Ylli Ndroqi padit ‘CityNews’: Më tronditi me satirë

Një kërkesë-padi ka mbërritur këto ditë pranë redaksisë së “CityNews.al”. Ngritësi i saj është, çuditërisht, Ylli Ndroqi, sikurse citon: “…investitor dhe administrator në fushën e medias audiovizive etj.”, por edhe “Konsull Nderi i Meksikës në Tiranë”.

Së pari, e falenderojmë jashtëzakonisht z.Ndroqi, që është një lexues i përhershëm i CityNews, por na vjen keq që qenka tronditur nga një satirë, e cila është rubrikë e shpeshtë në faqen tonë, ku përfshihen personazhe publikë, politikanë dhe njerëz të ndryshëm, të cilët spostohen në kohë apo vendosen në formë humoristike, duke përdorur shpesh aktualitetin dhe ngjarjet e momentit. Më poshtë keni linkun e satirës, për të cilën çuditërisht një pronar mediash padit një media.

Ndroqi thotë se kemi interpretuar me tone ironike dhe fyese verimtarinë e tij, por nuk mund t’ia mbushim dot mendjen se qëllimi ynë nuk ka qenë as ironi, as fyerje, por ka qenë një humor dhe në çdo kënd të atij shkrimi lexohet SATIRË. Në rast se z. Ndroqi dhe avokatët e tij nuk e kuptojnë dot satirën, iu rekomandojmë të hapin fjalorin e gjuhës shqipe, ku shpjegohen satira, sarkazma, ironia etj…

Pra, ne nuk kemi publikuar një lajm, por kemi bërë humor dhe në rast se z.Ndroqi nuk i pëlqen humori neve na vjen keq, por do të vazhdojmë të bëjmë humor me të dhe me këdo na del përpara.

Askush nuk e ka fyer pronarin e televizionit Ora News dhe disa bizneseve të tjera dhe është po aq e turpshme dhe qesharake se si një pronar mediash bën një padi, e cila koshin e plehrave e ka pak.
Ne do të përballemi në gjykatë me Ylli Ndroqin, do ta fitojmë betejën tonë, do t’i bëjmë dhe një kundërpadi më pas dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shpesh humor e satirë, jo me qytetarin Ndroqi, por me pronarin e mediave dhe Konsullin e një shteti në Shqipëri.

Së fundi, për t’i shpjeguar se ku ndryshon satira nga lajmi, përpara se t’ia çojmë gjykatësit, po i bëjmë një sqarim si gazetarë, pa u këshilluar aspak me avokatët.

Do të konsiderohej fyerje dhe shpifje në rast se ne do të shkruanim një shkrim, ku të thonim: Ylli Ndroqi është trafikant droge, Ylli Ndroqi është dënuar për drogë, Ylli Ndroqi është trafikant prostitutash, apo urdhërues prostitutash e krimesh, apo Ylli Ndroqi është koka e kartelit të mafies, Ylli Ndroqi është palaço dhe sharlatan publik, apo Ylli Ndroqi është një klloun në fushën e mediave, apo Ylli Ndroqi bën pastrim parash me media.

Këto të gjitha sa përmendim më lart ne nuk i kemi shkruar, nuk i kemi tituj, sepse nuk kemi as fakte as prova për t’i shkruar. Në rast se do të shkruanim titujt e mësipërm, atëherë do të kishim cënuar, fyer e shpifur ndaj z.Ndroqi.

Ne nuk e mendojmë që z.Ndroq të jetë i tillë, përkundrazi një pronar i nderuar mediash, i cili ka punësuar dhjetëra vetë dhe për këtë duhet falënderuar, pavarësisht çfarë vlerash apo audience kanë mediat e tij dhe si i përdor ai.

Ndërsa në satirën tonë ne kemi shkruar: “Ylli Ndroqi shpërthen kundër Donald Trump/ Hiq dorë nga muri me Meksikën”, që në fakt e ripërsërisim: është jo lajm, por pjesë e rubrikës “Satirë politike”.

Nuk ka asgjë për t’u tronditur, kur ne bëjmë humor dhe vëmë në një takim fjalë dhe shprehje të përdorura gjatë debatit të asaj kohe lidhur me murin e Meksikës që do të ndërtojë Presidenti i SHBA, Donald Trump. Askush nuk e mendon dhe nuk e beson që z.Ndroqi të thotë të tilla fjalë ndaj z.Trump, por ajo që ne kemi bërë është humor, për shkak të pozicionit të tij si Konsull i Meksikës, duke pasur parasysh debatin SHBA-Meksikë. Në satirë kemi përdorur dhe Ilir Metën, Presidentin tonë të zgjedhur, kemi përdorur ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe vetë z.Ndroqi duke menduar se ai e kupton zhanrin e humorit dhe satirës.

Linku i shkrimit ndodhet më poshtë, shpresojmë që z.Ndroqi ta kuptojë se ku ndryshon një lajm akuzues, fyes dhe shpifës, me një humor dhe satirë.

Ne do të përballemi në gjykatë me z.Ndroqi dhe do të mbajmë të njëjtin qëndrim, shpresojmë që ai të vijë vetë dhe ta kemi përballë për t’ia thënë gjithë të vëretat në sy, edhe ato me humor, por edhe ato pa humor./CityNews