Referimi i mangët i së shkuarës si mbrojtje për veten dhe Haxhinaston

Anulimi i kontratës me kompaninë italiane “Serenisima” që kishte fituar tenderin për ndërtimin e By Pass-ve të Fierit e Vlorës e detyron qeverinë të rihapë garën për këto dy vepra të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, pjesë e korridorit të Jugut që duhet të ishin përmbyllur brenda këtij katërvjeçari. Kryeministri ka dhënë për herë të parë sqarime mbi zvarritjen e punimeve dhe dështimin e bashkëpunimit me kompaninë italiane, madje duke shprehur një lloj keqardhje për kontratat skandaloze të nënshkruara në të shkuarën. “Koha e shkuar” e firmosjes së kontratave në këtë rast lihet të nënkuptohet si diçka jashtë përgjegjësive të kësaj qeverie, dhe që çuditërisht nuk ngarkohet me akuza për paraardhësin apo kundërshtarin.

“Më vjen shumë keq që nuk kemi arritur dot të bëjmë gjënë që është pritur dhe që kemi dashur të bëjmë përsa i përket Bypassit të Fierit dhe By-pass – it të Vlorës për shkak të një kontrate skandaloze të nënshkruar më parë. Një nënkontraktimi edhe më skandaloz me çmime të pamundura dhe një sërë historish të hidhura që praktikisht na kanë çuar në pozicionin e detyruar që të anulojmë kontratën dhe të rihapim garën nga e para”-deklaroi kreu i qeverisë në një takim me operatorë turistikë në Vlorë.

Perifrazimi i mangët i së shkuarës në këtë rast nuk e përjashton qeverinë e kryeministit në fjalë nga përgjegjësitë. Kjo pasi njëra prej kontratave, ajo për By Pass-in e Vlorës është nënshkruar nga qeveria e tij në 20 Maj 2015. Firma u hodh nga ish-ministri Edmond Haxhinasto dhe Drejtori i Pergjithshem, i kompanisë “Serenisima” Giuseppe Nardi, http://acp.al/news/743/53-milione-euro-per-Bypassin-e-Vlores,-firmoset-kontrata-me-kompanine-ndertuese/. Kontrata e firmosur parashikonte një afat prej 30 muajsh për ndërtimin e Bypassit të Vlorës, një segment rrugor me gjatësi 29 km. Vlera e punimeve të këtij aksi kapte shifrën e 35.5 milionë eurove.

Madje vetë kryeministri Rama asokohe inspektoi punimet me ministrin Haxhinasto dhe premtuan përfundimin në kohë – “Përfundimi brenda afatave të pranverë 2016, do të sjellë zhvillim jo vetëm për zonën dhe qytetarët e Fierit dhe Vlorës, por ky është dhe një aks i rëndësishëm që do të lehtësojë fluksin e qarkullimit gjatë sezonit turistik“-deklaronte asakohe Haxhinasto në krah të zotit Rama.http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/rama-dhe-haxhinasto-inspektojne-punimet-ne-bypass-in-e-fierit&page=8

Skandali është se qeveria e zotit Rama përzgjodhi për të ndërtuar By Pass-in e Vlorës, kompaninë “Sereniserima”, të njëjtën që kishte zgjedhur qeveria Berisha për ndërtimin e By Pass-it të Fier, kontratë e firmosur 3 muaj para zgjedhjeve të qershorit 2013 nga ish-ministri i Transporteve Sokol Olldashi. Dhe këtu alibitë për kontrata skandaloze të së shkuarës më së paku tregojnë se qeveria e zotit Rama ka operuar me të njëjtat standarde dhe të njëjtët klientë të qeverisë së kaluar. Megjithatë kryeministri e kaloi gjithë këtë situatë me një fjalim të ndjerë, madje dha edhe zgjidhjen duke iu referuar rihapjes së tenderit për dy By Pass-et.

“Por besoj që me këtë zgjidhje të dhimbshme edhe kjo është një çështje që do të adresohet në një kohë të arsyeshme dhe nuk do zvarritet pafundësisht. Kështu që thënë të gjitha këto, patjetër që pa ma thënë ju, e di që keni nevojë për më shumë, doni akoma më shumë dhe e vërteta është që ajo që mbetet për t’u bërë është shumë më tepër”- deklaroi kreu i qeverisë në takimin me operatorë turistikë në Vlorë.

Haxhinasto u shkarkua si ministër i Transporteve me motivacionin se do punonte për programin elektoral të LSI-së, një manovër e ngjashme me shkarkimin e 4 ministrave së fundmi nga zoti Rama, veprime pas të cilave duket se nuk qëndrojnë vetëm nevojat e partisë, por çështje që ose mbeten pa përgjigje dhe përgjegjës ose kalohen me referime të tipit e shkuara dhe e ardhmja./respublica/