dëshmi se partitë e shumicës garantojnë unitetin dhe kushtetutën e vendit, thonë nga LSDM-ja. “Është e patjetërsueshme që menjëherë të zhbllokohen proceset demokratike në Maqedoni dhe Presidenti Ivanov menjëherë t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev. Për shkak të bllokadës së proceseve demokratike, Maqedonia po përballet me probleme, të cilat u bëjnë dëm qytetarëve dhe tërë sistemit shtetëror”.

Mazedonien Jubel Wahlen Zoran Zaev (picture-alliance/dpa/V. Xhemaj)

Sipas LSDM-së, kjo bllokadë kulminon të hënën, kur skadon mandati i krerëve dhe këshillave të komunave.Të punësuarit në komuna, mësuesit, do të mbesin pa rroga dhe kompensime. Qytetarët nuk do të mund t’i fitojnë shërbimet e nevojshme nga komunat. Në atë mënyrë, edhe më shumë do të komplikohet situata, në të cilën gjenden qytetarët e Maqedonisë. Për atë, është e nevojshme që të bëhet transferimi i qetë i pushtetit, me qëllim që Maqedonia sa më shpejtë të ketë institucione funksionale, kërkon LSDM.

Ndërsa partia VMRO- DPMNE e Nikola Gruevskit vlerëson se mosdhënia e mandatit liderit socialdemokrat është në vijim të mbrojtjes së interesave kombëtare. “Ne si parti politike presim që çdo zyrtar i zgjedhur në Maqedoni të ndërmarrë hapa në përputhshmëri me ligjet e Maqedonisë dhe mbi të gjitha t’i mbrojë interesat kombëtare të Maqedonisë”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Zoran Ilievski.

Interpretime të ndryshme të Kushtetutës për mandatimin

Vendimi eventual i presidentit, Gjorge Ivanov për të mos e mandatuar si kryeministër liderin socialdemokrat, Zoran Zaev, është i pritur për njohësit e çështjeve juridike. Profesori i të drejtës kushtetuese, Vllado Popovski thotë se Kushtetuta nuk përmban zgjidhje për raste të tilla, kur Presidenti nuk jep mandatin për formim të qeverisë.

Mazedonien Proteste in Skopje (picture-alliance/abaca/AA/B. Ademi )

“Nëse Ivanov nuk jep mandatin, nuk do të ketë të mandatuar, dhe në këtë rast nëse thirret Parlamenti nga kryeparlamentari i ri, atëherë Parlamenti mund ta marrë guximin dhe të zgjedhë qeveri të re. Rrugë tjetër nuk ka “, shprehet Popovski.

Eksperti tjetër juridik, Mersim Pollozhani  thotë se Ivanov nuk ka më as kredibilitetin më të vogël pasi, ai ka dëshmuar qartë se është në shërbim të plotë të politikave të Gruevskit. “Megjithëse ai i di mekanizmat për formimin e qeverisë, ai edhe më tej sillet si një ushtar partiak i dirigjuar nga padroni i tij. Unë vlerësoj se qeveria duhet të formohet me apo pa vullnetin e presidentit meqë mandatin shumica e re e ka fituar në zgjedhjet e fundi parlamentare”, thotë Pollozhani.

Profesori universitar Ylber Sela thote se nëse Presidenti Ivanov vazhdon me kokëfortësinë e tij për të mos dhënë mandatin, Parlamenti do ti shfrytëzojë mekanizmat e veta. “Situata është shumë e qartë, presidenti Ivanov nuk po bën detyrën e vetë ashtu siç duhet. Ai duhet t’i japë mandatin shumicës së re qeveritare dhe nëse nuk e bën atë, normalisht që Parlamenti ka mekanizma që ta krijojë qeverinë e re dhe kjo besoj se do të ndodh shumë shpejt. Maqedonisë i duhet një qeveri reformuese, e cila do ta drejtojë shtetin drejt strukturave euroatlantike”, shprehet Ylber Sela. Ekspertët vlerësojnë, se pas ngjarjeve të 27 prillit , Maqedonia nuk do të jetë më ajo që ishte më parë. Detyrë parësore e politikbërjes vendase do duhet të jetë, që brenda 10 ditësh Maqedonia të ketë një qeveri me kredibilitet dhe legjitime të votuar nga shumica parlamentare.