Albspirit

Media/News/Publishing

Si iu vunë prangat regjisorit të parë të filmit shqiptar, Viktor Stratobërdha

Rrëfimi i dhimbshëm i regjisorit të mirënjohur, para hetuesit

Më 15 prill është ditëlindja e regjisorit të parë të filmit shqiptar, Viktor Stratobërdha. Po në 31 prill është edhe ditëvdekja e tij. Në një letër që i shkruante regjisori operatorit dhe mikut të tij, Agim Fortuzi, thoshte: “Kur isha i vogël, mendoja se të jetoj deri në vitin 2000, pa le të vdes…”. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Sapo ai mbushi 75-vjeç, më 15 maj 2000, dy javë më pas, u nda nga jeta. U shua në Kanada, larg atdheut që i shkaktoi aq shumë dhimbje e plagë…

***

Regjisori Viktor Stratobërdha ishte nga të fundit regjisorë e artistë që u arrestua në fund të viteve 70-të.  Stuhia dhe gjuetia ndaj shkrimtarëve dhe artistëve që kishte nisur që në vitet e para të pasLuftës, e u intensifikua në 1973 e më pas, po ulej pak nga pak, sepse, u pa që ishin arrestuar një numër i madh shkrimtarësh dhe artistësh. Në gjithë historinë 45-vjeçare ishin mbi 160 vetë, afro 10% e gjithë anëtarëve të LSHA.  Arrestimi regjisorit Viktor Stratobërdha u bë pas dënimit, të tij në 1956, internimit në Berat dhe akuza ishte, si gjithmonë, “agjitacion e propagandë”. Viktori u lind më 15 maj 1925 në Korçë. Studimet e larta i kreu në Moskë për regji filmi, më vitin 1953, ku mbrojti diplomën si as/regjisor i filmit “Skënderbeu”. Në vitin 1945 u emërua në kinostudio, ku realizoi dy filma dokumentarë “Pushime të gëzuara” dhe “Urime shokë studentë”. Bëri tentativën e parë për të xhiruar një film me metrazh të shkurtër, “Qeshim se nuk qajmë dot”, por që filmi u censurua dhe nga ai film kanë mbetur vetëm katër syzhetë të shkurtër nën titullin “Pse kështu?”. Në vitin 1956 u dënua pas konferencës së Tiranës dhe u dërgua në Berat. Për disa vite punoi si regjisor i estradës e më pas në punë të rënda në prodhim, si në bonifikim etj. Ja një pjesë nga aktakuza: “Viktori është pranuar në parti në vitin 1944. Në konferencën e partisë të rrethit të Tiranës, të vitit 1956, Viktori bashkë me element të tjerë antiparti, dolën hapur kundër partisë sonë, me qëllim që të goditnin udhëheqjen e saj, të reviziononin vijën politike dhe organizative të saj, për të ndjekur kursin revizionist, për këto arsye, Viktori përjashtohet nga partia, duke u cilësuar element antiparti dhe dërgohet me internim në qytetin e Beratit. Që nga koha e ardhjes në Berat e deri më sot, qëndrimi i tij ka qenë dhe është armiqësor, ka zhvilluar agjitacion e propagandë, të cilën ua ka përshtatur konjukturave politike e ngjarjeve që ka kaluar vendi ynë, duke synuar t’i kundërvihet vijës politike të partisë dhe masave të saj sidomos për zhvillimin e luftës së klasave dhe forcimin e diktaturës së proletariatit. I përmenduri në Berat, ka pasur shoqëri e kontakt me element armiq e të deklasuar, sidomos me intelektualë me prejardhje e qëndrim armiqësor si Luan Myftiu e Irfan Virjoni, sot të dënuar për veprimtari armiqësore. Edhe gjatë kohës që Viktori ka punuar si regjisor i estradës së qytetit, është munduar të fut në programet e saj, frymën e degjenerimit borgjezo-revizionist, gjë për të cilën edhe është kritikuar e pushuar dhe nga estrada.” Në vitin 1979 u arrestua dhe më pas u dënua me 8 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1988. Pas vitit 1991 emigroi fillimisht në Greqi e më pas në Kanada, ku edhe u shua në moshën 75-vjeçare, më 31 maj 2000.

Ja një fragment nga dosja e tij voluminioze, deponimet e tij në gjyq, para hetuesit Jake Tefiku, në maj 1979:

Viktor Stratobërdha: Pas 6 vjet e gjysmë studimesh në B. Sovjetik, në marsin e vitit 1955 kthehem në atdhe. Gjatë gjithë këtyre viteve vetëm një herë isha kthyer në Shqipëri. Pushimet e verës i kaloja në atë vend, nëpër kampet e pushimit të studentëve që na i jepnin falas. Gjatë gjithë kësaj kohe isha shkëputur nga jeta e organizata e partisë (jashtë shtetit nuk bëhej jetë partie) isha shkëputur nga disiplina e Partisë duke bërë një jetë krejt të pavarur dhe në ambiente artistike (me qenë se studioja për kinematografi).

