Albspirit

Media/News/Publishing

Tubim promovues i librave të Eden Babanit në Bruksel

Më datën 26 shkurt 2011, në sallën e Shërbimit Social Hebre në Bruksel, nën përkujdesjen e Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Belge “Konica“ dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Belgjikës, u mbajt tubimi promovues i veprave të shkrimtarit dhe publicistit Eden Babani, vëllimit me poezi dhe tregime “Era e ringjalljes“ si dhe romaneve “Nekrologji“, “Një birrë më pak’“ dhe “Qoshku i rrëfenjave“.
Në këtë tubim morën pjesë shkrimtarë dhe gazetarë belgë, frëngjishtfolës dhe flamandishtfolës, bashkatdhetarë dashamirës të letërsisë dhe arteve me banim në Bruksel dhe në qytete të tjera të Belgjikës, si dhe të ftuar të tjerë nga Holanda e Luksemburgu. Ishte e pranishme gjithashtu edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në BE, zonja Mimoza Halimi. Ambasadën e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, e përfaqësonte shkrimtari dhe gazetari Gani Azemi.
Tubimin e hapi kryetari i shoqatës “Konica“, zoti Genti Metaj i cili, pasi përshëndeti pjesmarrësit, foli mbi figurën e autorit dhe vlerat e librave të tij. Më pas tubimin e drejtoi poetesha Shqiponja Duro e cila, pasi foli mbi rëndësinë e këtij tubimi në zhvillimin e letërsisë së re shqipe jashtë atdheut, recitoi disa poezi nga vëllimi “Era e ringjalljes“.
Kumtesa e parë e mbajtur në tubim ishte : “Tipare dhe vlera të prozës së Eden Babanit“, përgatitur nga shkrimtari, poeti dhe redaktori i njohur, zoti Pandeli Koçi. Në kumtesën e tij ai bëri një analizë të stilit dhe vlerës artistike të prozës duke cilsuar realizmin e autorit. Sipas tij, Eden Babani, hedh dritë mbi jetën e patrajtuar më parë në letërsinë shqipe, siç ishte ajo e diktaturës dhe, duke u mbështetur në përjetimet vetjake, në përgjithësimet e tij ai ka krijuar situata dramatike të zbatimit të luftës së klasave.
Studiuesi Gjovalin Kola mbajti kumtesën: “Tipologjia e personazheve në veprën letrare të Eden Babanit“. Në të ai analizoi veçoritë e personazheve në romanet e tregimet dhe vuri në dukje aftësinë e autorit për t’i skalitur ata duke i bërë bindës edhe për lexuesit që nuk e kanë njohur atë epokë.
Reshat Kripa në kumtesën “Kangët e pakëndueme të Eden Babanit“ foli mbi letërsinë që nuk mundi të shifte dritën e botimit gjatë diktaturës, por që u bë e njohur vetëm pas ndryshimeve demokratike.
Jusuf Zenunaj, shkrimtar nga Peja, foli mbi veçoritë artistike të librit me tregime “Qoshku i rrëfenjave“. Ai i bëri një analizë interesante disave nga tregimet e këtij libri, duke vënë në dukje satirën e hollë që i përshkruan, në adresë të rregjimit totalitar. Si shembull të tyre ai përmendi tregimet “Kukureci“ dhe “Shën gjiza“.
Së fundi moderatorja Shqiponja Duro zhvilloi një intervistë me autorin Eden Babani, ku ai iu përgjigj pyetjeve mbi mënyrën e trajtimit të personazheve, frymëzuesit e tyre, personazhin më të spikatur, stilin e përdorur dhe autorin, shqiptar ose të huaj, më të preferuar. Një intervistë e ngjashme u dha edhe për radion lokale “Jehona e Shqipes“, ku Eden Babani dhe Pandeli Koçi shfaqën mendimet e tyre për letërsinë e sotme shqiptare.
Kështu u mbyll kjo pasdite e bukur letrare në Brukselin e mrekullueshëm, në kryeqendrën e Europës së Bashkuar.
Shkurt 2011
Please follow and like us: