Shkarkimi i Comey, vendimi pa rrugëdalje i Trump

Shtëpia e Bardhë nuk ka ende një rrugëdalje të qartë nga një prej krizave më të mëdha të vetëshkaktuara të historisë moderne politike, ndërsa intensifikohen pasojat e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey, nga presidenti Donald Trump.

Kanë kaluar 6 ditë nga vendimi i presidentit dhe administrata vazhdon të përballet me dëmet. Sfati i Shtëpisë së Bardhë po përballet me një krizë besueshmërie, sidimos pas shpjegimeve të ndryshueshme për shkarkimin e Comey.

Udhëheqësit republikanë në Kongres po përballen me një tjetër kontradiktë të shkaktuar nga presidenti i tyre, e sigurisht që demokratët janë hedhur në sulm dhe ndiejnë erën e gjakut, ose më saktë të një mundësie të mirë ndërsa afrohen zgjedhjet e mesmandatit vitin e ardhshëm.

Fakti që Trump shkakton telashe dhe kontradikta nuk është asgjë e re, por shkarkimi i shefit të FBI-së ndërsa ky i fundit po hetonte lidhjet e fushatës së Trumpit me Rusinë dhe ndërhyrjen e Moskës në zgjedhje, është një ekstrem i ri edhe për presidentin.

Trump po përballet me akuza se abuzoi me pushtetin dhe madje se rrezikon pasoja ligjore e kushtetuese, ndërsa republikanët e tij janë duke u sulmuar pasi nuk po bëjnë më shumë për ta frenuar.

Komenti i ish-drejtiorit të Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, se institucionet amerikane po sulmohen nga Trump, nuk e qetëson aspak zjarrin. Sugjerimi i vet Trumpit se mund të ketë regjistrime të bisedave të tij me Comey e ka ashpërsuar krizën që ka mbërthyer Uashingtonin dhe ka ndërlikuar ndjeshëm kërkimin për drejtorin e ri të FBI-së.

Sipas analistëve, i shqetësuar dhe i zemëruar nga trajektorja e presidencës së tij, Trump po ndjek instiktet dhe vazhdon rrugën e tij të paparashikueshme. Kjo shton barrën e Shtëpisë së Bardhë që të qetësojë situatën, ndërsa administrata mirëpret udhëtimin e parë të Trump jashtë vendit, që nis të premten, si një mundësi që së paku të ndryshojë temë./TCH/