Kur u ktheva u emërova me punë pranë Kinostudios si kino-regjisor. Fillova të bëja jetën e partisë e cila më dukej si e bezdisshme. Situata e politikës së jashtme në B. Sovjetik dhe në të gjithë Europën lindore ishte me plot të papritura. Stalini s’kishte dy vjet që kishte vdekur dhe brenda kësaj kohe të shkurtër u ndëruan dy sekretarë të parë të K. Qendror. Në fuqi hipi Hrushovi. Në maj t’atij viti (1955) Hrushovi vjen për vizitë në Jugosllavi, rehabilitoi Titon. Për ne, në atë kohë Partia Komuniste e B. Sovjetik ishte mëmë, ishte Partia Bolshevike që i bie në gjunjë Titos. Në të gjithë Europën lindore filluan kthesa rrënjësore në udhëheqje. Gazeta jonë “Zëri i popullit” botonte çdo ditë lajme të kësaj gjendje. Në Poloni, Gomulka del nga burgu e vihet sekretar i parë i KQ. Në Hungari zbret Rakoshi e hyp Imre Nagy e kështu edhe në vende të tjera të demokracisë popullore. Unë në atë kohë kisha si shok të përhershëm Nesti Zoton dhe mbrëmjeve takohesha bulevardit në xhiro dhe bisedonim për këto gjëra. Pak më vonë zhvillon në Moskë punimet Kongresi i 20 i B. Sovjetik. Raportin e Hrushovit e botoi “Zëri i Popullit”. Në çdo mbrëmje kur dilnim në xhiro e takoheshim ktheheshim, lexonim buletinin e lajmeve të mbas ditës së ATSH që kishte lajme të freskëta të asaj dite. Në këtë situatë, në prill të vitit 1956 do të zhvillonte punimet Konferenca e Tiranës. Nëpër organizata e Partisë u zgjodhën delegatë për në Konferencë. Në organizatën e Partisë ku bëja pjesë unë në Kinostudio u zgjodh Nesti Zotoja. Kishte orientim nga Komiteti i Partisë rrethit Tiranës që në Konferencë çdo i deleguar të merrte pyetje ose mendimet e anëtarëve të partisë për t’ju çuar Konferencës që atje të sqaroheshin. Mblidhet organizata jonë dhe bëhen pyetje. Nesti Zotoja mbante shënime. Pyetjet afërsisht ishin këto: Çështja e Sejfulla Malëshovës mos duhet parë (rishikuar). Pse nuk po përmirësohen marrëdhëniet me Jugosllavinë. Pse shtypi jonë lustron gjendjen e nivelit të jetesës? Pse shtypi jonë kritikon nga drejtorë poshtë. Sa shpenzime kanë dyqanet e bllokut të udhëheqësve? Pse sigurimi jonë kontrollon dhe pasaportat e anëtarëve të partisë. Mos ka nevojë të shikohet çështja e Bedri Spahiut dhe e Tuk Jakovës etj. që nuk më kujtohen. Unë bëra pyetjen për Jugosllavinë. Në Konferencën e Tiranës ishte i deleguar Beqir Balluku. Salla ku zhvillonte punimet konferenca ka qenë pallati “Ali Kelmendi”. Ne që s’ishim delegatë, unë e shokët që përmenda më sipër prisnim në xhiro për qark pallatit që kur të bëhej pushimi i seancës të konferencës të merrnim vesh se çfarë po bëhej. Kish grumbuj me shokë partie që takonin të deleguarit e tyre për t’u informuar rreth punimeve të çdo seance. Përgjigjet e pyetjeve nga ana e Beqir Ballukut nuk i kënaqnin të deleguarit? Në seancën e ditës së tretë erdhi udhëheqësi kryesor E. H. i  cili ishte vënë në dijeni të kësaj gjendje të elektrizuar. Ai u prit me duartrokitje. Ne përsëri prisnim seancat e pushimit. Gjendja filloj të merrte tjetër drejtim. Disa shokë kishin filluar të dilnin më autokritikë. Të nesërmen e asaj dite konferenca u dha fund punimeve. Ishin kritikuar rëndë diskutimet e ditës së parë si dhe pyetjet e disa dikastereve dhe ato të Kinostudios.

