Miqësorja e basketbollit Tirana-Ardhmëria, në ndihmë të Lekbellos

Sëmundja e rëndë që ka prekur legjendën e futbollit shqiptar, Artur Lekbello, ka angazhuar në ndihmë shumë personalitete dhe skuadra në disiplina të ndryshme.

Këtë të martë, në sallën sportive “Farie Hoti” u zhvillua ndeshja miqësore mes ekipeve të Tiranës dhe Ardhmërisë, në basketboll, me synimin për të mbledhur sa më shumë të ardhura për kurimin e Lekbellos.

Pallati i Sportit në kryeqytet u mbush jo pak me tifozë, që kontribuan vullnetarisht – përveç çmimit të biletës – edhe me donacione shtesë si ndihmë për kurimin e sëmundjes së ish-futbollistit të njohur dhe ish-drejtuesit të Tiranës.

Më parë, një nismë e ngjashme u regjistrua në futbollin shqiptar me Skënderbeun, që vendosi të ndante 50% të fitimit nga biletat e ndeshjes me Tiranën, për të ndihmuar sadopak në kurimin e Artur Lekbellos në Greqi.