Pas disa ditësh bëhet mbledhja e organizatave të partisë të gjithë dikastereve të Tiranës. Tek ne në Kinostudio erdhi M. Myftiu. Ai mori një për një pyetjet që ishin bërë, pyeste emrin se kush e kishte bërë dhe i jepte përgjigje. Organizata me njoftimin që jepte Manush Myftiu propozoj për përjashtim nga radhët e saj Nesti Zoton dhe mua.

Unë u përjashtova se kisha arsim më shumë nga të tjerët dhe duhet të isha treguar më i pjekur nga të tjerët. Ndërsa gjithë të tjerët morën vërejtje me shënim në biografi me qënë se ishin më pak të arsimuar. Pas disa ditësh unë caktohem përgjegjës kinemaje në Berat. Konferenca vërtetë përfundoi, por ne kishim bindjen që Kongresi i Tretë që do të fillonte punimet pas 2-3 javësh do të rishikonte këtë çështje sidomos i deleguari i KQ të B. Sovjetik që do të vinte në Kongres. Në të vërtetë erdhi Pospjellovi. Si kongresi ashtu dhe Pospjellovi i vlerësuan të drejta vendimet e Konferencës së Tiranës si dhe masat që ai mori.

Lidhur me pyetjen që më bëhet unë deklaroj se nga konferenca e Tiranës ne kërkonim që vija e Partisë të shikohej siç po e shikonin edhe partitë e tjera në atë kohë “motrat” siç po bënte në atë kohë edhe Partia mëmë e B. Sovjetik. Pra interesimi im nëpër seancat e pushimeve që bënte konferenca ishte që a do të bëjë Partia e jonë ndryshime në vijën e saj.

Sikundër kam thënë edhe në procesin e mëparshëm kur u muar vendimi për t’u larguar nga Tirana e për të ardhur në Berat ashtu siç isha i dëshpëruar u nisa për në Berat, i përjashtuar nga Partia, i ulur nga përgjegjësia, i vrarë shpirtërisht, i trembur. Detyrë kryesore që i vura vetes ishte që të punoja mirë në detyrën e caktuar (përgjegjës kinemaje), të evitojë në maksimum shoqërinë me njerëzit dhe sidomos bisedat me karakter politik. Kisha gjithmonë bindjen se Kongresi i 3-të i Partisë që do të fillonte punimet mbas disa javësh do të shikonte çështjen e konferencës së Tiranës dhe unë do të shkoja përsëri në Kinostudio. Kjo nuk u bë. Më vonë kur në Hungari plasi kundërrevolucioni dhe u bënë të gjithë ato masakra ndaj elementit Stalinian, kurse Partia jonë filloj të zbuloj agjentët dhe agjenturën jugosllave për Konferencën e Tiranës …

Në fillim të vitit 1962 kur situata ishte shumë e nderë ku kishin plasur divergjencat parimore me Bashkimin Sovjetik, hiqem nga estrada dhe kaloj në prodhim. Edhe për mua kjo gjendje ishte shumë delikate e shumë e rëndë. Ishte e rëndë dhe delikate sepse: isha një njeri që kisha studiuar në BS dhe duhej të tregohesha shumë i matur në qëndrimin tim ndaj këtij vendi se çdo gjë mund të interpretohej si agjitacion pro atij vendi. Duke kaluar në prodhim punë kjo që për mua si fillim ishte shumë i rëndë nuk duhej të shkisja në asnjë moment dhe për asnjë çast në ndonjë pakënaqësi se një gjë e tillë ishte me pasoja. Kalimi në punën prodhuese më izoloj plotësisht nga shoqëria e mëparshme. Isha beqar, mbeta fill i vetëm. Mbas une absolutisht nuk kisha asnjë shok… Në fund të vitit 1971 merrem përsëri në Estradë. Puna ime në estradë gjatë këtyre viteve të fundit u vlerësua e mirë. Në karakteristikat e fundit që formuloj kolektivi dhe organizata e partisë midis fjalëve të mira që kish thuhej “… Gjatë katër vjetëve të punës të sh. Viktor drejtoria dhe organizata e Partisë s’ka patur asnjë shqetësim ideologjik”. Megjithatë nga estrada ika në janar të vitit 1976. Heqja ishte rezultat i situatave të komplikuara ndërkombëtare, të cilat detyrimisht nxirrnin ashpërsimin e luftës së klasave…

Mendoj se këto koncepte e kanë burimin tek liberalizmi, tek të shikuarit e gjërave me syrin thjesht humanitar, sentimental jo klasor…”.

“Përfundimisht Viktori u arrestua dhe dënua me 8 vjet heqje lirie, regjisori i parë, i shkolluar për 6 vjet për regjisor në BS, në një nga shkollat më të mira të kinematografisë, por që, para arrestimit, kishte përfunduar punëtor, me punë në ndërmarrjen pyjore, me profesion murator…”.

Image result for viktor stratoberdha

 

Please follow and like us: